19 febbraio 2013

Zbulohet simbolin e Flamurit te Kastriotit "Shqiptare", në afresket e një kishe në Venecia


Studiuesja Lucia Nadin zbulon simbolin shqiptar.
Flamuri i Kastriotit në afresket e një kishe në Venecia
Flamuri i kuq me shqiponjë, pikturuar nga Veronese, është shquar në Kishën e Shën Sebastianit.
Kush ka pasur rastin të vizitojë Venecian dhe mrekullitë e saj të artit dhe të kulturës me famë botërore, dhe i ka rastisur të vizitojë Kishën e Shën Sebastianit, -sipas sugjerimit të ndonjë miku italian, njohës i veprave monumentale të Rilindjes Italiane, zor se ka vërejtur një gjë të rrallë, tejet emocionuese: flamuri që valëvitet në një nga tri hapësirat ovale të tavanit të kësaj kishe,- që tregojnë historitë biblike të Esterit dhe të Mardokut-
Studiuesja Lucia Nadin
paraqet një shqiponjë të zezë në një sfond të kuq; në ditët tona, deri para pak muajsh, ky flamur është konsideruar si flamur i Asburgëve. Në fakt, flamuri asburgas nuk dëshmohet të ketë pasur kurrë një sfond të kuq, por të çelur. Themi deri para pak muajsh, kur Lucia Nadin dha “lajmin” e madh dhe tronditës; jo vetëm për historinë dhe kritikën e artit venencian, por dhe për lidhjen e tyre me historinë, kulturën, me jetën spirituale të Shqipërisë, në bregun përballë, me të cilat ka dhënë e marrë në shekuj…

Nje nga afresket e kishes se Shen Sebastianit ne Venecia, ku nje nga personazhet (rreth) eshte i veshur me nje flamur me shqiponjen dy krenare

Afresk në kishën e Shën Sebastianit, ku shquhet flamuri i Kastriotëve

Studimi
Revista e njohur shkencore, letrare dhe artistike “Ateneo Veneto”, në numrin e saj CXCVIII, seria e tretë 10/II (2011), botoi një tjetër artikull të studiueses veneciane Lucia Nadin. Lajmin e pazakontë, me emocionin dhe modestinë që e karakterizon, Nadin e dha sërish në Shqipëri, këtë herë në Tiranë, kur erdhi- në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë- të përurojë një tjetër libër të saj, “Shqipëria e rigjetur. Zbulime të pranisë shqiptare në kulturën dhe artin e viteve 1500 të Veneto-s”. Sërish në edicionin dygjuhësh, sërish nga “Onufri” (2012). Artikulli mban titullin kuptimplotë: “Sugjerim për një interpretim të ri të pikturave të Paolo Veronese-s në Kishën e Shën Sebastianit në Venecia: Skënderbeg, Miles Christi dhe Kisha e Shqipërisë”. Sipas autores së njohur tashmë edhe në rrethet studimore e kërkimore veneciane, për qëmtimin e temës shqiptare në institucionet e famshme arkivore dhe bibliotekare venedikase, artikulli në fjalë përbën vetëm një ekstrakt, një lloj “parathënieje” analizash e kërkimesh më të thella, në proces, që synojnë t’i kthejnë Shqipërisë një seli arti me vlera të jashtëzakonshme në Venecia: Kishën e Shën Sebastianit, e famshme si vepër monumentale kishtare “autori”. Në të vërtetë, ajo përbën një shembull të rrallë në llojin e saj: një kishë në të cilën të gjitha zbukurimet mbajnë nënshkrimin e një artisti të vetëm: Paolo Caliari, i njohur si “Il Veronese” -një nga përfaqësuesit më të shquar të pikturës venedikase të viteve ‘500, pra të shekullit XVI. Është fjala për një vend simbol- një monument të veçantë të Rilindjes italiane, me famë ndërkombëtare, i njohur si ‘tempulli” i artistit të madh, ku deshi dhe të prehet pas vdekjes. Për fat të keq, një sërë afreskesh, me kalimin e viteve, u dëmtuan rëndë apo u shkatërruan krejtësisht.

Zbulimi

Pikturat e Veronese-s, nga tavani i sakrestisë, në atë të navatës qendrore, si dhe në zonën e rezervuar për murgjit në kuvendin ngjitur me kishën, deri në pikturat me përmasa madhore të presbiterit, u punuan në një kohë dhjetëvjeçare, midis viteve 1555 e 1565. Në të gjithë ciklin festohet triumfi i fesë, i kishës, i Virgjëreshës Maria, përmes një rrëfimi të rrallë të njërit prej martirëve të saj: Shën Sebastianit.
Deri më sot, kritika mbizotëruese e artit e ka njësuar ciklin e pikturave në fjalë, me festime në funksion antiprotestant, të lidhura me ngjarjet e fillimit të shekullit XVI: shpërthimin e protestës luteriane kundër Kishës Katolike dhe luftërave fetare përkatëse.
Një flamur që valëvitet në një nga tri hapësirat ovale të tavanit të kishës, në të cilën rrëfehen përmes pikturave të famshme, histori biblike të Esterit dhe të Mardokut, paraqet një shqiponjë të zezë në një sfond të kuq; deri më sot, ai ishte konsideruar nga kritika e specializuar veneciane dhe ndërkombëtare, si flamur asburgas, i lidhur me ngjarjet e sipërpërmendura. Në të vërtetë, flamuri asburgas nuk provohet të ketë pasur ndonjëherë sfond të kuq, por në ngjyrë të çelur.
Nadin, në tezën e saj sugjeruese dhe sugjestionuese rreth Kishës së Shën Sebastianit dhe të flamurit të kuq me shqiponjën e zezë- niset nga fakti i provuar se ai flamur i përket Skënderbeut, Kastriotëve, i përshkruar nga Marin Barleti që atë kohë; më pas, fakti mbështetet dhe nga Konica, në 1908-n e sërish, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në 1912-n: shqiponja e zezë me dy krerë, në sfond të kuq.
Nadin, me intuitën e studiueses së mprehtë interpreton në mënyrë metaforike ngjarjet e bëmat e Mardokut, që lufton për ngritjen e popullit të tij hebraik, ngjarje të cilat paralelizohen me ato të Gjergj Kastriotit. Nën këtë këndvështrim, Nadin analizon të gjithë ciklin e festimeve të Shën Sebastianit, i cili në një mënyrë të padëgjuar e të panjohur më parë nga tradita e kritikës së specializuar të artit, paraqitet jo si një shenjtor mrekullibërës, por si Miles Christi (luftëtar i Krishtit, shën.V.L.), që përballet me perandorin Dioklecian, të njohur si persekutues i të krishterëve; ai është i vendosur të sakrifikohet e të martirizohet, për triumfin e fesë. Edhe nën këtë këndvështrim, Shën Sebastianit, Miles Christi, i përngjitet në një paralelizëm metaforik, figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i thirrur vazhdimisht nga disa papë, si Miles Christi, mbrojtës i krishterimit perëndimor.

Shën Sebastiani

Përgjatë murit të lartë të navatës së kishës, shihet një kokë dhie: simbol i vështrimit të mprehtë të saj ndër kafshët e Mesjetës, madje, simbol i largpamësisë së Krishtit. Është pikërisht koka e dhisë që do të nderonte kurorën e Skënderbeut, përkrenaren e tij, kur u shpall mbret e prijës i popullit të vet, në vijim të kryqëzatës së dëshiruar nga Papa Pio II dhe që përfundoi tragjikisht, me vdekjen e Papës në Ankona. Pra, dhe një “relikte” e shenjë tjetër, simbol i pamohueshëm i Skënderbeut, një shenjë e sigurt e “pranisë shqiptare” në Kishën e Shën Sebastianit!
Në martirizimin e tij, të paraqitur në pikturat masive në Presbiter, Nadin sheh simbolin e martirizimit të Kishës së Shqipërisë; më tej, në figurën e një personazhi të veçantë, që mban një veshje me shqiponjë dykrenore, ajo gjen personifikimin e familjes Engjëlli, së cilës Papa i Romës i njohu pikërisht në fillim të shekullit XVI, Urdhrin Kalorësiak të Shën Gjergjit. Ishte fjala pra për një familje të përkushtuar në gjetjen e mbajtjen gjallë të kujtesës historike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të kohës. Ky është thelbi i zbulimit dhe i sugjerimit tejet të guximshëm, që Lucia Nadin i bën botës së historisë së artit e të kulturës, venedikase dhe ndërkombëtare, lidhur me praninë shqiptare në Kishën e Shën Sebastianit. Kritika e specializuar pret analizën e plotë të studimit të saj; por edhe kjo “hyrje” mjafton, edhe për një profan në fushën e studimeve jetëgjata dhe asnjëherë përfundimtare, për të kuptuar një të vërtetë të madhe, emocionuese: sërish Venediku, sërish Venecia, sërish një qytetare e shquar e saj, me këtë studim të paraqitur në artikullin e botuar në “Ateneo Veneto”, Shqipërisë dhe shqiptarëve u kthejnë një faqe tjetër, tejet të rëndësishme dhe me vlera të pazëvendësueshme, për historinë e tyre si dhe një seli të jashtëzakonshme të artit, akoma më autentike dhe e paçmuar, sepse lidhet me veprën e njërit prej piktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave: Paolo Veronese. Meqë ra fjala, Veronese e ka për zemër temën shqiptare edhe në piktura të tjera të tij të kohës: Nadin na tregon në “Statutet e Shkodrës” se rrethimi i parë i qytetit u fiksua në kuadrin e njohur të Veronese-s, i vendosur në sallën e Këshillit të Madh në Pallatin Dukal të Venedikut; të dyja rrethimet janë të pranishme edhe në skulpturën që zbukuron fasadën e shkollës së shqiptarëve në San Maurizio, po në Venedik.
Kisha e Shën Sebastianit në Venecia, pikturuar nga Veronese
Kërkimi
Kësisoj, Lucia Nadin vazhdon të ngjallë kureshtje për impenjimin e saj të veçantë prej shkencëtareje dhe, për ata që e njohin, si unë prej më se 20 vjetësh, të japë njërin rast pas tjetrit, edhe për ta admiruar për pasionin me të cilin studion, mbledh të dhëna rreth temash me një rëndësi dhe interes të pazakontë. Jo thjesht si studiuese dhe qytetare e Venecias, jo vetëm sepse tashmë është bërë një “vizitore” e përhershme e bibliotekave, muzeve, arkivave të institucioneve të panumërta të qytetit të saj, në kërkim të vazhdueshëm të gjurmëve, provave, dëshmive që lidhin qytetin e saj me kulturat, qytetërimet, historinë e zonave e vendeve përreth, në mënyrë të veçantë me Shqipërinë e Mesjetës. Për më se 20 vjet, Nadin e njeh nga afër Shqipërinë, në mënyrë të veçantë Shkodrën, ka punuar dhe jetuar në këtë vend, ka zbuluar mjaft dokumente e prova të një qytetërimi të lashtë, dëshmi të rrënjëve mesdhetare dhe europiane të artit, kulturës, fesë, traditave shqiptare në jetën kulturore dhe materiale, etike dhe shpirtërore -të mbetura në harresën e shekujve, por për fat, jo krejtësisht të humbura- nga njëra anë dhe nga ana tjetër, të lidhjeve të shumta që kanë ekzistuar që në kohë të hershme midis dy brigjeve të Adriatikut. E gjithë kjo botë e jashtëzakonshme zbulimesh e gjetjesh të provuara e të konfirmuara nga historia është pasqyruar në botimet e shumta të Nadin-it në Venecia, në Itali e gjetkë dhe në Shqipëri, në formë artikujsh studimorë, librash e analizash të specializuara, në botime, revista prestigjioze me emër dhe reputacion ndërkombëtar. Për t’i bërë të gjitha këto-pa pohuar asnjëherë se tashmë i ka shterur burimet studimore, se e ka kryer misionin e saj, se i ka gjetur disa gjëra të mëdha, se ka shkruar mjaft për to, do të mençura, të vërteta dhe, se shumica e zbulimeve të saj janë rreth temës shqiptare -duhej një pasion e përkushtim i pazakontë kundrejt trashëgimisë me vlera kolosale të kulturës italiane e veneciane dhe- pa asnjë interes apo motiv të posaçëm- edhe kundrejt kulturës shqiptare. Tashmë edhe në qarqet studimore të Universitetit të Venecias dhe të publicistikës, kritikës së artit e kulturës, Nadin njihet dhe si specialiste e historisë së Shqipërisë mesjetare dhe e një pranie shumplanëshe veneciane në jetën shoqërore, kulturore, artistike dhe shpirtërore shqiptare, kryesisht të Shkodrës. Në mënyrë të veçantë, Nadin ka meritën e zbulimit të disa fakteve madhore që i takojnë historisë dhe kulturës shqiptare, të ruajtura me rreptësinë dhe saktësinë e certifikuar tashmë, në arkivat venedikase apo dhe në veprat monumentale të artit, të famshme në të gjithë botën, siç janë pikturat e Veronese-s. Nadin u vlerësua nga Shkodra e saj si “Qytetare Nderi” në 2011-n, me botimin në Tiranë, në një edicion të dytë, dy gjuhësh shqip dhe italisht (edicioni i parë “Viella” 2000, ishte italian, vetëm në italisht) të librit “Statutet e Shkodrës” të shekullit XV, një dokument i cilësuar si monument i Shqipërisë mesjetare…



Rikthimi

Në nëntor, qytetarja veneciane shkodrane, Lucia Nadin, erdhi në Tiranë me një tjetër dhuratë për shqiptarët: një libër me dokumente të jashtëzakonshme të shek. XVI në vijim të gjetjeve të dëshmive madhore për Shqipërinë e dinjitetin e saj, jo vetëm kulturor. Gjeti rastin të flasë edhe për zbulimin në Kishën e Shën Sebastianit, për të cilin po punon… Artikulli i botuar në “Ateneo Veneto” përbën një parathënie, një tezë, vërtet “shumë të madhe për të qenë e vërtetë”, shumë të rëndësishme dhe po aq domethënëse për shqiptarët, për t’u lënë në një heshtje bezdisëse, të pamoralshme, të pamerituar. Nadin trondit një botë të tërë arti, kritike, tradite, venedikase e veneciane e më tej, me sugjerimin dhe studimin e saj të jashtëzakonshëm; ajo që na intereson si shqiptarë është se Nadin me dinjitet e disiplinë shkencore i kthen Shqipërisë lavdinë e Heroit të saj Kombëtar, tashmë edhe si “Miles Kristi” mbrojtës i krishterimit perëndimor, flamurit të tij, privilegjin e simbolit të betejave e të sakrificave biblike në luftë për liri kundër çdo tiranie.
Mendoj se, përpara se të ndjehemi krenarë -si gjëja më e parë dhe më e “lehtë” edhe pse e natyrshme- akoma më përpara se të duam të dimë se kur do ta përfundojë studimin e plotë të këtij zbulimi “bombë” Lucia Nadin, apo se si do ta presë bota kritike e artit dhe jo vetëm e artit këtë zbulim fantazmagorik, opinioni shqiptar në përgjithësi, autoritetet qeveritare, shkencore, akademike, kulturore, institucionet që punojnë për njohjen e Shqipërisë në Europë, për integrimin e saj të plotë e të vërtetë në shtetet e Europës së Bashkuar, të kuptojnë vlerën dhe peshën e një zbulimi me përmasa madhore, të organizohen në një impenjim përfshirës, serioz, dinjitoz dhe qytetar; të mundësojnë krijimin e një grupi studiuesish të rinj, të pasionuar, të aftë për të bashkëpunuar e bashkëstudiuar me Nadinin, për t’u njohur me këto zbulime dhe për t’i bërë ato pjesë të një detyrimi shkollor, universitar dhe pasuniversitar, studimesh e kërkimesh të specializuara, në kuadrin e përgatitjes qytetare të të rinjve tanë, në integrimin në familjen europiane dhe atë globale. Jo vetëm Europa ka nevojë të njihet me prova të pakundërshtueshme (edhe kur këto vinë nga Venecia, Italia fqinjë, e nga studiues të kalibrit të Nadin-it veneciane dhe shkodrane njëherësh), që dëshmojnë se Shqipëria ka qenë europiane në rrënjët e saj, në agimet e qytetërimit, artit, kulturës, fesë, në një marrje-dhënie të ndërsjellë, të vazhdueshme, dinjitoze, me kulturat, qytetërimet e historinë e vendeve fqinje. Këtë nevojë, madje imediate, e kanë shqiptarët: të njohin rrënjët e tyre, të dinë nga vinë e kush janë, të edukohen e të kuptojnë se rritja, lartimi i tyre në kulturë, dije, shoqëri, në të qenit qytetar të rinj të kontinentit plak, të botës së lirë, ndodh si me pemët: ngjiten më lart ato që i kanë rrënjët më të thella. Dhe rrënjët janë e veçanta, e qenësishmja, ADN-ja e çdo kombi; duke njohur rrënjët tona, veten tonë, respektojmë të tjerët.
VJOLLCA LISI

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/02/19/studiuesja-lucia-nadin-zbulon-simbolin-flamuri-i-kastriotit-ne-afresket-e-nje-kishe-ne-venecia/#ixzz2LO0KPJBG

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate