08 febbraio 2013

KOMPOZIMI I AFRESKUT ONUFRI , ricompozohen 4 figura.


Restaurohen 4 shenjtorët e Onufrit
TIRANË - Katër prej shenjtorëve të Onufrit, të dëmtuar në fillim të janarit e këtij viti në Valësh të Elbasanit, janë restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Specialistja që është pjesë e grupit të punës në laboratorin e IMK-së, Edlira Çaushi, tha dje për "GSH" se deri më tani është rikompozuar Shën Gregori, Shën Elena, një aureolë dhe një i shenjtë i paidentifikuar akoma. "Pas ngjarjes, ne shkuam në Kishën e Shën Premtes në Elbasan dhe mblodhëm copëzat e rëna të afreskut. Prej kohësh, një grup prej katër vetash kemi punuar me to dhe përveç atyre që thamë më lart, kemi mundur të rikompozojmë edhe disa aureola të tjera", tha ajo. Sipas Çaushit, problemi është se fragmente që kanë mbetur tani, janë shumë të vogla dhe është e vështirë të përcaktohet se cilës figurë i përkisnin. Deri më tani është kryer 60% e punës që mund të bëhej me to. "Këto 'puzzle' janë gjetur në mes të kishës dhe është e vështirë të gjesh se në cilat pjesë të afreskeve ishin më herët. Ne do të shohim se ç'mund të bëjmë në laborator, pastaj nëse është e nevojshme do të shkojmë sërish në kishë. Pas restaurimit do t'i kthejmë shenjtorët në vendin e tyre", tha Edlira Çaushi dje. Ajo shtoi se vështirësi të mëdha paraqiten sa u takon kanaleve që gjenden përreth kokave të shenjtorëve, sepse ata që i kanë dëmtuar ato, duke mos pasur interes për pjesën tjetër të veprës, i kanë bërë ato shumë të thella. Nga ana tjetër, ato nuk paraqesin rëndësi parësore, për shkak se janë dëmtime në sfond dhe jo në portret. Ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga koha kur ngjarja e ndodhur tronditi opinionin publik, autorët e saj nuk janë vënë ende para drejtësisë. Përkundër rezultateve, policia shprehet se po punon fort. 
Afresket 
Në afresket e Kishës së Shën Premtes në Elbasan u shkatërruan me sqe-par e thikë 8 shenjtorë të Onufrit. 70% e veprës së ikonografit më të njohur mesjetar shqiptar në këtë objekt kulti u dëmtua në mënyrë të parikthyeshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në datën 30 dhjetor të vitit që sapo lamë pas dhe më 4 janar të këtij viti. Ajo u bë publike nga arkitekti e ish-drejtori i IMK-së Artan Shkreli e studiuesi dhe deputeti Auron Tare. Një debat i gjerë publik u bë pas ngjarjes, ndërsa Forumi i Trashëgimisë kërkoi dorëheqjen e ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi. Ky i fundit nuk pranoi edhe pse la të kuptohet se shteti dorëzohet para krimit.

(er.nu/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate