28 gennaio 2013

Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë


Luela Myftari - 27.01.2013 | 14:00
Hoxha: Të gjithë mund t'ia dalim që në një datë të caktuar, ashtu siç kanë vepruar edhe vendet e tjera, t'i tregojmë njëri-tjetrit që duam të jetojmë në një ambient të pastër
-Sot, gjithçka riciklohet dhe prej këtij procesi përfiton jo vetëm ambienti. Esmeralda Hoxha është një nga vajzat vullnetare që bën pjesë në grupin “Let’s do it”. Ajo është nëna e një vajze, të cilën dëshiron që ta edukojë dhe ta ndërgjegjësojë për mbetjet që gjithnjë e më shumë po hidhen vend e pa vend. Një ndër synimet e lëvizjes “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” është edhe ndërgjegjësimi i nxënësve dhe studentëve për atë çka quhet edukatë e riciklimit. Që prej një viti, Esmeralda dhe miqtë e saj kanë vizituar disa shkolla të Shqipërisë për të shpërndarë këtë ide dhe kulturë. Si një ndër organizatorët e këtij aksioni, ajo bën thirrje për një Shqipëri më të pastër e më të shëndetshme.
Esmeralda, si lindi ideja për të pastruar Shqipërinë për një ditë?
Ideja, në fakt, ishte e mikut dhe kolegut tim Ervin Shehaj, i cili kishte parë një video, ku tregohej se si Sllovenia kishte arritur që, në një ditë të vetme të nxirrte në rrugë një numër të madh vullnetarësh. U entuziazmuam. Shpesh ishim mbledhur dhe kemi diskutuar se çfarë mund të bëjmë që fëmijët tanë të rriten në një ambient të shëndetshëm.
A mundet vërtet ta pastrojmë Shqipërinë për një ditë?
Skepticizmi është një ndër tiparet që na karakterizon si popull. Është e vërtetë, kemi hasur edhe në njerëz të cilët paçka dëshirës së mirë, nuk besonin që edhe Shqipëria mund të organizojë diçka pozitive për veten. Shumë prej familjarëve tanë ishin skeptikë, shumë prej miqve na u bashkuan e shumë të tjerë thjesht na ndoqën.
Sa jeni përpjekur ju dhe a keni pasur mbështetje?
Kemi punuar shumë. Fillimisht, afruam miqtë me të cilët ndanin të njëjtat ide. Anjezën, Lulin, Elvindin, Mikelin, Mirandën, Albanën, dua t’i përmend sepse ishin pjesë e grupit të parë, i cili punoi dhe ngriti rrjetin pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Dhe nuk ishin njerëz pa përvojë profesionale. Gjithsecili prej tyre ishte i specializuar në fusha të ndryshme, njerëz të cilët sakrifikonin pasditet për të krijuar diçka pozitive, për të koordinuar punën nëpër grupe. Mbështetje civile dhe nga organizata të ndryshme joqeveritare kemi pasur. Një mbështetje të madhe morale na ka ofruar edhe parlamentarja europiane znj. Tanja Fajon. 
Çfarë planesh kishit kur filluat të besonit në këtë projekt dhe çfarë keni mundur të realizoni?
Pritshmëritë tona në fillim të projektit ishin të mëdha. Duke qenë se kishim marrë pjesë në të gjitha konventat e Lëvizjes Botërore dhe e dinim se si organizohej ky aksion, menduam se gjithçka e kishim nën kontroll. Por, paçka dëshirës së madhe dhe punës së shumtë për pothuajse një vit të tërë, arritëm të kryenim disa aksione të vogla nëpër rrethe. Ndikoi përgjegjshmëria e strukturave shtetërore, ndikoi apatia e njerëzve në përgjithësi, ndikoi edhe aksioni që administrata “organizoi” në datën 20 Prill, vetëm 20 ditë përpara datës që shënonte projekti ynë.
Çfarë do të bëni në vazhdim?
Planet janë që edhe sivjet të mundohemi të organizojmë diçka. Dua të theksoj se çdo përpjekje ia vlen për një shtëpi më të pastër, dhe ne e kemi filluar tanimë këtë nismë, ndaj edhe nuk do ta lëmë në gjysmë. Nuk dua të harroj që t’i ftoj shqiptarët dhe të gjithë të huajt që jetojnë në Shqipëri që të bashkohen për të kaluar në një aksion, i cili hap pas hapi do të çojë në drejtim të realizimit të këtij projekti.
Bio:
Emri: Esmeralda Hoxha
Datëlindja: 1980
Vendlindja: Tropojë
Vendbanimi: Tiranë
Statusi: E martuar, nëna e një vajze
Arsimi: Inxhinieri kimike
Aksioni
“Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” është një lëvizje vullnetare. Ajo është pjesë e lëvizjes ndërkombëtare “Let's do it”. U krijua për herë të parë në vitin 2008 në Estoni dhe kishte për qëllim që në një ditë të vetme, vullnetarë nga i gjithë vendi të pastronin vendgrumbullimet ilegale të mbetjeve. Viti 2012 listonte mbi 82 vende të botës, të cilat konfirmuan ditën e tyre të pastrimit. “Green Line Albania” i është bashkangjitur botës në aksionin “Let's do it Ëorld” duke organizuar për herë të parë një aksion siç është “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Në Shqipëri ky aksion gjatë vitit 2012 u organizua në aksione të vogla dhe u finalizua me aksionin “Let’s do it Tirana” që u krye në datën 9 Maj.
Organizimi i një aksioni të tillë, me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve nga Shqipëria është i dobishëm. Madje është i dobishëm tani. Ky projekt është një mundësi e mirë për të ëndërruar, për të sjellë ide dhe plane të reja në një ambient të pastër.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate