10 gennaio 2013

Dorëzohet Ministria e Kulturës: Nuk sigurojmë dot mbrojtjen e monumenteve

Tiranë - Janar 09,2013 - 16:58
Ministria e Kulturës ka pranuar publikisht se e ka të pamundur të sigurojë mbrojtjen e plotë të gjithë monumenteve të kategorisë së parë në të gjithë territorin. Kreu i trashëgimisë në këtë dikaster, Olsi Lafe, e ka cilësuar të pakthyeshëm afreskun e shkatërruar të Onufrit në Kishën e Shën e Premtes në Valësh të Elbasanit. Ai ka bërë me dije sa çështja është në hetim për të gjetur autorët, por ka kërkuar edhe ndihmën qytetarëve për të mbrojtur pasuritë e trashëgimisë monumentale.

"Burimi më i mirë i informacionit por edhe mbrojtja më e mirë e monumenteve të kulturës është nga qytetarët. E theksoj edhe njëherë, në zonat rurale, larg qendrave të banuara, siç është dhe objekti në fjalë, ruajtja ditën por në mënyrë të veçantë natën kur ndodhin këto ngjarje, është totalisht e pamundur. Do të kërkonte një infrastrukturë krejtësisht tjetër nga ato që ekzistojnë sot", deklaroi Lafe.
Drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, e konkretizon fajin me mungesën e rojeve në këto monumente.
"Unë defektin kryesor e shoh në heqjen e kujdestarëve të monumenteve. Është ngulur këmbë disa herë në këtë gjë. Ju e dini që një gjë mund ta zhdukësh shumë kollaj, për ta vënë në vend nuk është e lehtë", deklaroi Baçe.
Ndërsa Drejtori i Trashëgimisë në MKRS-së, Lafe, në lidhje me këtë pikë shprehet: "Një reformë e sistemit të trashëgimisë tashmë ka kaluar në drejtim të Departamentit të Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave dhe kjo reformë e propozuar në detaje përmban rishikimin e sistemit të funksionimit të Drejtorive Rajonale të Kulturës në bazë qarqesh duke garantuar dhe shtimin e kujdestarëve për to dhe të brigadave të mirëmbajtjes".
Ministria e Turizimit dhe Kulturës ka ngritur ndërkohë një tryezë teknike ku po diskutohet rasti i fundit i dëmtimit të afreskut 460-vjeçare, i cili nuk është i pari. Afreskët e kësaj kishe ishin dëshmi e artit mesjetar shqiptar, vepra të ikonografëve të njohur në të gjithë Ballkanin. 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate