28 gennaio 2013

DARDHË, “ALT” TURIZMIT DIMËROR



Nga: Ben Andoni - 27.01.2013
Dardharët kishin shoqatën e parë në SHBA, një të tillë që deri më atëhere, asnjë komunitet fshatarësh nuk kishte arritur ta themelonte në Botë. Paskëtaj, rregulluan një varrëtore në fshatin e tyre, ngritën një xhade, hapën shkollë për vocrrakët e tyre mbetur përtej Oqeanit dhe sollën gati 90 vjet më parë shumë makina

Na ishin dikur dy vëllezër priftërinj në Arrëz të Korçës. Jetonin dhe shkonin si mos më mirë me njëri-tjetrin. Njëditëzaj na erdhi lavfshëpreri. Na vuri taksa…shumë taksa. Po ti paguaje, ishe mirë. Në mos, të priste zdapi. Por, ai nuk ngopej. Kristianët hoqën më shumë. Kështu, pak nga pak, filluan që të bëhen osmanllinj. Ai që bëhej i shpëtonte taksave. Por, duhej që veçse të shkonte në luftë, kur e thërrisnin. Një nga vëllezërit nuk duroi dhe e pranoi turkun. Pa, e zgjati mjekrën dhe na u bë hoxhë. Tjetri duroi, por vuajti. Njëherëzaj, e ngriti familjen e tij dhe u var poshtë. E priste një fat i keq, por mburojë kishte Krishtin. U vendos e gjeti strehë nën një goricë të egër (në Korçë, atje ku sot shtrihet fshati Dardhë, nuk mund të rritet fryti që i dha emrin më vonë). Nga këtu filluan jetën dhe buruan brezat e dardharëve…
Thoma Tasho, 43 vjeçar, një trainer i njohur i skiatorëve korçarë, qesh. E di ndryshe historinë, që na tregon Jorgo Brahimaj, bisnesmeni korçar i “Red Rock”, që ka bisnesin e tij pak para se të futemi në Dardhë. Në fakt, ish-sportisti, është tashmë krejt i lehtësuar. Deri më atëhere, i ka interesuar sesi do udhëtonim deri në atë vend. E di mirë, që në borë, jo çdo shofer mund të shkoj në Dardhë. “Po është apo nuk është fshat turistik i themi?!” “Po, jo bre,-përgjigjet me një buzëqeshje që nuk e braktis kurrë nga fytyra-tashti në dimër atje bën shoqëri vetëm arusha me ujkun”. Minuta më parë, teksa kemi braktisur Boboshticën, fjalët e Maqos nuk viheshin më në diskutim. Rruga e mbuluar me llohën e borës ishte gjithmonë e më e vështirë. Ngaqë mjegulla, që lodronte gjithmonë e më tekanjoze, e vështirësonte pa fund rrugën. Aqsa shqetësimi i udhëtimit të hiqte pak kuriozitetin se po udhëtoje në një nga perlat e turizmit dimëror shqiptar. Të paktën, të parashikuar në guidat shqiptare. 
Fshati Dardhë në rrethin e Korçës është një fshat jo shumë i vjetër dhe është themeluar e shtuar prej të “ikurve”, rebelëve që përndiqeshin nga Turqia, më së shumti për arsyen se nuk donin të ndryshonin fenë. Këtu legjenda bëhet e vërtetë. Një tjetër variant është se emri “Dardhë” vjen nga një gojadhënë që thotë se kryengritësit që themeluan Dardhën, gjetën strehë rreth një stani, dhe kur i pyesnin “ku gjendeni”, thoshin “Tek Stani nën dardhë”. Bëhet fjalë për një dardhë të egër që gjendej atje, ndërsa dëshmia e parë historike gjer tani gjendet në enciklopedinë greke Pirsos, ku thuhet: “Në Dardhë, fshat shqiptar, u hap shkolla greqisht më 1768-ën”. Këto janë referencat zyrtare për këtë vend. Atyre u shtohen ato më të çuditshmet se në fshat ishin 4-5 Chevrolet, në vitet ‘30 dhe shumë e shumë gjëra “të çuditshme”. Që nuk i shihje në vendet e tjera…Flasim në kohën kur botën e kishte pllakosur tmerri i krizës së viteve të Depresionit.
Në fakt, me makinën e vetme, që shkëmbehemi rrugës, të duket shumë më tepër për këtë nam që ka vendi. 

Mes dardharëve shekullorë
Po duhet të ketë ndonjë lloj mirëkuptimi, sepse të mbeturit e paktë të fshatit, pothuaj në këto ujra i tregojnë historitë e tyre. E tregon pak a shumë kështu edhe Petrovca, gruaja e vjetër 82 vjeçare, që nuk na e mban goja t’i themi plakë. Eshtë krejt e vetme, në një fshat, që tashmë mund të quhet pa e ngasur fantomë, ku gjithsej tash janë 20 e pak frymë…Me sytë e thelluar nga vitet e tutje, me gojën e rrëgjuar nga mungesa e dhëmbëve vitalë, por me një penjuar dhe ‘rastësisht’ me një përparëse të ornamentuar bukur, përgatit gjellën e të premtes. “Eshtë fasule, më thotë me çapkënllëkun e moshës, pasi më ka treguar pak aq sa mund të thotë. Kështu e kanë dardharët. Të premten e kanë me detyrim të bëjnë fasule”. Olimbi Tollko, që e thërrasin Petrovca, ka katër djem që i ka të shpërndarë në Greqi dhe në Korçë, por askënd pranë vetes. Nuk i bën syri tërr, edhe kur pas një udhëtimi prej 20 kilometrash nga Korça, në një thëllimë, jo të zakonshme, ne i shfaqemi në deriçkën e vogël. Në perandorinë e saj, që është një dhomë, veçmas nga shtëpia, ka pastërti, ndërsa Thomai, skiatori i njohur korçar, miku i saj, dallon shenjat e punës së gruas që në mëngjez. Ka një “sobkë” prej qëmoti, që zien fasulet dhe djeg qepën, ndërsa e ka vendosur para para oxhakut, që duhet të ketë kohë që nuk nxjerr tym. Dy ikonza i qëndrojnë kundruall dhomës, ndërsa një kalendar, që nuk e di pse e ka fiksuar më 13…, i tregon datën. Në fakt, jemi gati dymbëdhjetë ditë më pas. “Kanë mbetur 13 shtëpi me njerëz, më kthjellon plaka. Safoku është më i vjetri, pastaj Danja, Urimi, Pandi, Mynyri...”.

Në fshat
Fshati ka kohë që nxjerr pak tym nga oxhaqet e tij. Nga atje ku vidhet në ajër, mjafton, që të dallosh se ku kanë mbetur në Dardhë gjallesat njerëzore. Më aktivët mes tyre janë katër djem Fatjoni, Ervini (është elektriçist), Koço dhe Juliani. Këta i zbresin në mënyrë drastike mesataren e moshës fshatit, që plaket dhe rrënohet përditë. Por, jo në ekstrem. Sepse ka shumë rishtarë, që i kënaqen mjedisit dhe kanë bërë shtëpitë në këtë vend, por që nuk vinë kurrë në dimër. Kuptohet politikanët si Blushi dhe Rama nuk i ka shpëtuar ky vend, ndërsa ka shumë të tjerë, që nuk munden. Një i tillë, Maks Velo, piktori i njohur kryeqytetas rreket më kot, por nuk e gjen dot gjuhën me bashkëfshatarët e tij. “Janë ngritur 36 shtëpi të reja,-më thotë Fatjoni që ndjehet bash i turpëruar. E vetmja lidhje, që ka me pjesën tjetër të vendit është ‘Portokallija’ dhe stacionet greke, veç pak gjërave të tjera. Më gënjen, për kushtet dhe për kohën e tij. Rebusi zgjidhet pak orë më vonë, kur ai zbret me ne në Korçë. Askënd nuk ushqen me ftohtësinë e saj të bukur Dardha. Edhe pse që në fillim të fshatit, ftohtësia dhe ndërtimet e bukura, janë pak që të të grishin për të qëndruar në këtë vend. Në fshat futesh nga ana e Kishës së Shën Gjergjit. Të duhet që të kalosh te ish-posta dhe pastaj të ndjekësh më në jug rrugën më poshtë. “Nga shtëpia e kryeplakut ne jemi në shtëpinë e fundit, që shtrihet në sheshin jugor”, më shpjegon Thoma Tasho tepër i gjendshëm. Synon që të bëjë një pistë afër fshatit. Një ndërmarrje, që në të ardhmen, mund të përbëjë momentin e vetëm, që ky vend të rivitalizohet. Flet duke ecur dhe shpesh rrëshket vetë me qejf. Ne të tjerët e ndjekim duke u munduar që të ruhemi nga rrëshqitja. Ndërkaq, bora ka filluar vallëzimin e saj mbi kalldrëmin e një fshati të punuar me kujdes. Dardharët janë përmendur fillimisht si druvarë, por edhe si ndërtues të mirë. Nuk mund të mëdyshosh kur u sheh shtëpitë. Në anën jugore nga ku janë edhe shtëpitë më të vjetra, po punohet për restaurimin e tyre. Nuk i dihet, në fakt. Shpresohet se do të ndryshojë. Por, shtëpizat që janë deri në 100-200 vjeçare heshtin. “Gjithmonë restaurohen, por...”,- tund kokën me aprovim Maqo. Pak më vonë, ngjitemi nga ana veriore, atje ku edhe ka qenë baxhoja e vjetër. Dhe, kuptohet se përfundojmë sërish në qëndër, atje ku ka qenë edhe kampi. Janë disa ndërtesa që më thonë se quhen kamp. “Jo se i ka ndërtuar shteti,- më sqaron burri. Por ato kanë qenë shtëpi të dardharëve dhe ja u ka marrë shteti”. Në fillim të shekullit XX, Dardha llogaritet se banohej në 400 shtëpi. Profesioni i parë i dardharëve duket se ka qenë ai i druvarit, por ka të ngjarë që njerëzit të jenë marrë shumë me drurin dhe si marangozë. Në shtëpitë e tyre ka ornamentime, që të befasojnë me qashtërsinë dhe rigorizitetin e punës dhe në trajtimin e elementëve. Një të tillë e has në shtëpinë e Petrovcës, ku varim xhupat tanë. Eshtë një dru bash i bukur. “Me karvane prej 20-30 vetash, me mushka, të armatosur, u nisën fillimisht drejt pyjeve të zonave greke, atëherë ende nën Turqinë. Që nga viti 1800 deri në 1935-ën, në Olimp punonin ende sharrat e dardharëve, jo dosido, por me teknikën më të mirë të kohës, me ujë, aq sa mbeti edhe shprehja e njohur “Ia pret me sopatën e dardharit”, - shkruan për fshatin e vendlindjes së tij shkrimtari Teodor Laço. 

Histori dardharësh 
Po kush dardharë ishin këta?! Ata të qëmotshmit kanë mbirë në gjithë botën, ndërsa të tashmit kanë fluturuar. Në fillim të shekullit të shkuar autori K.Issak përmend se kishte komunitete të tyre në Boston Mass, 33 pitt, St; në 185 Brizh St., Fast Kembrixh Mass; një në Bukuresht, por edhe grupe të tjera më të vogla shpërndarë në shumë e shumë vende të tjera. Sepse dardharët gjithmonë kanë udhëtuar mundësisht atje, ku nuk shkelte këmba e askujt tjetër. Në Amerikë krijuan shoqërinë “Vëllazëria Patriotike e Dardhës”. Para saj, që më 1905 kishin formuar në Boston “Vëllazërinë mirëbërëse të Dardhës”, shoqërinë e parë fshatare në SHBA. Kishte qëllim mbajtjen e shkollave në këtë vend, ndërtimin e varrëtores dhe po kështu ndihmën për njerëzit e sëmurë…Një vit më vonë, “Vëllazëria patriotike e Dardhës” synon, që të martojë dhe vajzat e reja, që janë skamnore. Më 1910 bashkohen këto dy vëllazëri duke shkruar kanunoren në shqip dhe arrijnë të bëjnë varrëtoren e re, mbledhin lekë për udhën në Dardhë, dhe dhurojnë lekë për Shqipërinë që ta lehtësojnë disi prej katrahurës së vitit 1912-1914. Më 1918, ky bashkim merr emrin “Mbleta” dhe vë si synim veç mbajtjes së shkollave dhe ndërtimin e çdo gjëje të nevojshme në Dardhë…Shkolla që kushtoi 8000 USD u ndihmua dhe nga dardharët e Bukureshtit. Kulmi i gjithë këtyre arriti më 1929, teksa shtruan xhadenë,- përmend profesor Mark Tirta dhe po këtë vit sollën dhe një ujë shumë cilësor në Dardhë. Duhet të ishte momenti i shkëlqimit të fshatit, sepse rrezatimi i tij vazhdon dhe në ditët tona. Sërish Teodor Laço, sot përfaqësues i Shqipërisë në Federatën Ruse, shprehet dikur se dardharët mburreshin me origjinën, që nga e folura deri te veshjet, këngët e vallet. Studimi i arkitekturës së fshatit dëshmon për një model të veçantë të stilit evropian, që haset edhe në fshatra të tjera të Jugut. Pamja që shfaqin ndërtimet dhe urbanistika e fshatit, ndërtesa solide, të bukura, prej guri të gdhendur e mbuluar me ploça të hirta, rrugët me kalldrëme, krojet e shumta, punishte për zeje kryesore, njësitë tregtare deri në fillim të viteve ‘40 i jepnin fshatit pamjen e një qyteze të lulëzuar, ndonëse për shkak të ikjeve në mërgim popullsia tani mezi arrinte 1 000 vetë.

Përveç elementit urbanistik, asgjë nuk të bën më përshtypje atje. Tashmë shtëpitë janë vjetëruar, kurse të rejat syresh, duket se u krekosen shtëpijave të reja. Kuptohet se e nuk e kanë ngrohtësinë e të parave. E vetmja gjë që ka mbetur është përshtatshmëria e tyre për turizmin familjar në verë, një iniciativë e dikujt me “Dardha Water” dhe ardhmëria me pistën e skive. Ngaqë, tashmë fshati, matet me frymët dhe jo me fiset e dikurshme, shtëpitë e tilla si Ktonat, Zengot, Thimiot, Neçkat, Skëndat heshtin. “Ktonat janë gjithë ajo lagjja, më rrëfen një burrë 73 vjeçar, që ka qenë nënoficer, në një vend ku ka vetëm borë. Pa kemi Thimiot nga lagjja tjetër dhe kemi fise të tjera përposhtë. Ka edhe muslimanë”. Një i tillë është edhe kryeplaku i fshatit Urim Seferi, që mbaj mënd se e kam takuar dhe para disa viteve. Asgjë tjetër nga banorët e sotëm, përveç inisiativave, që gjithmonë vinë nga poshtë...

Për pistën e skive
Jo shumë kohë më parë, në këtë vend, erdhën dy austriakë. Ishin ata, që propozuan që pista e skive duhej të ishte në lartësi. Tasho, traineri i skive të qytetit dhe kryetari i shoqatës së skiatorëve të Korçës pas fjalëve të tyre (ishte ai kumbari i pistës), po mundohet që të bëj një pistë skish “sepse ne i stërvisim fëmijët jashtë me një kosto shumë të madhe. Vendosëm të bëjmë një gjë të madhe. Të fundit, sepse bëjmë garime gjithmonë të vështira”. Në kampionatin kombëtar, që bëhej dikur në Voskopojë, ka qenë që në moshën 25 vjeç, kur rendte me ski. “Kam qenë dhe në Voskopojë”, thotë nostalgjik. Ai na tregon dhe vendin e pistës, në të dalë të fshatit, në një vend, ku e vetmja materie, që ka prekur dora e njeriut janë tunelet e hekurta të Enverit. “Kjo quhet Bigëll Maja dhe atje është lartësia e kësaj 1800 metra. Pjesa poshtë e ka kuotën 1300 metra dhe ka një kilometër gjatësi. Mund të bëhen stërvitje dhe gara kombëtare dhe shpresojmë dhe për një teleferik me ndihmat që do na japin... kjo është e gjitha”, më tregon me zë të lartë për të mposhtur erën e borës burri. E admiroj burrin e ri, që më ka bërë dhe guidën në ftohtësinë e fshatit, pa mundur kurrë të nxjerrë dhe një fjalë të vetme mosaprovimi nga goja...Teksa barresim të vetëm nëpër borë, një Tasho tjetër më tepër i njohur, fotografon pa fund. Eshtë i dashuruar me peisazhin e vendit. Ky është momenti, që takojmë një nga banorët e mbetur të fshatit. I papuni Sotiraq Zengo, 45 vjeç, baret i vetëm në rrugët e boshatisura të fshatit. Ka qenë dhe ai skiator, siç ndodh rëndom. Shkëmbëhen fjalët e kortezisë. “Na ka bashkuar jeta sportive, më thotë Thomai. Kanë qenë disa djem të Dardhës që bënim ski dhe Sotiraqi ka qenë një prej tyre. Tashmë kanë kaluar vitet dhe atij i duhet të mbijetojë. Ka dërguar fëmijët në Korçë, sepse këtu mungon shkolla, ndërsa vetë vjen shpesh e shikon shtëpinë”. Sotiraqi thjesht shikon dhe nuk flet. Duhet ta ketë pak pisk jetën, por nuk jep shenja paniku.
“Në kohën e pranverës vinë fshatarët, që kanë ikur në Tiranë, Athinë , Amerikë. Vinë këtu. Vinë dallëndyshet e para dhe nga tetori vinë...Bashkë me familjen jam zhvendosur në qytet që para katër vjetër. Jo se vetëm jam lindur, por në këtë vend jam rritur dhe dua të them që çdo moment i stinës ka të veçantat e tij. Ka bardhësinë. Mos shiko ftohtësinë! Ai që është pasionant pas natyre ka me ç’të merret”, thotë i ngrati dhe e shikoj nga muhabeti, që mezi pret të gjejë një mundësi pune.
Arrin, që me shpirtin e mirë të më bëjë dhe propogandë për Dardhë:”Mblidhen me njëri-tjetrin. Rruga nuk mbetet e pahapur dhe sidomos kohët e fundit, kanë ndryshuar.Të huajt përkundrazi mezi i presim, sepse duam që të ketë gjallëri,- më sqaron. Ka drita më shumë se në Korçë, sipas tij. Këtu nuk ka kufizime”. Në fund ul kokën dhe më sqaron sepse ai nuk qëndron. Eshtë larguar i detyruar nga shkolla e fëmijëve dhe për të mbijetuar. Eshtë pinjolli i njërit prej fiseve më të vjetra të këtij vendi...

Bisnes made in Dardha
Në fakt, nuk janë aq dashamirë. Të paktën kështu kuptoj nga muhabeti i rezervuar me korçarin, që ka bërë bisnesin e “Red Rock” në mal. E ka bërë me sakrifica gjithshka por nuk ankohet, ndërsa bisnesi tashmë i përshkon të gjithë Shqiëprinë dhe matanë. Ka një transporter të rëndë, por më shumë vullnet, që duket se nuk mban shumë erë Shqipëri. Bashkë me të shoqen e huaj ia ka dalë mbanë këtu mes maleve. Ish-oficer, më pas një emigrant, ka mundur që nga hiçi të ngrejë një perandori, e cila shkon nga Selaniku në Mal të Zi. Eshtë i kënaqur dhe nuk ankohet, teksa punon njësoj si të gjithë punëtorët e tjerë. Ka një histori tipike ballkanike. “Xhaxhai i gruas sime ka qenë një nga menaxherët e Coca-Colës dhe Pepsit në 82 vende të Botës (Vendi X). Ai punonte dhe të dielave për llogari të interesave të vet…Duke qenë menaxher, por edhe kimist, shpiku një pije të vet, që e quajti Red Rock( Shkëmbi i Kuq). Pati jetën e shkurtër dhe në fund la testamentin, ku ishte edhe formula e pijes. Ne morëm kodin dhe filluam punën. Me ta nxjerrë në treg ndalohesh reklamimi i produktit, për të parë fuqinë që kishte. Që në tre muajt e parë patëm rezultate marramëndëse. Në tre muaj cep e më cep të Shqipërisë. Ofertat fillojnë që nga Selaniku dhe mbarojnë në Mal të Zi...Prodhohen 12.000 mlitra”. Ia ndërpres patetizmin. I kujtoj se është gruaja, ajo që është bërë shkak i këtij bisnesi. Nuk e mohon, Jorgo, ashtu si nuk e ka siklet të thotë që gruan, ish-stiliste në një TV, e ka njohur thjesht në një diskotekë. Nga bashkimi i tyre kanë lindur dy fëmijë dhe bisnesi i Dardha Water. “Eshtë nga ujrat më të mira që kishte Shqipëria. E fillova me mund e sakrifica dhe çdo gjë është bërë konform rregullave dhe lejeve që janë marrë nga bujqësia, mjedisi dhe Makbule Ceco ka firmuar si kordinatore e mejdisit”. Kjo është Dardha, ku tashmë prodhohet non-stop pije freskuese dhe “Red Rock, që me kanaçen e tij shkon nga Mali i Zi dhe deri në Selanik”.

Turizmi i dardharëve
Por, shembulli i pistës dhe bisnesit nuk mjaftojnë që të ngrenë Dardhën. “Puna e skive është si puna e plazhit. Ti shkon në plazh dhe nuk e bën notin që të bëhesh notar. Ti i bën skitë për t’u kënaqur. Ai që do të bëjë një gjë të mirë e bën kudo”, më thotë Tasho, që duket se nuk e ngrohin shumë banorët, pavarësisht se i respekton shumë. Banorët kanë mbetur shumë tradicionalë. Burri, që ka shërbyer si nënoficer, më shpjegon sesi funksionon turizmi, teksa udhëtojmë. Eshtë bashkë me djalin, Fatjonin, 19 vjeç, ndoshta më i riu i fshatit. “Unë jetoj në dimër këtu. I marrim që më parë të gjitha dhe pastaj përgatitemi. Në rradhë të parë vemë në rregull zahiretë e dimrit për kafshët dhe pastaj vazhdojmë me perimet dhe pastërmat. Ca i mbajmë të freskëta dhe ca i çojmë në frigorifer. Por, ka edhe bukë këtu. Ne i bëjmë vetë. Sigurojmë drutë e zjarrit, pa zënë bora dhe i kemi gati për dimër. Na zihet rruga për ndonjë gjë shëndeti, atëhere është problem. Të gjitha i bëjmë në Korçë”.
Megjithatë masat që janë marrë nuk mjaftojnë. Dimri bën shumë i ashpër dhe vjet banorët u gjendën para faktit që nuk mund të lidheshim edhe me shtëpitë e pakta të njëri-tjetrit. Arrëza, Nikolica e të tjera fshatra u bllokuan dhe në fshat në mes ishte e vështirë për të lëvizur. “Unë kam shtëpi dhe vinë nga Durrësi nga Shkodra etj për turizëm. Njerëzit gatuajnë bashkë me gruan time. Ata sjellin furnizimet, ndërsa ne u sigurojmë djathin, gjalpin, lakrorin”. 400 lek nata mjafton, që njerëzit që vinë këtu të largohen me emrin e Dardhës në gojë dhe me besimin se ky vend është i jashtëzakonshëm. Të paktën, këtu besojnë banorët, që e shesin shtrenjtë emrin e zbehur të Dardhës. Plaku kujtohet dhe për diçka: “Ata të Shkodrës kishin dhe djalin këtu që kishte tumor në kokë. Më kanë thënë që është më mirë”. Nuk i them dot që tumorit nuk ka se çfarë i bën Dardha, sepse plaku vazhdon retorikën e tij...
...
Rruga e kthimit është shumë më e vështirë. Zinxhirët dhe kujdesi i shoferëve nuk mjaftojnë, por sportisti Thoma u jep zemër të gjithëve. Ka shpresë të bëjë pistën e tij dhe pastaj gjërat t’i shkojnë mbroth...Por, a do ta lenë vallë mendoj? Nuk e kuptoj dot nga fytyra e këtij njeriu të mirë, ku është stampuar një buzëqeshje. Askush nuk e merr vesh pushtetin në Shqipëri. Më shumë nga të gjitha nuk marr vesh një gjë: Pse është vend turistik Dardha?! Ca më tepër dimëror!!! Më mbet në mëndje Petrovca, që tashmë është duke ngrënë e patrazuar, fasulet e saj. Nuk e di si do i ketë ditët e tjera. Nuk e di, a do e bëjnë të gjallë ndonjëherë këtë vend?! Këtë besa nuk e di…Këtë mbase nuk mund ta dinë dhe shpirtrat e atyre priftërinjve, që bënë legjendën me emrin Dardhë. Por edhe dardharët e gjithë botës, që të paktën kanë ndikuar, që ky vend të ketë këtë emër të madh. Asgjë nuk dihet e saktë në Shqipërinë e dimrit të dhjetorit 2006.
http://revistamapo.com/lexo.php?id=177
Ben Andoni

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate