13 gennaio 2013

SPECIALE/ "Arbëreshët të shpallen trashëgimi botërore"


TIRANE-12 JANAR 2013 
 Krahinat italiane vazhdojnë të jenë të interesuara në përforcimin e lidhjeve kulturore e historike mes vendit fqinj dhe Shqipërisë. Në këtë kuadër, një delegacion nga Krahina e Kalabrisë ka mbërritur në Tiranë dhe nën drejtimin e përgjegjësit për Kulturën, prof. Mario Caligiuri, për t'i dhënë jetë një serie inisiativash që ofrojnë mundësi studimi e perfeksionimi profesional për të rinjtë shqiptarë.
Por më e rëndësishmja, Kalabria po përpiqet që të shpallë minoritetin e saj arbëresh trashëgimi botërore të njerëzimit, siç pohoi prof. Caligiuri në mikrofonin e A1Report. “Ne kalabrezët kur vijmë në Shqipëri, jemi gjithmonë si në shtëpi. Pasi prej shekujsh në krahinën time kemi një prezencë shqiptarësh.
Një prezencë e konsoliduar ndër shekuj që ka ruajtur të paprekura si një lum karstik gjuhën, traditat,
kulturën, që ne dëshirojmë të rinovojmë e të kultivojmë. Po përpiqemi që minoranca shqiptare, bashkë me disa të tjera që kemi në Kalabri, të shpallen trashëgimi botërore e njerëzimit. Pasi është eksperiencë
historike e rëndësishme që edhe pas shekujsh e ruan të paprekur forcën e saj, jo vetëm në të tashmen por edhe në të ardhmen”, shprehet prof. Caligiuri.
Përgjegjësi për sektorin e Kulturës, Caligiuri, tregoi edhe disa prej projekteve konkrete që po shqyrtohen e që pritet të marrin jetë, prof. Caligiuri.
“Kemi zhvilluar takime institucionale të nivelit të lartë, me ministrin e Kulturës dhe atë të Arsimit, nën
kujdesin e ambasadorit tonë në Tiranë, për të nisur pa humbur kohë disa insiativa domethënëse. Mes tyre, është edhe mundësia për studentët shqiptarë të diplomuar, që të frekuentojnë falas master me bursa
studimi në universitetin e Kalabrisë, ku ekziston një katedër e drejtuar nga prof. Altimari, shumë e avancuar në studimin e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Po shqyrtojmë edhe mundësinë që studentët shqiptarë të frekuentojnë institute teknike e të formimit profesional që kemi në Kalabri. Ne po
eksperimentojmë me Egjiptin një gjë të ngjashme që po jep rezultate të rëndësishme. Mund ta aplikojmë
edhe me Shqipërinë. Përveç kësaj, një sektor ku po financohet tashmë nga krahina e Kalabrisë e që është një prej arsyeve që kemi ardhur në Tiranë në këto ditë, është krijimi i një bashkëpunimi shumë të fortë me shkollat e muzikës, duke mundësuar të rinjtë shqiptarë që të vijnë të studiojnë në Itali”, tha prof. Caligiuri. Ndër të tjera, prof. Caligiuri nënvizoi dy institute që veprojnë në Kalabri e që i dedikohen logjistikës, të cilat mund të tërheqin të rinjtë shqiptarë që kërkojnë një alternativë ndaj Universitetit. “Ekzistojnë në Itali disa kurse studimi që quhen Institute Teknike të Larta, që frekuentohen pas studimeve të mesme, si alternativë ndaj Universitetit. Kemi dy institute shumë të rëndësishme, një që merret me logjistikën (portet, transporti) dhe tjetri që merret me kursimin energjetik, pra më i fokusuar tek ambienti. Edhe në këto raste ekziston mundësia që studentët e rinj shqiptarë të vijnë të studiojnë në Kalabri. Po shikojmë edhe mundësinë e ekskursioneve shkollore nga institutet kalabreze mundësisht
nga komunat që flasin gjuhën shqipe që të vijnë në Shqipëri, si dhe anasjelltas. Në përfundim, një tjetër gjë që mund të bëhet menjëherë... ne kemi një arkiv ku vendosim kurrikulumet e të diplomuarve me rezultatet më të mira në krahinën tonë, për t'i vënë në kontakt me ndërmarrjet e Kalabrisë, Italisë e të gjithë Europës. Kurrikulumet janë si me shkrim ashtu edhe në video. Kandidatët mund të regjistrojnë direkt nga faqja që kemi përgatitur videon e prezantimit. Këtë mjet ne e vendosim në dispozicion të të diplomuarve më të mirë që nga Shqipëria duan të shfrytëzojnë mundësitë e tregut të punës në Kalabri. Dhe kjo mund të bëhet menjëherë”, tregon prof. Caligiuri. Ndërkohë, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, pohon se falë aktiviteteve të tilla që shtojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, imazhi i shqiptarëve në sytë e italianëve ka filluar të përmirësohet ndjeshëm.
“Është e qartë që të gjitha lidhjet e Italisë me Shqipërinë janë të hershme dhe të forta. Normalisht, janë disa krahina që janë veçanërisht të interesuara me Shqipërinë: Friuli Venezia Giulia, Toskana që mirëpret shumë studentë shqiptarë, Kalabria dhe Puglia. Këto krahina janë shumë prezente këtu në Shqipëri. Përpiqen që të zhvillojnë projekte që kanë të bëjnë me njohjen reciproke dhe zhvillimin kulturor të pjesëmarrësve. Përsa i përket Kalabrisë, me këtë vizitë, përforcohen marrëveshje të mëparshme që ishin nënshkruar që në 2003. Por ndonjëherë marrëveshjet mbeten boshe dhe vizita e delegacionit nga Kalabria dëshiron që t'u japë forcë e përmbajtje konkrete. Ne mendojmë se e gjitha kjo u bën shumë mirë jo vetëm shqiptarëve por edhe italianëve, pasi, e them gjithmonë: ju shikonit me interes drejt Italisë që para demokracisë, ndërsa italianët e njohin shumë pak Shqipërinë. Më pas kjo u ndoq nga një periudhë kur "shqiptar" do të thoshte kriminalitet. Sot, imazhi i Shqipërisë, falë të gjithë punës që është bërë nga Ministria shqiptare e Kulturës, nga marrëdhëniet me Ambasadën, falë aktiviteteve që janë zhvilluar në Itali me rastin e 100vjetorit të pavarësisë, por edhe punës që po bëjmë këtu në Institutin Italian të Kulturës për forcimin e dialogut mes shqiptarëve dhe italianëve...besoj se e gjitha kjo po jep frytet e veta dhe italianët po fillojnë të zbulojnë një tjetër Shqipëri”, shprehet Veneziani.
Drejtoresha Veneziani thekson se për të shfrytëzuar në maksimum këto mundësi që ofron Kalabria dhe
Italia në përgjithësi, nevojitet që të njihen mire italishtja dhe këtu Instituti i drejtuar prej saj ofrohet për të dhënë kontributin e nevojshëm. “Ambasada dhe Instituti janë partnerë shumë të interesuar në projekte të tilla. Unë përfitoj për të theksuar çfarë kam thënë edhe më parë: këto janë dëshmi të mundësive që mund t'i ofrohen të rinjve shqiptarë, kur njohin italishten. Për ne kjo është e rëndësishme: nëse dëshirosh të studiosh apo të punosh në Itali apo të punosh me italishten këtu në Shqipëri, duhet të njohësh gjuhën tonë dhe Instituti Italian i Kulturës mund të luajë këtë rol, të përgatisë kë niset që qëndrimi në Itali të jetë akoma edhe më i frytshëm”, tha Veneziani.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate