Entela Resuli-Publikuar më 27.01.2013
- Një vend argëtimi dhe stërvitjeje ndryshe në kryeqytet.
- Rock Tirana Climbing Gym, të huajt frekuentues të rregullt. T’u ngjitesh shkëmbinjve, një sport për shëndetin fizik dhe shpirtëror
-Nuk ka lagje të mëdha në Tiranë që nuk ka një palestër dhe ofrojnë brenda pothuajse të njëjtat shërbime për të mbajtur trupin në formë. Por sot do t’ju tregojmë që në kryeqytet ekziston një tjetër palestër jo e zakonshme, por shumë e frekuentuar. Në fillim edhe ne patëm pak të vështirë për ta gjetur. Na thonë në rrugën “Ali Visha”, afër rrugës së Elbasanit, me aq shumë ndërtesa e pallate në atë zonë, dorëzohemi. Na vjen në ndihmë drejtuesi dhe menaxheri i saj, i cili vjen e na merr në hyrje të “Qytetit Studenti”.
Vendi që po kërkonim gjendet në katin e parë të një pallati të ri. Është e gjitha me xhama transparentë dhe nga jashtë, duket se çfarë je duke bërë brenda. Nuk është një palestër që ka ato pajisjet që mund te keni parë në çdo vend ku jeni futur. Muret e saj janë të pjerrët dhe me gdhënja gurësh ngjitur në gjithë sipërfaqen. Gurët janë të ngjyrave të ndryshme dhe kanë një domethënie të caktuar, tregojnë rrugët dhe vendet ku të kapesh. Muri i ngjan faqeve të një balone me pika.
Dyshemeja është tre metra sfungjer, që do të thotë edhe nëse rrëzohesh nga muri, do të biesh mbi një masë të butë.
Aty mjafton t’i kesh këpucët e mira dhe miqësore me këmbën, një brez shaluar dhe taktikë. Ndërsa trajneri na shpjegon palestrën, i thotë njërit prej atyre që ishin duke u ngjitur “qëndro në mur, qëndro në mur”, është e rëndësishme që dorën dhe këmbën ti vendosësh njëra pas tjetrës.
Elion Çikopano është ai që e ka parë këtë palestër qysh prej fillimit duke u ndërtuar dhje duke marrë jetën dhe gjallërinë që ka sot. Elioni vetë është jurist në profesion. Ka përfunduar studimet e larta për drejtësi, por duket se veten e ka gjetur më shumë të kacavjerrja sesa te ligjet. Në fillim e ka nisur si një pasionant i ecjeve në natyrë dhe tani është ai që i merr të tjerët jo vetëm për ecje në mal, po edhe për kacavjerrje aty ku të ofrohet mundësia. 26-vjeçari ka më shumë se gjashtë muaj që merret më këtë qoshk të lagjes “Ali Visha” dhe ia ka dalë. Ka hequr dorë përkohësisht nga profesioni për të cilin ka kryer studimet dhe e kalon kohën i lidhur me litarë në palestrën ku punon.
Këtu nuk dëgjon fjalë shqip. Klientët që ngjiten mureve janë më shumë të huaj që punojnë dhe jetojnë në Tiranë. “Të huajt e kanë shumë më të thjeshtë se e njohin si sport dhe nuk është se duan ndonjë prezantim shumë të madh. Ata kanë qëllime për të arritur, ndërkohë shqiptarët vijnë, e provojnë dhe e lënë më pas. Më shumë e konsiderojnë si eksperiencë sesa diçka që mund të merresh.”
Rock Tirana Climbing Gym është një vend ku ti bën stërvitje dhe përgatitesh për ngjitje në shkëmbinj. Por këtë vend mund ta përdorësh edhe si palestër normale. Elioni na shpjegon se gjatë stërvitjes aty vihen në punë të gjitha pjesët e trupit pa pasur nevojë që të bësh ushtrime të veçanta.
Vizitorët e saj janë si fëmijët edhe të rriturit. Climbing, po bëhet një nga sportet më të preferuara alternative. Madje edhe Lojërat Olimpike të 2020 do ta kenë në program. Janë kryesisht fëmijët e të huajve dhe këta vetë që punojnë këtu. “Njerëz të punësuar në organizata dhe institucione të ndryshme dhe që gjatë ditës bëjnë një jetë jo fort aktive.” Ndërsa për klientët shqiptarë, Elioni tregon se “shumica vijnë e provojnë dhe më pas duan shumë kohë që të rikthehen. Ka të tjerë që e kanë marrë si sport që kanë pasion ngjitjet dhe kjo palestër është duhura për ta”.
Megjithatë, kjo nuk është periudhë e përshtatshme për ngjitje. Pasi jemi në dimër dhe koha nuk është e favorshme për t’u kacavjerrë shkëmbinjve të një dhome. Kjo palestër e ka në program që me ardhjen e pranverës, do të organizojë edhe ngjitje fundjavave. “Vendet ku mund të shkohet dhe që shihen si më të përshtatshme janë të përcaktuara”, thotë Elioni: Bovilla, që është afër Tiranës, Brari, mali i Arapit, Gjipeja. Janë pika ku mund të marrësh pajisjet e tua, të vendosësh litarin dhe të ushtrosh këtë lloj sporti.
Çmimet që ofron palestra janë: 2500 mijë lekë në muaj për studentët dhe 3000 lekë për pjesën tjetër.
Të gjitha ato që mësohen në palestër, ushtrohen kur dilet në terren. Kur e pyesin Elionin nëse ka ndonjë taktikë ai tregon se si fillim duhet të kujdesesh për masat e sigurisë. Forcën duhet ta lëshosh te këmbët dhe nuk duhet ta mbash te duart se po e mbajte te duart lodhesh, pasi duart qëndrojnë lart dhe mpihen në momentin që ngjitesh. “Duhet të jesh më i lirë. Nëse rrëshqet nuk duhet të kthehesh me shpinë nga shkëmbi se mund të biesh me kokë. Duhet të jesh sa më i qetë. Duhet të ruash gjakftohtësinë.” Këto janë këshilla që u jepen të gjithëve që merren më këtë sport.
Kur je... në maj të malit
Kur ngjitesh harron gjithçka. Adrenalina shkon në maksimum dhe nuk ka lumturi më të madhe për ata që e duan këtë sport. Synimi është maja e malit dhe që të arrish atje duhet litar, ganxha dhe këpucë të mira. Ajo që nuk duhet t’i mungojë një alpinisti është instinkti dhe të qenët vigjilent në çdo moment paniku. Nuk duhet t’i kthesh kurrizin shkëmbit dhe duhet të kontrollosh veten para se të nisesh për ngjitje. Por me gjithë këto, nuk janë të pakta herët kur Elioni, po edhe shoqëruesit e tij, janë në majën e një mali dhe pyesin vetën: çfarë dua unë këtu? Siç duket janë njerëz që kanë shpirtin e aventurës dhe e duan shumë natyrën.
Ku ka shqiptarë, ka plehra
Bredi është një nga klientët e rregullt të palestrës. Ai jeton në bllokun e vilave gjermane që nga viti 2008. Përdor biçikletë për të lëvizur në qytet dhe në momentin e bisedës është shumë i mërzitur, sepse duke ardhur për në palestër i ka rënë goma. Ai na tregon se është 33-vjeç, ka lindur në Kaliforni, atje e ka familjen momentalisht. Punon mësues i gjuhës angleze në një nga gjimnazet private të Tiranës. Në lidhje me sportin tregon se i pëlqen më shumë të vijë te kjo palestër pasi dëshiron të jetë shumë afër me natyrën dhe pas pak muajsh ka për të dalë sërish për t’u ngjitur shkëmbinjve. Shqipëria i pëlqen shumë, por pohon se edhe një vit do të qëndrojë këtu e do largohet për andej nga ka ardhur. Ndërsa për ne ka dy fjalë: “Atje ku ka shqiptarë ka edhe plehra. Duhet të keni më shumë respekt për natyrën.”
Nessun commento:
Posta un commento