28 gennaio 2013

Një tavë dheu dhe pak bukë shtëpie, të lutem. Zanati i marrë në shkollën Hoteleri-Turizem


10.01.2013 | 16:31
Klodi është vetëm 26 vjeç dhe është shefi i kuzhinës në një nga restorantet e Tiranës, pranë ish-ekspozitës "Shqipëria Sot". Ka filluar të gatuajë qysh në moshën 13-vjeçare. Fëmijërinë, Klodi e ka pasur si gjithë të tjerët, sa në shkollë e sa me lojërat pas shkolle. Ndërsa pjesën tjetër, pjesën e dytë të jetës, e ka shpenzuar duke gatuar.
 Zanatin e ka marrë në shkollën e Hoteleri-Turizmit. Gatuante edhe në shkollë, edhe në punë. U edukua dhe u dashurua me atë çka sot quhet ushqim tradicional. Në restorantin ku punon Klodi edhe buka gatuhet tradicionalisht, për çdo ditë.
Në Konkursin Ndërkombëtar të Gastronomisë Tradicionale që u zhvillua së fundi në Tiranë, në Hotel Rogner, kuzhinierë nga disa vende të botës prezantuan ushqimet tradicionale të vendit që përfaqësonin. Klodian Taipi, kuzhinieri që sot vjen në “Trup&Shpirt” u prezantua në konkurs me një sërë gatimesh tradicionale, por më përfaqësuesja ishte “Tava e dheut”. Kjo lloj tave i dhuroi atij një kupë dhe një certifikatë, e cila qëndron e varur në murin e restorantit ku ai punon. Klodi njihet tashmë si kuzhinieri i pjatave tradicionale. “Në përgjithësi, kuzhinierët nuk e tregojnë sekretin e recetës së tyre, prandaj edhe unë nuk mund t’jua tregoj se si e bëra atë mbrëmje Tavën e dheut." Kështu na përgjigjet Klodi kur e pyesim se si arrin që t’i bëjë njerëzit “të lëpijnë gishtat”. E megjithatë, ai na siguron se asaj tave nuk i mungon asnjë element nga tava e zakonshme që nënat dhe gjyshet tona gatuajnë në shtëpi. Mund t’i ketë shtuar diçka recetës së gjyshes, por i mbetet vetëm një shijuesi të vëmendshëm të gjejë se çfarë, paçka se rrallë mund të gjykojnë kur janë duke shijuar këtë pjatë. Klodi na tregon se është shijues i rregullt i kuzhinave të huaja, i shijeve të tyre të rralla dhe tradicionale,sepse kështu ia kërkon puna që bën, por megjithatë nuk pëlqen t’i masë forcat e të hyjë në këto kuzhina me vrull.
“Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me gjellën, me bukën e bërë vetë e të sapodalë nga furra. Zgjedh të ha pak bukë të ngrohtë me fërgesë, në vend që të konsumoj tagliatelle me pana dhe proshutë. Tagliatelle- t kanë formën e jufkave shqiptare, dibrane më saktë, dhe nuk ka si jufkat që mund t’i bësh vetë.” Sigurisht që ka diçka tradicionale që Klodi nuk e bën dot. Kur e pyesim për atë që nuk di të bëjë ai na thotë: “Nuk ka si përsheshi i vitit të ri, që gjyshja ime e quan dollma. Mundohem shpesh ta bëj njëlloj si ajo, por nuk kam mundur asnjëherë ta bëj aq të shijshëm. Gjatë ndërrimit të vitit, gjyshja ime është e destinuar të gatuajë në restorantin ku unë punoj. E lodh, por e di që unë dhe ata që kanë besim tek unë, do të shijojnë diçka të jashtëzakonshme në natën e ndërrimit të viteve. Do të doja shumë që ta gatuaja përsheshin me gjel deti njëlloj si ajo.” Kuzhinieri i ri ka mendimin se tradita, në shumë aspekte, është nga pasuritë më të sigurta e më të larmishme që kanë shqiptarët si popull. “Ne kemi valle shumë të bukura, s’kemi pse të mos i kërcejmë; kemi ende ushqime të freskëta, s’kemi pse të mos i konsumojmë; kemi receta të pasura me vitamina dhe mjaft të shëndetshme, ndaj s’kemi pse të mos i shijojmë.
Ne mund të bëjmë të paktën një herë në javë bukë dhe jufka në shtëpi. Nuk kemi pse të mos e duam tradicionalen, është njëlloj si të jetosh larg dhe të reshtësh së dashuri familjen, njerëzit e tu të dashur. Sot, jetojmë në një botë ku modernizimi po mbyt gjithçka esenciale që na dallon nga të tjerët. Duajeni tradicionalen që ka nisur të flejë brenda jush.” Ai e di që sado modernë që përpiqen të bëhen shqiptarët, atyre, të gjithëve do t’u kujtohet tava e dheut apo muhalebia.

Respekti për traditën 
Klodian Taipi është kuzhinieri që pak kohë më parë me anë të mjeshtërisë së tij të gatimit tradicional fitoi çmimin si kuzhinieri më mirë tradicional. E ka fituar këtë çmim me një pjatë tradicionale. Kupën ia dhuroi “Tava e dheut”. Ai nuk i ka vënë kësaj tave ndonjë emër “të jashtëm” siç thotë ai, ndonjë nga ato emrat që shumë kuzhinierë sot e bëjnë për t’iu dhënë aromë moderniteti pjatave që krijojnë. Klodi ka një respekt të jashtëzakonshëm për traditën e sidomos për traditën në kuzhinë. Kur të jeni nën shërbimin e tij, mos t’ju duket pak kërkesa që mund t’i bëni Klodit: një tavë dheu dhe pak bukë shtëpie, ju lutem!
Luela Myftari

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate