28 gennaio 2013

NËPËR SHQIPËRINË E EGËR ME RALLY


Nga: Fjodora Fjora
Është e çuditshme të mendosh se në garën e përvitshme që me thënë të drejtën na huton pak ne Tiranasve për nga lloji i makinave dhe motorëve që na pushtojnë me stampat e tyre Rally Albania rrugët tona, kanë marrë pjesë gati 900 garues qe nga fillimet e saj

Një aktivitet shumë interesant i cili sapo mbylli vitin e shtatë të organizimit të tij, ku nga viti në vit shtohet numri i pjesëmarrsve dhe i garuesve, e që i dedikohet të gjithë atyre që janë në kërkim të aventurave ekstreme dhe sporteve që të ngrejnë adrenalinën. Dy të “çmendurit” që këtë vit nuk kursyen as ngritjen e një ure të vërtetë me konstruksione druri në mes të sheshit Nënë Tereza, Julia Dhame dhe Edvin Kasimati janë jo vetëm organizatorët, por dhe ndoshta aventurierët më të mëdhenj të kësaj gare. Kur e nisën 7 vite më parë, sigurisht ata nuk i mendonin përmsat që gara do të merrte sot. Gjithçka ishte çështje pasioni, pasion për makinat, për të eksploruar bukuritë e pakrahsueshme shqiptare të cilat në më të shumtën e tyre, gjenden të fshehura në hapësira natyrore ku mungon krejtësisht infrastruktura rrugore. E kjo e bën ideale vendin tonë, pasi janë pikërisht këto harta “off road”, ato që e bëjnë garën e vërtetë të Rally Albania. Por nëse në këtë pikë resourset nuk na mungojnë, ka dhe mjaft pika të dobëta që lënë për të dëshiruar. Këtë vit organizatorët janë përballur edhe me mjaft probleme, që nga mbështetja e shtetit, siguria e garuesve, probleme teknike brënda garës e mjaft të tjera. Ka patur edhe incidente, por sipas organizatorëve në asnjë moment ato nuk kanë qënë të përmasave të tilla që të cënojnë imazhin tonë. Përkundrazi, kjo garë ka dhënë mesazhe të forta edhe për turizmin, një tjetër pikë ku Shqipëria synon më së shumti të ketë përfitime në të ardhmen. Dhe rrugët e egra përballë detit të Karaburunit, natyra e mrekullueshme e Valbonës, bukuritë e Velipojës kanë lënë mbresa në mendjen e pjesëmarrsve të këtij Rally, që dhe këtë herë duket se e përmbushi misionin e tij. Julia Dhame, organizatore e kësaj gare tregon detajet e këtij viti për Revistën Mapo. 
Nga Fjodora Fjora

Rally Albania, përse këtë vit u mendua që numri i pjesëmarrësve të ishte në nivele kaq të larta, 400 pjesëmarrës, nga 20 vende të ndryshme të botës?
Rally Albania 2011 u zhvillua për të shtatin vit radhazi në Shqipëri. Për këtë arsye, nisur edhe nga eksperienca e viteve të mëparshme, pjesmarrja dhe interesimi i garuesve ndërkombëtarë, të apasionuar pas aktiviteteve të tilla off road, ishte shumë më i madh. Ndoshta do të ishte mirë edhe për ne organizuesit e Rally Albania, të limitonim numrin e pjesmarrësve në këtë garë, nisur nga fakti se për një aktivitet të përmasave të tilla, e cila nuk do të shërbente vetëm për kënaqësinë e garuesve, por do të shërbente edhe për një imazh shumë të mirë për turizmin në vend, pra, organizatorët e Rally Albania, kanë pasur pak, për të mos thënë fare, mbështetje financiare nga shteti shqiptar. Evente të tilla në botë, shfrytëzohen gjerësisht për turizmin. E duhet thënë, në vende të tjera janë shtetet që investojnë për bërjen e garave të tilla. Të shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi më shumë mbështetje jo vetëm financiare, por edhe teknike nga ana e organeve shtetërore. Megjithatë, nuk mund të lë pa përmendur, ndihmën e çmuar të ushtrisë shqiptare, sidomos në realizimin e një ure në sheshin Nënë Tereza, për startin e garës, por edhe çadrat kamping të ngritura në zonën e Velipojës, aty ku vendi ynë vuan edhe mungesën e kapaciteteve akomoduese, qoftë edhe turistike, për kaq shumë pjesmarrës. Një mbështetje e vecantë na është dhënë edhe nga forcat e policisë, të kudogjendura për të asistuar dhe ndihmuar garuesit e huaj. 

Përveç garimit, pra një qëllim është dhe promovimi i turizmit nëpërmjet Rally albania? 
E kemi thënë gjithmonë se Rally Albania i shërben edhe promovimit të turizmit. Nga 400 garuesit që morën pjesë në këtë garë, rreth 70 përqind e tyre ishin garues të rinj. Kanë ardhur nga Suedia, Polonia, Bullgaria, Slovakia, Cekia deri edhe nga Australia. Kanë mbetur të mahnitur nga peizazhet shqiptare sidomos në Velipojë, e mandej nga Velipoja drejt Vlorës, në një itinerar jo në rrugën nacionale. Kanë mbetur të mahnitur nga Karaburuni, dhe vende të tjera që edhe në shqiptarët nuk i kemi parë dhe nuk ia njohim vlerat. Kur i ndoqëm ata në rrugëtimin e tyre në Valbonë, pronarët e shtëpive mikpritëse atje, na thanë, se shumë prej tyre do të rikthehen. Duke qenë se gara RallyAlbania, është e dyta në Europe për nga kapaciteti, do të ishte shumë mirë të kishim një ndihmë më të madhe financiare e asistencë edhe nga Ministria e Turizmit. Dhe e kemi kërkuar këtë: ja psh, secili prej tyre mund të marrë një dosje turistike nga Shqipëria. Ne arritëm të bëjmë dosje të tilla vetëm për pak prej të ftuarve. Duhet ta ritheksoj se, Karaburuni ishte një ndër zonat më të virgjëra dhe më të pashkelura edhe për vetë ne shqiptarët. Kjo u arrit falë një bashkëpunimi shumë të ngushtë edhe me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë që mundësoi hyrjen e garuesve në këtë zonë që është e një rëndësie të ndryshme nga zonat e tjera

Si shkoi gara këtë vit dhe cilat ishin sukseset por dhe pikat më të dobëta të organizimit të saj?
Gara, për numrin e madh të garuesve dhe menaxhimin e tyre, përgjithësisht shkoi mirë. Por nuk kam pse ta fsheh, se kemi pasur probleme dhe defektet tona. Një ndër to ishte edhe matja e kohës, në kohë, për të gjithë garuesit. Këtu në këtë pikë, patëm mjaft defekte. Kjo ndodhi edhe për shkak të numrit të madh të garuesve me motorra dhe me makina në këtë garë. E kemi mbajtur shënim këtë gjë. Vitin që vjen, kur të organizojmë këtë garë, do të ketë kompani të specializuara ndërkombëtare që do të menaxhojnë edhe kohën për të gjithë garuesit. 
Një tjetër pikë, që ka të bëjë me organizimin, ka qenë edhe kapacitetet akomoduese në vendin tonë. Duke qenë se bëhej fjalë për një numër të madh të tyre, edhe në Tiranë, e jo më në Valbonë apo Vlorë, kishte probleme akomodimi, meqënëse ka filluar edhe sezoni turistik. Pavarësisht porosive tona që përpara disa muajve për të gjithë pronarët e hoteleve apo guesthouse në Valbonë ku ishin vendosur garuesit për të pasur mjaftueshëm shërbim për ta, duket se në këtë aspekt ka ende shumë për të bërë. 
Megjithatë, për këtë vit, kemi investuar në dy drejtime shumë të rëndësishme. E para ka të bëjë me ekipin e doktorëve, 10 të tillë, pesë prej të cilëve erdhën posacërisht për këtë garë nga Italia, të kontraktuar nga Rally Albania, të angazhuar edhe në rrugë e në trajektoren e garuesve, për çdo incident që mund tu ndodhte atyre. Ndërsa një tjetër investim i rëndësishëm ishte sistemi GPRS, falë edhe bashkëpunimit me kompaninë celulare AMC, për të kuptuar dhe gjetur vendndodhjen e çdo garuesi nëse ai do të humbiste në trajektore. Dhe duke thënë këtë, nuk kemi pasur incidente e aksidente që të prishnin bukurinë e kësaj gare. 

Ka patur mjaft incidente që kanë shoqëruar garën këtë vit, ju vetë keni përllogaritur një mesatare prej 10 të tillash në ditë. Deri në çfarë nivelesh kanë qënë këto incidente, a mendoni se e cënojnë ato imazhin e kësaj gare që ka krijuar një traditë tashmë?
Jo absolutisht. Gara ka surprizat dhe bukurinë e saj. Të gjithë garuesit firmosin një kontratë me Rally Albania dhe janë të siguruar për jetën e tyre gjatë zhvillimit të garës. Incidentet dhe aksidentet janë pjesë e kësaj gare. Nëse kushdo prej garuesve, do të ndjekë me përpikmëri RoadBook, pra librin e rrugës që bëhet për secilin prej tyre, nuk ndodh asnjë incident apo aksident. 
Një nga incidentet më të rënda, është djegia e kamionit të grupit italian që mori pjesë në garë. Duke mos zbatuar atë cka ishte shkruar në roadbook, ata ndoqën një rrugë tjetër, të ndryshme nga ajo e përcaktuar. E pikërisht në tunelin e Komanit, ndodhi aksidenti. Edhe vetë grupi italian i asistentëve pjesmarrës në garë e kuptoi këtë gjë. Por kjo është gara apo jo? Duhen zbatuar rregullat e gares. 

ç’mund të na thoni për fituesit e kësaj gare, si përcaktohen ata, si monitorohen dhe çfarë të veçante kishin fituesit e këtij viti?
Fituesit janë të kategorive të ndryshme. Për makinat, kupa e garës Rally Albania u mbeti garuesve shqiptarë. Ndërsa për motorët, në vend të parë doli një prej garuesve italianë. Por edhe femrat kanë qenë konkurrente të forta këtë vit. Shumë prej garuesve janë profesionistë. Annie Seel është suedeze, është fituese e Rally i Princeshave në Dakar, gara më e madhe ndërkombëtare e këtij lloji. Me një grup prej 7 suedezësh, ishte këtë vit në Shqipëri. Ishte një tjetër garues i Rally Dakar, Machacek. Ai fitoi vendin e dytë. Duhet ta kuptoni se të gjithë ata që erdhën për herë të parë në Rally Albania, e panë fare qartë se gara ishte e vështirë. Ndoshta ndonjë mund ta ketë konsideruar si turizëm, dhe fillon edhe të ankohet. Por Roadbook, dhe gara shqiptare, është vërtet profesionale sa i përket rrugës që bëhet. 

Sa ka mundur kjo sipërmarrje ti qëndrojë kohës dhe të kthehet në një aktivitet tradicional të përvitshëm? A është ndjerë kriza edhe ketu, apo shpirti i aventurës nuk pyet për vështirësitë financiare?
Rally Albania nuk është biznes. Eshtë një garë që ka lindur 7 vite më parë pikërisht nga unë dhe Edvini duke qenë pasioni ynë për makinat e motorat në radhë të parë. Vit pas viti, u rrit edhe numri i garuesve. Unë dhe Edvini kemi ndjekur pothuajse përvit edhe të gjitha kompeticionet ndërkombëtare që bëhen në këtë lloj gare, pikërisht për të marrë eksperiencën më të mirë prej tyre. Eshtë e vërtetë, të gjithëve na mbledh shpirti i aventurës. Për financat? Hmmmm….më mirë është të mos pyesësh. Ende nuk kemi bërë bilancin sesa kemi humbur…Por, kjo nuk do të thotë se vitin tjetër do tërhiqemi. Thjesht do të rishohim tarifat e regjistrimit, për ta bërë garën shiptare të të njëjtit nivel me garat e këtij lloji që zhvillohen në ballkan e evropë. Në fund të fundit, nuk jemi pas tyre. 

Vetë, në plan personal, ti je një nga njerëzit me shpirtin më aventurier që kam njohur. është ky motivi që të shtyn nga viti në vit, të krijosh hapësira të reja për garuesit, itinerare të reja dhe mundësi që Rally Albania të jetë pikërisht, i dyti i këtij lloji në Ballkan?
Në fakt unë në ratin e garës, mbuloj pjesën e organizimit. Më shumë për cështjen e bërjes së rrugës merret Edvini. Ne të dy bëjmë një ekip duke plotësuar njëri tjetrin dhe me ndihmën e të gjithë vullnetarëve që dua ti falenderoj për ndihmën që kanë dhënë. Viti tjetër, ju garantoj, do të ketë më shumë garues ndërkombëtarë dhe më shumë reklamë pozitive për vendin tonë

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate