14 gennaio 2013

Treni i linjes Tirane - Durres ate qe nuk dini ne pritje te....

14 Janar, 2013 

Në tabelën e orareve shkruhet se udhëtimi zgjat plot një orë. Nisja nga Tirana në 8:40. Mbërritja në Durrës 9:40. Është rruga e dytë. Orari i mëngjesit të hershëm kishte qenë në 6.00. E kishim marrë me nge, duke i bërë disa pyetje biletashitëses, kur na tha se duhet të nxitonim. Treni zbatonte përpikmërisht oraret. Pak e çuditshme! Perceptimi ynë mbi gjendjen e hekurudhave na bënte mosbesues edhe për këtë pjesë. Udhëtimi i fundit brenda vendit me këtë mjet të transportit publik ishte një kujtim i vagullt. I përkiste gati dy dekadave më parë. Paguam biletën që kushtonte fiks sa një machiato. Për vetëm 70 lekë do të mbërrinim në qytetin bregdetar. Na kishin mbetur vetëm 4 minuta nga koha e nisjes, e teksa dëgjuam bilbilat e drejtuesve të trenit dhe ndezjen e lokomotivës, i dhamë të drejtë biletashitëses. Nuk do të kishte vonesa në stacion. Njerëzit që shpejtojnë hapin për t’u ngjitur në vagonë janë të paktë. Ora fiks 9:40. Boria e lokomotivës paralajmëron nisjen, pas një tronditjeje të lehtë, treni rrëshqet mbi shina. Shpejtësia fillimisht nuk i kalon 40 kilometra në orë. Na duket sikur do të udhëtojmë pa fund derisa të arrijmë në destinacion.

Sulmet me gurë

Sapo hyn brenda vagonit, sytë të mbeten te xhamat e dritareve në të dy krahët. Të gjithë të krisur e gati për t’u thyer. Gjuajtja e trenit me gurë është hobi më i parapëlqyer i banorëve që kanë ngritur shtëpitë e tyre vetëm 2 metra larg shinave. Përpara një jave, shoferi i trenit kishte përfunduar në spital, sepse kishte harruar dritaren hapur. Shënjestra kishte qene drejt e në fytyrë dhe guri kësaj here i kishte ardhur nga një grua. “Nuk gjuajnë vetëm fëmijët, por edhe gratë e burrat. Është si tip loje. Në verë sidomos, kur dritaret janë hapur, duhet të ruash kokën”, na tha më vonë një prej shitësve të vjetër ambulantë. Udhëtimi ynë për fat nuk shënoi të tilla incidente, ndoshta sepse ishte ende mëngjes dhe njerëzit nuk e kishin bërë nxemjen akoma.
Një nga pasagjerët në trenin Tiranë-Durrës
Kushtet në tren
Brenda në tren për ngrohje nuk bëhet fjalë. Për fat të mirë, të gjitha dritaret janë me xhama të mbyllura. Dyshemeja është e pastër, ndonëse sediljet janë mjaft të amortizuara. Higjiena e pranueshme, po të mendosh që treni duhet të jetë prodhim gati gjysmëshekullor. “Ka pastruese që punon me orar të plotë. Edhe udhëtarët janë disiplinuar, se më parë gjithçka e hidhnin në shesh”, thotë fatorinoja, duke na kërkuar të zëmë vend. Një polic bën ecejake të vazhdueshme nga njëra kabinë e trenit në tjetrën. Edhe ai duhet të jetë patjetër prezent në të gjitha oraret. Për hir të së vërtetës, situata është shumë më e mirë nga sa e prisnim. Nuk të vjen ndot të ulesh, nuk ka erë kutërbuese. Autobusët e Kinostudios janë shumë herë më keq.

Udhëtarët e përhershëm

Çdo ditë marrin trenin Tiranë-Durrës rreth 100 persona. Kaq është numri i biletave që shiten, pranë biletarive. Në verë ka më shumë njerëz. Ndërsa këtë mëngjes, pjesa më e madhe e vendeve në kabinën tonë janë bosh. Nisim t’u hedhim një sy të tjerave. Në dy vagonët e mbetur të trenit, ka gjithsej 8 ndarje. Në total arrijmë të numërojmë 58 pasagjerë. Kapaciteti nga sa mësuam më vonë është 350 persona. Bie në sy një lloj familjariteti mes tyre. Duhet të jenë udhëtarë të përditshëm. Kontrolli i biletave nis pas 10 minutash. “Bileta është e lirë dhe nuk kemi problem përgjithësisht me pagimin e saj. Pjesa më e madhe janë pasagjerë të përditshëm. Ka pasur raste që kanë hipur adoleshentë pa biletë. Nuk i kemi zbritur, sepse treni ka qenë gati bosh”, na tregon fatorinoja. Ajo ka 20 vjet në linjën Tiranë- Durrës dhe tregon se numri i pasagjerëve ka ardhur në rënie, megjithëse vitet e fundit kushtet e trenave janë përmirësuar disi. “Është vënë dorë, të paktën në higjienë dhe kontroll. Siç e shihni, treni është i pastër. Ndryshe nga periudha e komunizmit, linjat e trenave u shkatërruan plotësisht me ardhjen e demokracisë. Dhe është për të të ardhur keq”, thotë ajo.
Stacioni i trenit në Durrës
Ata që udhëtojnë për punë
Fatorinoja e trenit na tregon se në verë fluksi i udhëtarëve është më i lartë. “Shtohen dhe 2 vagonë të tjerë dhe ka më shumë njerëz. Tani ka më pak. Janë tregtarët e qumështit, që vijnë çdo mëngjes e kthehen në drekë. Të gjithë ata që udhëtojnë me këtë linjë janë njerëz të varfër, që nuk kanë mundësi ekonomike të përdorin mjete të tjera”, thotë ajo. Ngjitur me ne janë 4 gra që po hanë mëngjesin. Bukë e djathë. Në krah kanë trasta me shishe boshe. Ato janë disa nga shitëset e qumështit, që vijnë nga Sukthi çdo mëngjes. “Kam 20 vjet që e bëj këtë punë. Kemi klientët tanë tani. Po u zhvendos stacioni, u fikëm, se me këtë punë mbajmë familjen. Shesim 10 kg qumësht në ditë”, thotë Hajria, njëra prej grave. Në kabinën tjetër na përshëndet një tjetër udhëtar, i cili lëviz me abone në këtë linjë. “Për 15 ditë aboneja kushton 7 mijë e 400 lekë. Unë e bëj përditë këtë rrugë. Për kaq lekë sa paguajmë, kushtet janë shumë të mira. Çudi sot si nuk ka rënë ndonjë gur, se këta këtë punë kanë”, na thotë. Arrijmë në stacionin e parë. Vorë. Në traversën tjetër të shinave, ka ndaluar treni që vjen nga Shkodra dhe dhjetëra pasagjerë zbresin për të marrë linjën tonë. Deri në Durrës do të ketë edhe dy ndalesa të tjera, në Sukth dhe Shkozet.

Zhvendosja e stacionit

Janë frekuentues të rregullt, besnikë të udhëtimit me tren. Ndoshta jo nga dëshira, nga nevoja. Teksa i pyesim nëse janë në dijeni të zhvendosjes së stacionit të trenit në Kashar, një pjesë e tyre na pohojnë me kokë. Ka nga ata që janë skeptikë se një gjë e tillë do të realizohet, të tjerëve nuk u pëlqen si zgjidhje. “Nëse ndryshon stacioni, një pjesë tregtarëve nuk do ta përdorin më trenin, pasi do t’u duhet të bëjnë prapë rrugë deri sa të arrijnë në Tiranë”, thotë njëri prej udhëtarëve. Të tjerë e pranojnë si zgjidhje, vetëm nëse nga Kashari do të kishte linjë urbane deri në Tiranë. “Unë të tillë e kam punën, dhe do të vazhdoj ta përdor trenin, pasi nuk kam të ardhura të tjera. Nëse do të ketë linjë për në qendër, le të zhvendoset ku të dojë stacioni. Po më duket se do dojë ca vjet kjo punë”, thotë ai. Ndalesa e dytë është Sukthi. Këtu zbresin pjesa më e madhe e pasagjerëve. “Janë shitësit e qumështit dhe bulmetit. Tani mbarojnë punë e kthehen”, na sqaron fatorinoja. Nuk ka mbetur dhe shumë rrugë për të bërë. I hedhim një sy orës. Kanë kaluar 40 minuta që nga nisja, të cilat nuk i kemi ndjerë aspak. Ndoshta sepse është udhëtimi ynë i parë pas kaq vitesh, dhe jo rutinë e përditshme. Për pasagjerët e tjerë, 2 orë rrugë Tiranë-Durrës është tepër. “Të mendosh që po të ecte më shpejt, kjo distancë do të bëhej për 15 minuta”, na thotë njëri prej tyre. Me këto grimca bisedash e mendimesh e ndjejmë trenin të ndalet në Shkozet, e më pas në Durrës. Ora shënon 9:40. Orari është zbatuar me përpikëri!!!
“Me linjën e re, për 15 minuta nga Tirana në DurrësNjë projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim synon rehabilitimin e sistemit hekurudhor shqiptar. Mendohet që në përfundim të përmirësohen kushtet në trena dhe të rritet ndjeshëm numri i pasagjerëve.  Drejtori i Hekurudhave, Zamir Ramadani, e cilëson këtë vit vitin e hekurudhës për faktin se janë planifikuar një sërë investimesh. Ndërkohë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka akorduar një fond prej 1.2 milionë eurosh për të rritur eficencën në të gjithë sistemin hekurudhor. “Pjesë e këtij projekti është edhe studimi i fizibilitetit për projektin e ndërtimit të linjës së re Tiranë-Durrës. Me trena të rinj, ku shpejtësia do të jetë 100 km në orë. Në këtë mënyrë do të shkurtohet rruga deri në 15 minuta, nga 1 orë që është aktualisht”, tha Ramadani. Hekurudha shqiptare përballet sot me një sërë problemesh e mangësish. Rrjeti është i gjithi i amortizuar dhe kërkon investime të menjëhershme. Pjesa më e madhe e lokomotivave të trenave janë prodhim i viteve ‘70-’80, ndërsa vagonë gjen me shumicë edhe 80-vjeçarë të prodhuar në vitet ‘60. Drejtori i Drejtorisë së Hekurudhave, Zamir Ramadani, thotë për gazetën se linjat hekurudhore funksionojnë me kapacitet të plotë, por mungon sinjalistika e investimet në infrastrukturë. “Mjetet teknike janë të vjetra, ashtu si dhe rrjeti. Shpejtësia e trenave nuk i kalon 35-40 kilometra në orë, pra janë të ngadaltë. Vetëm linja e Durrësit ka shpejtësi më të lartë 60 kilometra në orë”, thotë Ramadani. Ai thekson se ndërhyrja është e domosdoshme. I pyetur nëse Drejtoria e Hekurudhave do të punojë bashkë me Bashkinë për zhvendosjen e stacionit të trenit në Kashar, Ramadani sqaron se projekti është iniciativë e Bashkisë, e cila ka gjetur edhe mekanizmat financiarë për ta vënë në zbatim. “Ne po riaktivizojmë stacionin e Kasharit për trenat e mallrave, por jo për udhëtarët. Puna ka nisur pas kërkesave të shumë bizneseve që kanë filialet e tyre përgjatë këtij aksi. Pritet të përfundojë brenda një kohe të shkurtër”, tha Ramadani. Në të gjithë  vendin ka 417 km linjë kryesore dhe 170 kilometra linjë dytësore hekurudhore. Transporti nuk preferohet nga udhëtarët, për shkak të ngadalësisë së linjave të trenit, ndërsa përdoret për zhvendosjen e mallrave nga një qytet në tjetrin.


Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/01/14/tirane-durres-vetem-58-pasagjere-ne-trenin-me-dy-vagone/#ixzz2HyBQkLxN

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate