04 febbraio 2013

Një familje e çmendur pas sporteve ekstreme....

Luela Myftari - Publikuar më 03.02.2013
Gent Mati, është njeriu i sporteve ekstreme në Shqipëri.
Laura bashkëshortja është instruktore snowboarding. Familjes së udhëtimeve ekstreme i janë bashkuar dhe dy vajzat e vogla.
Kush njeh sportet ekstreme në Shqipëri, nuk ka se si të mos njohë edhe familjen Mati, dhe padyshim Gentin, njeriun e aventurave ujore dhe ajrore. Ai është po aq i çmendur sa edhe babai i tij Iliri i mirënjohur për reportazhet televizive në çdo skaj të Shqipërisë. Këtij delli të jashtëzakonshëm për natyrën, vitet e fundit i është bashkuar edhe Laura, bashkëshortja hollandeze e Gentit. Ata janë njohur gjatë një ekzibicioni me parashutë. Që atëherë ata nuk janë ndarë. Potencialiteti turistik që ka Shqipëria, e ka bindur plotësisht Laurën të jetojë në atdheun e bashkëshortit. Dhe nuk është për t’u çuditur. Në fundjavë familjen Mati mund ta gjesh në të gjithë Shqipërinë. Genti dhe Laura marrin në ekspeditat e tyre edhe fëmijët. Megjithëse në një moshë të vogël, ata tashmë janë pjesë e ekspeditave, ku nuk mungon edhe qeni i tyre Viki, i familjarizuar me lëvizjet e shumta.
Genti si është një ditë e juaja me Laurën. Ndodh që të jeni gjithmonë bashkë?
Jo, ne nuk jemi gjithmonë bashkë. Punojmë në të njëjtën kompani, por nuk qëndrojmë gjithmonë bashkë. Dita rutinë është një paradite në zyrë duke u marrë me organizimet e radhës dhe pasditja në shtëpi me fëmijët. Kuptohet që puna na bashkon edhe në udhëtime. Në raste të tilla marrim edhe fëmijët me vete në mënyrë që ato të mësohen me këtë lloj jetese. Ka raste edhe kur ndahemi në udhëtime apo aktivitete të ndryshme. Kur ndodh kështu, njëri prej nesh qëndron në shtëpi që të kujdeset për fëmijët. Tani, në shkurt, që Laura largohet në Maqedoni, sepse ajo është instruktore snoëbaord-i, unë do të qëndroj me fëmijët. Ajo do të presë një grup që do të vijë nga Hollanda.
Si jeni njohur me Laurën?
Unë jam njohur me Laurën 10 vite më parë.Laura kishte ardhur në Shqipëri për të bërë një kurs parashutizmi dhe gjatë kthimit për në Hollandë u takuam në Alpet e Evropës ku unë punoja si drejtues i një qendre për rafting. Pas kësaj, historia vijoi me takime deri në vendimin e saj për të jetuar me mua në Shqipëri.Tashmë kemi 2 vajza. Lilou është 3 vjeç ndërsa Nika ende si ka mbushur 2 vjeç.
Ishte e vështirë ta bindje Laurën?
Aspak. Ajo është rritur me aventurën. Është e dashuruar me malet, me ajrin, me udhëtimet dhe aktivitetet sportive. Hollanda nuk ka një terren që përmbush dëshirat tona sportive, ndaj edhe ishte e thjeshtë që ajo të vendoste të jetonte në Shqipëri me mua.
Raporti me gjuhën shqipe?
Flet madje shumë mirë. Jam unë ai që nuk di hollandisht.
Të dy keni forma të mira trupore. Mbani dietë?
Jo, nuk mbajmë dietë. Thjesht, përpiqemi të hamë shëndetshëm. Nuk jemi mishngrënës të mëdhenj, por gjithsesi e integrojmë mishin apo peshkun me shumë perime.
Si është marrëdhënia me paratë?
Më së shumti shpenzoj me udhëtimet apo pajisjet sportive. Këto të fundit kushtojnë shumë. Për të tjerat jemi të rezervuar, si unë, ashtu edhe Laura. Nuk shpenzojmë shumë për t’u veshur dhe as shtëpia jonë nuk është luksoze. Kemi një shtëpi dhe veshje të rehatshme.
Pse pikërisht sportet ekstreme?
Gjithçka nisi në vitin 1992, kur im atë braktisi profesionin e tij. Ai nisi të besonte në zhvillimin e një turizmi ekologjik dhe turistik në Shqipëri. Unë, atëherë, isha në hapat e para të këtyre aktiviteteve sportive. Dhe atë kohë pata fatin të shoqërohem me disa të huaj që kishin një eksperiencë shumëvjeçare në të tilla organizime. Filluam që të ndërtonin një si tip biznesi që tani është rritur shumë.
Ju keni vite që jetoni në këtë mënyrë. Edhe për sa kohë mendoni të jetoni në udhëtime “të rrezikshme”?
Do të doja t’i përgjigjesha për së prapthi kësaj pyetjeje. Po them shprehjen e një mikut tim: “gjithçka varet nga reumatizma”. Në punën tonë, ndeshemi me 80 vjeçarë që ecin dhe shëtisin maleve, sigurisht me ritmin e tyre, por që gjithsesi ecin, kështu që premisat për të hequr dorë nga sporti janë shumë të largëta. Këtë vit, ne festuam 20-vjetorin e këtij aktiviteti, ndaj unë kam më shumë se dy dekada që jetoj kështu. Do të jetë e vështirë për mua, largimi nga natyra dhe aktivitetet sportive.
Sportet ekstreme edhe në Shqipëri
Kush është kategoria personave që pëlqejnë sportet ekstreme? Janë më shumë shqiptarë apo të huaj?
Në punën tonë një vend të madh zënë grupe të huajsh që vijnë nga jashtë për të njohur Shqipërinë. Ne në njëfarë mënyre, i tregojmë botës se çfarë vlere ka Shqipëria dhe se sa shumë ofron ajo. Me kënaqësi kemi vënë re se shumë të huaj kanë sjellë grupe të tjerë. Kjo na bën të ndihemi mirë. Shqipëria qenka e bukur! Po me kaq kënaqësi, këto vitet e fundit, po vë re që edhe bashkëqytetarët tanë kanë filluar të interesohen për turizmin brenda vendit. Ky turizëm të njeh edhe me pikat kulturore të vendit tënd, apo të aktiviteteve në natyrë. Mund të them se vizitorët e parë në rafting kanë qenë të huaj që jetonin në Shqipëri dhe që sillnin miqtë e tyre, pra ata që e njihnin këtë eksperiencë. Sot, ka shumë më shumë shqiptarë sesa të huaj që janë të interesuar për rafting. Turizmi që ne organizojmë me bashkatdhetarët tanë brenda Shqipërisë është një turizëm që më së shumti frekuentohet nga të rinjtë. Turizmi i organizuar për turistët e huaj na rezervon një grupmoshë më të madhe që përgjithësisht varjon nga 40 deri në 60 vjeç.
A shpenzojnë shqiptarët për udhëtime turistike?
Jam i sigurt se ata shpenzojnë. Pjesëmarrja është e madhe. Tendenca për të udhëtuar është gjithnjë e më shumë në rritje. Sot, ka të rinj që zgjedhin të largohen nga kryeqyteti çdo fundjavë. Dhe numri i tyre po shtohet gjithnjë e më shumë.
Sportet më të preferuara, rafting dhe parashuta
Cili është aktiviteti sportiv më në modë për momentin në Shqipëri? Çfarë kërkojnë më së shumti shqiptarët?  
Nuk mund ta them me siguri. Aktivitetet sportive mund t’i grupojmë edhe sipas stinëve. Tani më i kërkuari është snowboard-i dhe skitë. Në pranverë ka një vëmendje të madhe për rafting apo udhëtime me parashutë. Në verë udhëtimet me biçikletë dhe parashuta në det janë synimet kryesore. Nëse para disa vitesh mund të dukej e çuditshme shëtitja e një grupi në mal, sot nuk është më një e tillë. Gjatë verës një shëtitje e tillë është shumë e kërkuar.  
I njihni të rinjtë me rreziqet e sporteve ekstreme?  
Ka një rutinë pune, ku ne operojmë si organizues të udhëtimit. Para çdo aktiviteti sportiv u bëjmë një trajnim bazë, qoftë ky një turist i cili mund të ketë eksperiencë në një aktivitet sportiv ose jo. Edhe grupi i parashutistëve ofron gjithnjë trajnim përpara se të fillojë fluturimi. Çdo grup ka një drejtues profesionist që të jep të dhënat bazë për cilindo sport që dëshiron të aplikosh.
Turizmi
“Kemi bileta më të shtrenjta se Mali i Zi”
Si funksionon biznesi i sporteve ekstreme. Është në rritje? Afrohen njerëzit?
Në vitin 1997 pati një ndërprerje të aktiviteteve. Në atë kohë unë gjendesha në Itali, ku merresha me rafting. Kjo ndërprerje zgjati deri në vitin 2000. Shqipëria e lëkundur nuk ofronte në atë kohë mundësi për organizime turistike. Në një farë mënyre ne konsideroheshim si një vend i rrezikshëm, ku trazirat kishin pushtuar çdo cep të vendit. Pas vitit 2000, unë dhe babai filluam të riaktivizoheshim në aktivitete sportive. Rritja e interesit filloi gjithnjë e më shumë pas vitit 2003. Që prej atij viti, nuk mund të them se ka pasur ulje të mëdha. Sigurisht që mund të kemi pasur probleme të vogla, por gjithçka është zgjidhur nëpërmjet një menaxhimi të mirë.
Ju i ofroni turistëve një sërë mundësish, kajak, rafting, fluturime me velë, udhëtime me biçikletë në mal apo ski. Ju vetë i keni provuar të gjitha këto aktivitete sportive?
Po, i kam provuar. Gjithsesi nuk mund të them se unë i ushtroj të gjitha me profesionalizëm. Gjatë dimrit preferoj të bëj ski dhe snowboarding, ndërsa në pranverë të praktikoj rafting. Gjatë verës koha të ofron mundësi të fluturosh. Kam fluturuar me parashutë dhe me velë, jam hedhur nga avioni me parashutë. Kajakun ekstrem mund ta konsideroj si dëshirën time më të vjetër.
Ju vetë ku ndiheni më mirë?
Rafting më ofron më shumë siguri. Jam më profesionist këtu. Është ajo që dëshiroj të praktikoj më së shumti. Është vetë elementi im. Me rafting ndihem edhe më shumë i lidhur, ndoshta edhe pse ndihem si zanafilla e këtij sporti në Shqipëri. Sigurisht, që këtu vlen të theksohet edhe mbështetja e shumë miqve të mi italianë rreth viteve ’90. Unë, aktualisht, bëj guidë rafting nëpër lumenj. 
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=15573&kat=104

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate