21 gennaio 2013

Analiza e MTKRS,Ministri Aldo Bumçi premtimet për 2013-n të njëjta me vitin që shkoi Burimi


 21 Janar, 2013 | 14:43 pm
Përfundimi i Muzeut Arkeologjik Durrës, i Muzeut të Gjenocidit Shkodër, përfundimi i projektit dhe fillimi i punimeve për Muzeun e Burgut në Spaç. Këto ishin disa nga objektivat e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2013. Edhe pse një ditë pushimi, MTKRS ka vendosur të publikojë dje rezultatet e analizës vjetore të institucionit. Normalisht, në një analizë vjetore duhet të evidentohen arritjet, por edhe dobësitë e hasura gjatë një viti, por për MTKRS-në nuk ka asnjë problem. Viti që shkoi ka qenë boll i mbarë, i mbushur me aktivitete, investime…
Gjatë konferencës së zhvilluar dje, ministri Aldo Bumçi lexoi një listë të gjatë me aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, si ardhja në Shqipëri e armëve të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ardhja dhe ekspozimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, hapja e ekspozitës me veprat e piktorit Ibrahim Kodra, ekspozimi i veprave të ikonografëve më të shquar shqiptarë, për të vazhduar me të gjitha veprat operistike, koncertet, festivale filmi e teatri, konferenca shkencore, realizimet e shtatoreve dhe monumenteve, si ai Pavarësisë, i Ismail Qemalit (në fakt fituesi i konkursit nuk është vendosur akoma, pasi te lulishtja në hije u vendos shtatorja e realizuar nga Odise Paskali), Mbretit Zogu I, Hasan Prishtinës, si dhe të gjitha konkurset e realizuara e të parealizuara për logo, sigla etj. etj.
Kisha e Valshit e dëmtuar në fund të 2012-s
Investimet për trashëgiminë
E gjatë është lista e arritjeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Në vazhdimësi të daljes së fundit për shtyp, me rastin e shkatërrimit të afreskeve të Onufrit në Kishën e Shën e Premtes në Valsh të Elbasanit, Bumçi u shpreh se rruga për të mbrojtur trashëgiminë kulturore është ajo e investimeve. “Gjatë vitit 2012 janë restauruar me fonde të buxhetit të shtetit 30 objekte monumente kulture dhe muze, në vlerë të përgjithshme prej 311 milionë lekësh, krahasuar me vlerën prej 189 milionë lekësh të investuara gjatë vitit 2011, me një shtesë prej 122 milionë ose rreth 40 % më shumë”, u shpreh Bumçi. Ndërsa projektet me financim të huaj gjatë vitit 2012 kapin një vlerë të përgjithshme prej 7.5 milionë eurosh dhe 400 000 USD. Në listën e investimeve ai përmendi restaurimin e 6 banesave karakteristike në qytetet e UNESCO-s, Gjirokastër e Berat, banesën e Pashko Vasës, Kullën e Gjon Marka Gjonit, banesën ku u themelua Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës etj. Ndër të tjera, ministri përmendi rehabilitimin e rrugës “Gjuhadol” në Shkodër, edhe pse shembja e një shtëpie 100-vjeçare pikërisht në këtë rrugë, pak ditë më parë, tregoi se ky investim në të vërtetë përfshinte vetëm fasadat dhe jo rikonstruksionin e shtëpive. Përmenden gjithashtu edhe dy monumente që i përkasin komunitetit ortodoks, por nuk përmendet aspak shembja e Ndërtesës së Republikës, e cila u premtua të ringrihej përsëri…
Objektivat për 2013
Sa u përket objektivave të këtij viti, ato janë përfundimi i Muzeut Arkeologjik Durrës, përfundimi i Muzeut të Gjenocidit Shkodër, ku siç mësohet është investuar një shumë prej 60 milionë lekësh, përfundimi i projektit dhe fillimi i punimeve për Muzeun e Burgut në Spaç, por edhe sigurimi i ruajtjes, mbrojtjes dhe konservimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore me vlera të veçanta. Të njëjtat premtime, për të njëjtat objekte, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka dhënë edhe një vit më parë, por asnjëri prej tyre nuk u realizua. U bënë vite tashmë që flitet për Muzeun e Shkodrës, aq edhe për atë të Spaçit, sa që duken sikur janë legjenda urbane. Sa i përket fushës së artit dhe kulturës, këtë vit parashikohet kremtimi i 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos për lirinë fetare; ngritja e memorialit të viktimave të komunizmit; ngritja e shtatores së Dom Nikollë Kaçorrit; monumenti kushtuar Kongresit të Lushnjës. Gjithashtu ministri premtoi se “MTKRS do të vazhdoje të mbështesë zhvillimin e artit dhe kulturës dhe përfshirjen e zgjeruar të të rinjve në të gjitha gjinitë”. Edhe ky një premtim klishe, i përvitshëm, ndërkohë që është parë se si nga viti në vit janë shkurtuar fondet për festivalet e të rinjve.
Investime për trashëgiminë kultorere
a. Financime nga buxheti i shtetit
. 6 banesa monument kulture në Gjirokastër dhe Berat, 24 504 362 lekë
Në qytetin e Shkodrës janë restauruar 4 banesa monument kulture: banesa e Pashko Vasës, Kulla e Gjon Marka Gjonit dhe banesa ku u themelua Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës: 11,063,601 lekë
Në qytetet Korçë dhe Sarandë janë restauruar dy monumente kulture të kultit ortodoks: 8,847,920 lekë
Janë rikonstruktuar Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, Vlorë, Muzeu i Artit Mesjetar, Korçë: 2,712,316 lekë
Muzeu i Gjenocidit, Shkodër dhe Muzeu Arkeologjik Durrës: 60 milionë lekë.
Restaurimi i murit antik verior të kalasë mesjetare: 1,900,000 lekë.
Nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, në 11 bashki e komuna: 13 monumente kulture: 35 milionë lekë
Ndriçimi i 9 kalave monument kulture kat. I: 60 milionë lekë.
Mauzoleu i Familjes Mretërore: 20 825 999 lekë
Mbështetje për Bashkinë Vlorë me 50% të vlerës së projektit “Rikonceptimi i Sheshit të Flamurit”: 39,006,704 lekë
b. Projekte me financim të huaj. Projekti IPA 2009 në Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat: 3.5 milionë euro ( bashkëfinancim i BE-së dhe MTKRS-së në vlerën prej 64 600 000 lekësh.
Rikonstruksioni i Rrugës “Egnatia” në Elbasan, dhe i rrugëve në lagjen “Kala” në Berat dhe rrugës “Gjuhadol” në Shkodër.
Financime të AADF për vendosjen e sistemit të biletës dhe kontrollin elektronik dhe projekte në Parkun Kombëtar Butrint: 250 000 USD
Bashkëfinancim me UNDP: rikonstruksioni i Muzeut Etnografik Vlorë, i godinës së ish-Prefekturës Vlorë, rrënojat e Aulonës antike, si dhe shpella e Spillesë, Himarë: 145 000 USD
TIKA: projekti i restaurimit të 5 monumenteve kulturore të kultit: xhamitë në Kalanë e Prezës, në Pazarin e Krujës, ajo e Nazireshës në Elbasan, Xhamia e Plumbit në Berat dhe e Iljaz bej Mirahorit në Korçë: 4 milionë euro.


Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/01/21/analiza-premtimet-per-2013-n-te-njejta-me-vitin-qe-shkoi/#ixzz2IdfmpcJQ

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate