12 febbraio 2013

Rrally ne Shqiperi është thjesht të ngasësh një makinë 4X4 apo motor jashtë asfaltit, Kampioni i Rallyt Shqiptar dhe historia e tij....


Publikuar më 10.02.2013 | 13:48
Luela Myftari
- Edhe në Bllok zbret për kafe me një Toyota të shëmtuar nga balta dhe dëmtimet e vazhdueshme. Ky është Rent Sina, djali i cili duket se e vetmja gjë që di të bëjë më mirë në jetë, është të ngasë makinat në vende të pamundura. Edhe këtë fundjavë e takojmë hipur mbi një objekt të stërmadh. Duket se ndihet rehat. Makinat e vogla nuk i honeps dot. Në fakt e gjithë familja Sina është kështu. Renti është 26 vjeç. Ai sapo ka ardhur nga një udhëtim që realizoi në juglindje të Shqipërisë. Koha nuk i ka mjaftuar për të ndrequr makinën 4X4. Po për të nuk është problem. Në garazh ka 7 të tilla që kushtojnë një Zot e di. Udhëtimet e tij, rrallëherë, qëllojnë të jenë të qeta dhe pa rreziqe. Ato janë shëtitje ekstreme, shëtitje nga ato ku makina të mbushet me ujë dhe baltë. “Pothuajse asnjëherë nuk shkoj në shtëpi i pastër. Unë nuk jam nga ata djemtë e mirë që nuk i hapin punë mamit”, na thotë Renti. Po përtej të gjitha rreziqeve, shpenzimeve, kohës së harxhuar, mundit apo netëve pa gjumë, ai vazhdon ende të shëtisë me një makinë kaba të madhe dhe aspak elegante. Përtej të gjitha vështirësive, që mund të kalojë ai dhe makina, Renti përsëri do ta drejtojë makinën drejt llucit dhe baltës.
Fatmirësisht, nuk ka bërë asnjë aksident që t’i shkaktojë plagë të dukshme, deri tani. Sepse Renti nuk është i çmendur pas shpejtësisë. “Të gjithë ata që mendojnë se Rrally është të ecësh me shpejtësi, gabohen. Rrally është thjesht të ngasësh një makinë apo motor jashtë asfaltit. Duhet shumë teknikë për t’u përballuar me një terren të vështirë”, na thotë ai. Një tjetër vështirësi që Renti ka filluar ta ndjejë kohët e fundit është edhe ana financiare. Na tregon se e ka shumë të vështirë të gjejë sponsorë dhe se ka shpenzuar shumë për të arritur këtu ku është tani. Gjithçka që fiton nga biznesi, që zotëron familja e tij, e shpenzon për të bërë shëtitje të rrezikshme. Shpenzon qindra mijëra euro për makinat që ka në shtëpi. Zbulon se vetëm në garën e Gjermanisë ka shpenzuar 25.000 euro. Edhe pse ka mbaruar studimet në degën e Juridikut, praktika e ka mësuar të bëhet edhe inxhinieri mekanik i makinave të tij. E megjithatë, miqtë dhe përvoja e tij nuk e shpëtojnë dot tërësisht nga shpenzimet, që kërkon ky aktivitet ekstrem. “Ndonjë ditë edhe unë nuk do të kem mundësi të shpenzoj kaq shumë për një garë. Mendo vetëm tre gara në Bullgari, ku vetëm regjistrimi i makinave në një kompeticion të vret ekonomikisht. Fatmirësisht, babai më ka mbështetur”.
Por të qenit kampion nuk është e lehtë. Rentit i nevojitet kohë për t’u përgatitur për garën e radhës. Pas çdo lëvizjeje, garazhi i shtëpisë së tij përballet me copa hekurash, tubash, bulonash, copash e gomash që duhen ndërruar. “Unë punoj gjatë gjithë vitit. Jo vetëm që udhëtoj, por edhe kujdesem për makinat e mia. Ato kanë gjithnjë nevojë që të riparohen. Madje pas çdo udhëtimi.” Sot, në garazh tre makinat e tij më të mira janë krejtësisht të çmontuara. Po t’i shohësh ato nuk duken fare si makina që munde të përballojnë terrene të vështira.
Babai e ka mbështetur, ndërsa nëna jo dhe aq. Renti na tregon se ajo ndonjëherë shqetësohet më shumë se ç’duhet. “Unë gjithmonë i fsheh fotografitë që realizojmë gjatë udhëtimeve. Po edhe ajo gjithnjë i gjen dhe i sheh”, na tregon Renti kur e pyesim se sa mbështetje gjen ai nga prindërit. Na rrëfen se pjesa më e vështirë është të bjerë pak baltë nëpër shtëpi.
Renti është një djalë jo shumë i shëndetshëm, ndaj edhe u bëmë kurioz ta pyesnim nëse ky aktivitet sportiv kishte nevojë për ndonjë peshë e caktuar trupore. Përgjigjja ishte e thjeshtë: “Nuk ka nevojë të mbash dieta, nuk ka nevojë sepse mund të biesh vetë. Më ka ndodhur që në një garë të kem rënë katër kile menjëherë.  Por, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tepërt është i favorshëm.”. Renti na rrëfeu se gjithsesi ai dhe të gjithë ne duhet të ushqehemi shëndetshëm.
Ne i shkëpusim Rentit një nga episodet më të shëmtuara që mund t’i ketë ndodhur gjatë një gare ekstreme. Ai na thotë se në Gjermani iu dogj motori i makinës. Pas një përpjekjeje të madhe për të gjetur një motor që i kushtoi rreth 2500 euro, ai u nis ta ndërronte aty. Ishte natë dhe temperaturat shënonin minus disa gradë pas mesnate.
Mund të na duken ekstreme të gjitha këto eksperienca që Renti na tregon, por ai në siguron që asgjë nuk do ta ndalë atë të mos niset menjëherë pas bisedës me ne, në Malin e Dajtit të zbardhur nga dëbora.
Planet nuk na i tregon. Por një gjë është e sigurt. Renti do të dalë që tani të bëjë një shëtitje ekstreme.

Kampioni i Rallyt, ka më shumë kupa se vite moshë
Rentian Sina, një djalë relativisht i ri për suksesin që ka. Ai është kampioni absolut i Rrally Albania dhe i vetmi shqiptar që ka marrë pjesë në një aktivitet si “Dresden Breslau”. Ky aktivitet zhvillohet çdo vit në Gjermani dhe  është aktiviteti i dytë për nga rëndësia, pas garave “Dakar”. Garat Rrally Albania kanë filluar të organizohen që në vitin 2006. Që prej atij viti, Renti është shpallur gjithnjë kampion. Vetëm në vitin 2011, ai nuk mundi të rrëmbente kupën e kampionit të Shqipërisë. Dhe kjo, jo sepse ai nuk mundi, por sepse ai ndodhej në garën e madhe të Gjermanisë. Është i vetmi shqiptar që ka garuar disa herë në Bullgari, Kroaci, Greqi, Maqedoni dhe Gjermani. Dhe gjithnjë ka qenë pjesë e podiumit të fituesve. Zotëron më shumë se 55 kupa. “Diçka më shumë se 55, por do t’i dyfishoj.” Dhe ka të drejtë të ndihet kampion. Ai duket se është kthyer në një makth për pilotët e makinave 4X4 në Shqipëri. Sepse ai rrëmben çdo kupë që i ofron ky vend.

Në familjen Sina edhe mamaja shëtit me Fuoristradë
Atë e shohim të shëtisë nëpër trafikun e kryeqytetit me një makinë Toyota Landcruiser. Është një makinë e madhe, relativisht e pisët. Ajo nuk shkëlqen, si automjetet e tjera që shohim në Bllokun e kryeqytetit. Nuk është aspak fine dhe në të mund të dallosh ngjitëse që reklamojnë ndonjë vaj makine apo kompani karburanti. Por, Renti është i dashuruar pas kësaj makine. Ai ka në shtëpi shtatë makina, të cilat i përdor për të garuar. Por si të mos mjaftonin shtatë makina të mëdha në shtëpi, edhe pjesëtarët e tjerë të familjes ngasin makina fuoristrada. Sigurisht, që makinat e tyre janë më të pastra dhe më të rregullta se ato të Rentit, që kush e di se sa herë janë përmbytur nëpër ujëra. “Kam rreth 12 vjet eksperiencë që ngas makina të mëdha. Kam nisur të ngas një makinë të tillë, kur isha 14 vjeç, atëherë kur i ngjitesha nga pas babait. Në shtëpinë tonë nuk ka pasur asnjëherë makina të tjera. Mamaja ime ka një fuoristradë, babai dhe vëllai, gjithashtu. Unë jam rritur me të tilla makina dhe ndoshta e kam ushqyer veten që të ngas vetëm makina të mëdha”, na thotë Renti.

Markenting për Rally Albanian
Rrally Albania ka filluar të organizojë gara që në vitin 2006. Renti ka qenë gjithmonë kampioni i Rrally-t në Shqipëri, ndoshta edhe sepse ai e njeh mirë territorin. Ai e ka shëtitur me makinë pothuajse të gjithë territorin shqiptar. Tani në Rrally Albania ka rreth 10 pilotë shiptarë dhe më shumë se 30 të huaj dhe e gjitha kjo vetëm falë Rentit. Kudo që ka shkuar ka reklamuar edhe Rrally-n që ofron Shqipëria. Sipas tij, vendi ynë ka një potencial të madh në organizimin e këtyre garave automobilistike. “Me ardhjen e pilotëve të huaj, vendi ynë ka përfituar materialisht. Unë nuk jam përpjekur të bëj këtë gjë, por jam përpjekur të sjell në Shqipëri pilotë me të cilët konkurrenca bëhet më e fortë. Ka nga ata që vijnë çdo vit, ndoshta edhe sepse i pëlqen që ta shëtisin Shqipërinë”, na thotë Renti kur niset të flasë për garat e organizuara nga Rrally Albania. Ai na tregon se niveli që këta të huaj sjellin në Rrally-n shqiptar i bën pilotët tanë të përgatiten akoma edhe më mirë. Në këtë mënyrë, edhe ai ka dëshirë më të madhe për të garuar.

Suksesi i Rentit quhet vajza austriake Dolly
Shvaczi Team, në shqip do të thotë Ekipi Shpirt. Emrin e këtij ekipi e ka vendosur ko-pilotja e Rentit. Ajo quhet Dolly Ëittberger. Është austriake, por di shumë mirë shqip. Ka gjashtë vjet që jeton këtu dhe që kujdeset për Rentin. Ajo është e pranishme në çdo udhëtim të tij duke filluar që nga viti 2008. E pasionuar pas këtij sporti ekstrem, Dolly nuk e ka të vështirë të zhytet në baltë për të provuar terrenin ku do të kalojë makina. Në këtë ekip bëjnë pjesë edhe Roland Dorazhani, i cili ndihmon në rregullimin e makinave. Ai është inxhinieri mekanik i tyre. Ai është edhe inxhinieri i makinës që e ka nxjerrë Rentin gjithnjë kampion. Inxhinieri elektrik i Shvaczi Team është Gustav Shtjefni. Tani e kemi të qartë se Renti është kampion edhe falë bashkëpunimit me këta persona.  Pilotë të tjerë të këtij ekipi janë edhe Edi Balla, Çim Turbo, Haxhi Kasa dhe Genc Manastirliu të cilët i bashkwngjiten Rentit në garat e vitit. Nuk mund të mungonte fotografi në një ekip si ky. Enkelejd Karanxha është djali që fikson të gjitha momentet e rrezikshme, ato momente ku gjyma e makinës qëndron në ajër.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate