21 febbraio 2013

Ndryshon projekti për bazilikën paleokristiane zbuluar në vitin 2007 S’ka fonde...


Ndryshon projekti për bazilikën paleokristiane zbuluar në vitin 2007. Për shkak të moszbulimit plotësisht të Mozaikut, me kërkesë të kreut të Bashkisë Qazim Sejdini, ky objekt thjesht do të rrethohet me pllaka hekuri, dhe jo siç është diskutuar rreth dy vjet më parë, se do të mbulohej me xham. Grupi i specialistëve që po punon për rrethimin e bazilikës, pohon se projekti për mbulimin e saj me xham ka ndryshuar pasi monumenti nuk është zbuluar ende, por ka edhe mungesë fondesh.“Deri në përfundimin e gërmimeve dhe zbulimin e plotë të bazilikës, ky monument do të qëndrojë kështu vetëm i rrethuar, duke pasur vëmendjen e Bashkisë për ruajtjen dhe mbajtjen pastër të tij”, thotë specialisti i Bashkisë, Abdurrahman Duro. Fondet për punimet e kryera deri më tani në bazilikën që ndodhet shumë pranë Rrapit të Bezistanit, u mundësuan nga Bashkimi Europian, e cila e konsideronte si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Gjithçka për zbulimin e Mozaikut nisi nga një dokument i ruajtur në Muzeun Etnografik, ku një ish-tregtar shkruante se gjatë gërmimit në dyqanin e tij u zbulua një bazilikë. Me iniciativë të drejtorit të Muzeut Kreshnik Belegu, si dhe kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini, nisi zbulimi i këtij Mozaiku, ku përfshihen disa kolona mermeri dhe së fundi një mozaik i shtrirë në një sipërfaqe rreth 5 metra. Bazilika mendohet të jetë pjesë e një objekti fetar apo i një vendi çlodhës të zbukuruar edhe me kolona mermeri. Është i stilit romak dhe është gërmuar në një thellësi nën pesë metra, si dhe gjatësi e gjerësi po pesë metra, brenda së cilës kanë dalë objekte të lashta të historisë së fshehur të këtij qyteti nën tokë.
e Enjte, 21 Shkurt, 2013 | 12:35 pm
Gjatë gërmimeve u zbuluan shtylla mermeri të gjata rreth pesë metra e rrethore me punime dekorative, të cilat janë vendosur në hollin e Muzeut Etnografik të qytetit. Mbi dyshemenë e Bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, e cila tregon që bazilika paleokristiane është shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit të gjashtë, ose në fillimin e shekullit të shtatë të erës sonë. Në vitin 2010, akademiku, si edhe drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, i shoqëruar nga arkeologu Neritan Ceka, vizituan Mozaikun. Baçe deklaroi se po atë vit do të nisnin edhe punimet për zgjerimin dhe restaurimin e bazilikës paleokristiane shumë pranë Rrapit të Bezistanit. Ai shtoi se me një fond prej 200 mijë eurosh, do të ristrukturohej Via Egnatia, që përshkohet brenda lagjes “Kala” si edhe mbulimi i Mozaikut me xham, falë një projekti hartuar për këto dy vlera të trashëgimisë kulturore.  M. Sadiku



Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/02/21/ska-fonde-ndryshon-projekti-i-mozaikut-te-elbasanit/#ixzz2LXtpSR5m

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate