27 gennaio 2013

Në Kullën e Gecajve-Llukë e Deçanit traditë murimi, gurëgdhendjeje e mikëpritje bujare


Nga Ma. Besarta Reçica Në Kullën e Gecajve -  26.01.2013
Gjatë  historisë së njerzimit  populli Shqiptar ngjajshëm me popujt e tjerë, rëndësi të posaçme i ka kushtuar përpunimit të gurit dhe ndërtimit të objekteve me dekorime në gurë. Historia jonë kombëtare është e begatë me trashëgimi kulturore. Në  këtë trashëgimi vënd të rëndësishëm  ka zënë edhe gurëgdhendja. Ky thesar kulturor në gur i mbijetoi  kohës për shekuj me radhë.  Punimet më të herëshme me gur i hasim: skalitjet e gurëve per murim, dekorime të ndryshme nga flora dhe fauna,  mjetet e punës dhe shkrime të ndryshme. Që nga  neoliti, ruhet kjo trashëgimi e përpunimit të gurit, e cila dëshmon për një thesar kulturorë të paraardhësve tanë, të bartur në breza.
Dëshmia më e mirë e përdorimit të gurit si material ndërtimor sot janë: shumë shtëpi, rrugë ,ura, kulla,  gurë varrësh dhe vegla pune që i mbijetuan kohës. Edhe pse vendi ynë gjatë historisë  kaloi  etapa të vështira nën sundues të huaj të cilët jo vetëm që e penguan në zhvillim por u munduan dhe ta shkatrrojnë gjithë kulturën tonë popullore, të paktën deri në asimilim. Megjith atë mundë të pohojmë se jemi një popull me kulturë dhe  traditë të lashtë, e cila u ruajt dhe u trashëgua nga brezi në brezë, pa marrë parasyshë vështirësitë nëpër të cilat kaluam.
Trashëgimia jonë kulturore e ndërtimeve dhe ajo e gurëgdhendjes paraqet interes të veçantë kombëtar për hulumtim dhe studim. Tradita e  punimit të gurit në popullin tonë nuk u nderpre asnjëherë përkundrazi me një dëshirë dhe fanatizëm  vazhdoi të punohej deri me tani, jo në masën e gjerë që ishte dikur por në mas më të vogël dhe në  vende kryesisht rurale. Krahina të ndryshme  u dalluan për ruajtjen dhe kultivimin e kësaj trashëgimie. Njëra  prej tyre është edhe Rrafshi i Dukagjinit i cili njihet për kullat prej guri, të ruajtura mirë e disa prej tyre edhe në funksion siç është rasti me  kullën e Osëdautajve, atë të Kuklecëve etj. Restaurimet e bëra  kohërave të sotme në jo pak raste kanë shkatrruar elementet përmbajtësore, përkatësisht funksionale të kullave. Rast për të keq, paraqet restaurimi i kullës së Hoxhajve në Junik. Në kompozicionin e kthinave, gjatë restaurimit është shkatrruar “Ahri” tërsisht, “ divanhanja” pjesërisht  me   “frenxhitë” e saj terësisht, pastaj nga funksionaliteti është nxjerrë enterieri dhe dedikimi i kthinave, e gjithë kjo në emër të një levërdie të një komercializmi “ funksional ” të sotëm.
Rast të vaçant të gërshetimit të tradicionales me modernën është kulla-kala e Rrustem Gecajt nga fshati Llukë e Ulët në Komunën e Deçanit.
Ka shumë ndër ata që për të mos u shkëputur nga trojet e lindjes kanë ndërtuar atje shtëpi, por Kulla e Rrustem Gecajt është fare e veçantë [1]. Aty ruhet historia dhe identiteti i një pjese të mirë të mënyrës se jetesës dhe kushteve të banimit. Rrustem Gecaj i emigruar në SHBA “përkohësisht” vendosi  të ndërtojë një kullë të veçantë në vendlindjen e tijë. Si dëshmi e identitetit Kombëtar dhe dëshmi e historisë Kombëtare. Ai thirri ekspertë, historianë, arkitektë, studiues të fushave të ndryshme dhe kërkoi një projekt gjithëkombëtar, që të ishte edhe si një muze kombëtar,[2] dhe njëherit  kullë e traditës.
Kulla është karakteristike dhe të krijonë mbresa qyshë në momentin e parë që ta vëren syri. Është e pamundur të afrohesh afër sajë dhe të të mos ngjallet dëshira dhe kurreshtja për eksplorim të më tutjeshëm të sajë. Në po këtë truall,u rrënua kulla e vjetër nga barbarët sllavë dy herë.
Në pamundësi që vrasësi serb të shuante burrat shqiptarë, shkatrronte Kullat e tyre…Në të njëjtën kohë Kulla ka dhe legjendën e saj të Feniksit, ringjalljen nga hiri i vet ”[3].
Familja Gecaj është njëra nga familjet e kësaj treve  që me dashurinë më të madhe mundohet të ruaj traditën e lashtë të punimit të gurit. Edhe kulla”kala’’ edhe shtëpi tjera të ndërtuara nga kjo familje janë të veshura dhe punur me gurë. Një pjesëtar i kësaj familje që ne takuam gjatë vizitës sonë në këtë familje ishte Qaush Gecaj. Aty na njoftoi hollësisht mbi veprimtarinë e kësaj familje në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe punimin e gurit në veçanti.
Qaushi na njoftoi se guri me të cilin kanë punuar në objektet e tyre dhe në të cilat vazhdojnë të punojnë e sigurojnë në Banjë të Pejës[4], dhe se përpunimi i këtyre gurëve bëhet në puntorinë e tyre të ndërtuar enkas për përpunimin e gurit, edhe atë për nevoja familjare.
Duke pasur parasysh përpunimin e gurit i cili dikur bëhej me mjete rrethanore dhe ishte punë shumë e mundimshme, sotë përpunimi i tijë bëhëj me mjete më të sofistikuara që i mundësonte një punë më të shpejtë dhe më të lehtë këtyre njerëzve që prioritet i kishin dhënë ruajtjes së trashëgimisë kombëtare.
Si pranë kullës, por edhe me të hyrë në këtë objektë mbetesh i fascionuar me punimet e gurit që janë bërë. Me gurëgdhendje është punuar në enterier dhe  eksterier.  Punimet janë realizuar në korniza portash, shkallë të shtëpive,  gdhendjen e mureve të brendshme.  Ajo që të len më së tepërmi përshtypje, është  oxhaku në ballë të dhomës, i punuar në stilë modernë.
Gjatë qëndrimit në këtë familje na ra   në sy një ndërtesë e lartë e papërfunduar ku familjari, Qaushi, na njoftoi,  se edhe ajo planifikohet të vishet në gurë, po ashtu nga puntoria e tyre.
Krahas një tradite të lashtë  të prezantimit  të kulturës e trashëgimisë etnike e kombëtare vërehet qartë edhe një stil modern i kohës së sotme si në mjeshtri të punimit ashtu edhe në stilin e jetesës. Jemi mëse të vetëdijshëm se nuk mundë të riskenohen me një besnikëri apsolute tradita dhe doket e kohës së vjetër, por vetë fakti i mbijetesës dhe dëshirës së pamposhtur për punimin e gurit edhe sot në këtë familje dhe disa familje tjera në këtë trevë na bënë të jemi më afër traditës dhe të freskohemi me lashtësinë, sepse duhet të ruhet tradita edhe pse po jetojme në vorbullën e globalizmit.
Përshtypje tjetër është mikëpritja bujare që të ofrohej nga familjarët e tyre duke mos hezituar për asgjë, por duke u munduar të na informojnë në detale për çdo gjë që është punuar brenda dhe jashtë atyre mureve.
Pata knaqësin të shkruaj për këtë temë, dhe për këtë familje e cila me ngrohtësinë dhe afërsinë që më krijoi  për aq sa qëndrova, më bënë të ndjëhem pjesë e sajë.
Gjithashtu pata edhe knaqesine të shkruaj edhe për traditen dhe ruajtjen  e punimit të gurit në këtë familje ,jo vetëm për ndihmen dhe kontributin e madh që i dha Kosovës në çdo vend dhe në çdo  kohë.Këta familjarë traditen tonë shqiptare që e ruajtën dhe e trashëguan edhe pse në një mënyr të modifikuar prap se prap lenë mbresa te çdo visitor, që njëherit ka dëshir të njoftohet me traditen tonë të bukur shumë shekullore dhe të njohë  identitetin tonë kombëtar se kush jemi ne dhe nga i kemi rrënjet tona. http://www.zemrashqiptare.net/news/id_30763/cid_7/Besarta-Re%C3%A7ica:-N%C3%AB-Kull%C3%ABn-e-Gecajve.html


Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate