Gjendja e mozaikut "Shqipëria" që u shkatërrua nga reshjet në pasditen e së hënës në Tiranë, vijon të përkeqësohet. Duke e parë me kujdes vërehet se ujërat kanë depërtuar në brendësi të veprës dhe kanë shkaktuar prej kohës mbufatje në brendësi të mozaikut.
Ndërkohë nuk ekziston asnjë ulluk që të mbledh ujin e reshjeve në buzët e tarracës së këtij institucioni dhe uji ka depërtuar në të gjithë ballinën e muzeut ku janë gati për të rënë edhe suvatimet e mureve pranë veprës. Piktori Taso (Anastas Konstadini) është njëri prej autorëve të mozaikut "Shqipëria", ndërtuar 32 vjet më parë së bashku me Vilson Kilicën, Josif Drobonikun, Agim Nebiun, Aleksandër Filipin.
Taso ka ngritur zërin ndër të parët për nevojën urgjente të restaurimit të mozaikut dhe kjo ka ndodhur në muajin mars të vitit të kaluar. Në atë kohë Taso është shprehur konkretisht në një intervistë për "Shqiptarja.com" se: "jam në akth për fatin e mozaikut"; "nuk kanë marrë mendimin e autorëve gjatë projektit të restaurimit";, "mozaiku po shkatërrohet nga pakujdesia". Autori i veprës e ka parandier rrezikun e degradimit edhe pse vitin që shkoi kishte nisur të bëhej restaurimi nga institucionet e MTKRSsë. Restaurimi u deklarua me shumë bujë, "në kujdesin e veçantë të kryeministrit Berisha" dhe me nënshkrimet e sponsorëve, por rezultoi të jetë jorezistentë. Kur u shpall projekti, sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, Arbër Kadia restaurimi kushtoi "1.5 milionë lekë të reja".

Zoti Konstandini, ju jeni autor i veprës dhe jeni shprehur me intervistat në media për kanosjen e një rreziku të shkatërrimit të mozaikut.
A e dini që dje pasdite pjesë të tijat janë rrëzuar? Ç'më thua! Kur? Cila pjesë është rrëzuar?
Është rrëzuar një pjesë nga krahu i operës ku rreth dy metra janë mbufatur dhe janë gati për të rënë dhe pjesëza të tjera në vepër? Ç'po bëhet kështu. Po a keni shkuar në Ministrinë e Kulturës ta pyesni atë të ashtuquajturin drejtor të Trashëgimisë Kulturore që del pa pikë përgjegjësie në media e thotë publikisht se ne nuk jemi të zotë të mbrojmë monumentet. "More kush do ta mbaj përgjegjësinë?" t'i thoni, edhe atij zotit ministër. Çfarë bën akoma more zoti ministër, pse je aty. Ka një vit rresht që rrafshohen monumentet, sa grabitet njëri, shkatërrohet tjetri, e ja tani ka ndodhur edhe kjo. Lajme të mira iu duken këto. Ti thoni atij drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës. "More, të lutem, si del ti më Televizor dhe tregon se Kisha e Shën e Premtes ka vlera monumentale, kur ajo sapo është shkatërruar e që Onufri ka vlera të pallogaritshme. Për çfarë ke dalë aty, të na thuash këto, apo të japësh llogari pse i keni lejuar të dëmtohen këto vlera. Vlerat i dimë të gjithë ne për atë punë. Pse nuk ke bërë detyrën, pse nuk ke vënë alarmin, para se të ndodhte". Mua më ra goja për mozaikun. Duhet restauruar, duhet pasur kujdes. Po drejtori i IMK, zoti Apollon Baçe duhet të mbajë përgjegjësi pse janë prishur, të tregojë se çfarë bëri ai për mos t'u prishur.

Si e lejoi të ndodhte kjo në ballë të Muzeut. Specialistët, restauratorët e institucioneve, pse nuk kanë menduar të mirëmbajnë veprën. Mirëmbajtja nuk kërkon shumë shpenzime. Kërkon shumë vëmendje profesionalizëm dhe kujdes. Në kohën kur e ndërtuam ne, duke qenë me materiale të thjeshta e ngjitur në beton special, se ato ishin kushtet, ishte parashikuar që të restaurohej në një periudhë pas 30 vjetësh. Por ka pasur mjaft hezitim, edhe kur nisi restaurimi ja çfarë rezultati pati, se ti e di që kanë dashur edhe ta prishin fare. Por duhet ta dinë se ajo vepër i ka kapërcyer kornizat e kohës. Autorët që punuan me të janë mjeshtër të artit, krijues të akademisë. Të gjithë e dimë se ka dominuar nga pikëpamja shtetërore dhe ideologjike Realizimi Socialist, por artistët me mjete të tjera mundën të dalin nga kornizat e këtij arti dhe kjo vepër ka vlerë historike e kombëtare.
Cilat qenë të metat thelbësore të restaurimit që u bë një vit më parë? Unë ngrita zërin dhe iu bashkova kërkesës së atyre artistëve dhe intelektualëve që kujtuan institucionet se mozaiku ka nevojë urgjent për restaurim"Jo vetëm unë, por edhe autorët e tjerë kanë ngritur zërin dhe kanë theksuar se restaurimi që nisi të bëhej nuk ishte cilësor, edhe për sa i përket materialit, si ngjitja në beton jocilësor, por edhe copave të mozaikut dhe u bë pa asnjë studim. Autorët s'u pyetën fare, as profesionistët. Ja tani si erdhi puna. Restaurimi duhej të ishte shumë profesional, i mbështetur në studimin e veprës, sepse ai kishte gropa dhe të çara të cilat duhet të bëheshin me një stil restaurimi hap pas hapi. Gati gjysmë viti muzeu Muzeu Historik Kombëtar mbeti i rrethuar nga skelat dhe hekurat dhe kur nisi projekti ai ende po pësonte degradime, copëtime, thyerje. Projekti edhe pse u fol shumë, ishte i dështuar që kur nuk u bë si duhet faza e parë.
Cila ishte faza e parë? Faza e parë e këtij projekti duhej të konsistonte në evidentimin dhe analizat e problematikave që paraqiste kjo vepër. Dhe si mund të bëheshin këto analiza pa u thirrur autorët. Autorët për fat janë gjallë. Mozaiku ka qenë një ndër më të kontestuarit, si vepër e komunizmit, dhe në këto raste autorëve nuk u është marrë mendimi. Kush njeh historinë e artit ka treguar se bukuria e kësaj vepre nuk është e kontestuar në fakt. Nuk është demokraci ajo që zhduk vlerat e artit të një periudhe të caktuar historike. Demokraci është ajo që i ruan artin e të gjitha rrymave dhe periudhave.
Po çfarë mendoni se duhet bërë tani? Të mos ta lëmë turpin më mes të Tiranës. Më vjen keq që po ndodh shkatërrimi. Për mua si autor është lajm shumë i keq. Është fatkeqësi që po ndodhin rrënime monumentesh në mënyrë të vazhdueshme.

Shkrimi u publikua sot në gazetë Shqiptarja.com(print), 23 janar 2013 (ad.ti/shqiptarja.com)
Nessun commento:
Posta un commento