16 gennaio 2013

Fondi arkeologjik në mjerim, Fondi Amerikan jep 103 mijë dollarë




Era e lagështirës ndihet sa zbret shkallët e para, që të çojnë në bodrumin ku ruhet fondi arkeologjik, më i madhi dhe më i pasuri në Shqipëri. Sapo mësoheshin me duhmën e rëndë, duhet të mësohesh me pamjen e trishtë. Statuja të mermerta, stela varresh, skulptura, gjithfarësoj objektesh që vijnë nga një tjetër kohë, qysh para Krishtit, të zhytura në ujë. Një luan i gurtë që rri në brinjë, duket sikur rënkon… Me gjithë përpjekjet e punonjësve të Institutit të Arkeologjisë për ta mbajtur pastër dhe për t’i sistemuar arkat me objekte nëpër rafte, lagështira dhe uji, që i përmbyt sa herë që bie shi, nuk është në dorën e tyre. Pikërisht në këto ambiente ruhen rreth 18 mijë objekte arkeologjike. Dhe janë në mes të Tiranës. Një prej punonjësve të Institutit thotë se problemet kanë nisur qysh kur është ndërtuar Pallati i Kongreseve e janë bërë edhe më të rënda me ngritjen e disa bizneseve private aty ngjitur, të cilat siç duket kanë dëmtuar sistemin e drenazhimit dhe kullimit, të cilat janë ndërtuar gjatë pushtimit italian. “Problemi është që kur bie shi, këtu përmbytet”, thotë ai. Ndërsa drejtoresha e Institutit, Shpresa Gjongecaj, thotë se me gjithë përpjekjet e tyre për t’i sistemuar, në mënyrë të tillë që të mos dëmtohen nga uji, gjendja është e rëndë, pasi edhe ato objekte që në pamje të parë duken sikur nuk pësojnë gjë, dëmtohen prej lagështisë e ujit. Godina ku sot është Instituti dhe Muzeu Arkeologjik, i përket korpusit të objekteve, të ndërtuara nga arkitektët italianë, në fund të viteve ’30, me qëllime ushtarake, e si të tilla, ato nuk janë të përshtatshme për ruajtjen e një fondi me vlera të jashtëzakonshme.Fondi amerikanDje, në Muzeun Arkeologjik, drejtori i Qendrës Studimore Albanologjike, Ardian Marashi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, prezantuan projektin për rehabilitimin e ambienteve ku ruhet fondi arkeologjik i QSA-së. Bëhet fjalë për 103 mijë dollarë, të cilat jepen nga Fondi i ambasadorit amerikan, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore (AFCP). Sipas ambasadorit Arvizu, ky fond është krijuar 10 vjet më parë për financimin e projekteve që synojnë ruajtjen e trashëgimisë kulturore. “Ruajtja e trashëgimisë kulturore i kalon kufijtë e besimeve, të përkatësisë politike dhe të origjinës”, tha Arvizu, duke shtuar se sa e rëndësishme është mbrojtja e trashëgimisë, për t’u përcjellë brezave të rinj, por edhe për të gjeneruar para në fushën e turizmit. “Kur pamë vendin ku ruhet ky fond, që përmbledh punën 80-vjeçare të arkeologëve shqiptarë, u ndjemë zemërthyer, pasi shumica e tyre qëndrojnë në myk dhe lagështirë të madhe. Unë besoj se ky financim do të jetë i duhuri për të shpëtuar këtë pjesë të trashëgimisë suaj, por që është e të gjithëve. Kjo është kohë e vështirë për paratë në të gjithë botën, por të gjithë duhet të angazhohemi nga pak, si pushteti qendror, ai lokal dhe bizneset, për të ruajtur këto trashëgimi edhe për brezat e ardhshëm”, u shpreh ambasadori amerikan, teksa shton se shqiptarët duhet të ndihen krenarë për trashëgiminë e tyre kulturore. Gjatë prezantimit të projektit, drejtori i QSA-së, Ardian marashi, u shpreh se “ndodhemi në një ambient korrekt, edhe pse e dimë fare mirë se cilat duhet të jenë kushtet e një muzeu të tillë, por fondet arkeologjike poshtë këmbëve tona ndodhen në kushte disa herë më të papërshtatshme”. Sipas Marashit, ky projekt është vetëm fillimi, pasi e gjithë godina ku ndodhet QSA do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.ProjektiPër të përfituar nga fondi i ambasadorit, duhet të kalohet përmes një aplikimi. Rastet shkojnë në Uashington, ku edhe shqyrtohen. “Janë me qindra aplikimet nga e gjithë bota, por vetëm një numër i vogël i tyre mund të përfitojë”, tha ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Aplikues dhe administratorë të këtij grandi është dega shqiptare e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeumeve (ICOM). Përfaqësuesi i saj, arkeologu Ilir Gjipali, thotë se vazhdimisht janë bërë përpjekje për të përmirësuar gjendjen e godinës, por ato nuk janë përfunduar për shkak të ndryshimeve që ndodhën 2008-n, kur Instituti i Arkeologjisë kaloi nga varësia e Akademisë së Shkencave nën Qendrën Studimore Arkeologjike. “Duke u interesuar, aplikuam dhe fituam këtë grand. Projekti synon organizimin në bazë të parametrave të kohës, eliminimin e lagështirës, vendosjen e ajrit të kondicionuar, vendosjen e një klime, që të mos dëmtohen objektet, sidomos ato metalike, vendosjen në rafte të mira, që objektet të mos ruhen në arka prej druri, që mbartin rrezikun e dëmtimit nga mikroorganizmat apo nga lagështia. Do të riorganizohet hapësira, që të mbajë më shumë objekte. Të krijohen kushtet optimale, si për ruajtjen e objekteve, ashtu edhe për arkeologët dhe studiuesit, që të mund të punojnë me këtë material arkeologjik”, thotë arkeologu Ilir Gjipali. Sipas tij, gjatë këtyre viteve është bërë ndonjë ndërhyrje e vogël, si vendosja e sistemit të alarmit, ndonjë restaurim në godinë, në dyer, por siç thotë ai, këto nuk ngrenë peshë. Ato që mund të dëmtohen i kemi kaluar në ambientet e muzeut. “Objektet shtohen çdo ditë dhe neve na duhen ambiente të reja që të depozitojmë objektet që vijnë nga ekspeditat”. Sipas Gjipalit, fondi i Tiranës është më i madhi. Ai mban rreth 20 mijë objekte, ndërkohë që fonde të pasura ka edhe në Apoloni, Butrint, Durrës. “Në Apoloni i kemi rregulluar, edhe në Butrint, jo me të gjitha parametrat, por gjithsesi kushtet janë më të mira se në Tiranë, ndërsa në Durrës është projekti për rikonstruksionin e muzeut”, thotë ai.
Objekte arkeologjike të ruajtura mes ujit në fondin e Qendrës Studimore Albanologjike







Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/01/16/fondi-arkeologjik-ne-mjerim-arvizu-jep-103-mije-dollare/#ixzz2IAO9qtuJ

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate