04 febbraio 2013

Shkojmë të luajmë Topangjyrash? Lufta me fishekët me ngjyra për disa është kthyer në një aktivitet të përjavshëm


 Luela Myftari-Publikuar më 02.02.2013 
-Lufta topangjyrësh ose ndryshe Paintball-i ka filluar të aplikohet shpesh e më shpesh nga të rinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm. Tani të rinjtë kanë filluar të paguajnë për të shkuar në një fushë beteje. Për disa ky aktivitet është aq tërheqës sa shkojnë të “luftojnë” çdo javë. Është quajtur Paintball Zone Mëzez, nga Miri dhe Joni, dy miq që kanë katër vjet që merren me këtë aktivitet. Miri na tregon se gjithçka nisi nga dëshira për të luajtur “Counter Strike” në të vërtetë. Të rinjtë e sotëm e njohin shumë mirë këtë lojë kompjuterike. Nuk ka qendër interneti që të mos e ofrojë këtë lojë. Miri ishte aq i pasionuar pas kësaj loje, saqë mori kurajën që ta bënte këtë lojë sa më të prekshme. Në vitin 2007, ai dhe miku i tij, morën përsipër të blinin të gjitha veshjet dhe materialet që i duheshin për këtë aktivitet, në Angli. Pritën një vit për të gjetur një vend të përshtatshëm që do ta përdornin si fushë beteje, një vend larg qendrave të banuara. Paintball Zone Mëzez është vendosur në Mëzez që nga viti 2008. 
Të rinjtë në fundjavë mbajnë radhën për të prenotuar fushëbetejën aty. Ata që nuk lejohen janë fëmijët nën 10 vjeç, të tjerët mjaft të dëshirojnë të luftojnë me disa rregulla që do t’i paraqiten përpara fillimit të luftës. “Në vitet e para të aplikimit të këtij aktiviteti sportiv, ata që ishin vizitorët e përhershëm, ishin të huaj që e kishin provuar edhe më parë këtë eksperiencë. Vitin e parë shqiptarët që e aplikonin luftën me fishekë me ngjyra mund të përbënin 10% të të gjithë vizitorëve. Sot, Paintball është shumë i përhapur dhe më vjen mirë që shumica e atyre që e aplikojnë janë të rinj shqiptarë”, na thotë Miri kur e pyesim se sa e vështirë ishte të krijoje klientelë. Ai na rrëfen pagesa për një lojë të tillë varet nga fishekët që çdokush dëshiron të përdorë gjatë “luftës”. 75 fishekët e parë kushtojnë 1000 lekë, të tjerët më pak. Fishekët janë si qeska të vockla shumëngjyrëshe të cilat kur dalin nga arma nuk të vrasin, pasi secili që hyn në fushën e betejës ka jelek antiplumb. Këta  fishekë bëjnë vetëm pak zhurmë, një zhurmë e cila i fal gjithë kësaj lufte një lloj adrenaline. Loja mbaron atëherë kur mbarojnë edhe fishekët që ti ke blerë.  Miri na tregon se lojërat e gjata janë ato që shkojnë në limitin e 2 orëve. 
Në muajin maj, Miri organizon një kampionat në fushën e betejës. Prej tre vjetësh ky kampionat ka bërë të mundur që grupe studentësh të konkurrojnë me njëri-tjetrin për të marrë titullin kampion. Me bashkëpunimin e Mirit, armët dhe veshjet janë shfaqur edhe në disa videoklipe këngësh. “Për grupe të mëdha të organizuar mirë ne kemi ofruar pajisjet tona edhe në dëborë. Në një godinë të vjetër larg qendrave të banuara, apo në një vend ku pirgjet e dëborës e bëjnë edhe më të bukur luftën, unë dhe miku im kemi ofruar shërbimin tonë”, na thotë Miri kur e pyesim për organizimet më të bukura që ai ka ofruar. Edhe pse shumë i ri , Miri, duke e trajtuar me seriozitet atë çka ai dhe miku i tij ofrojnë, duket se ka tërhequr shumë të rinj që gjatë fundjavave dëshirojnë të shkarkojnë stresin me një aktivitet sportiv. Ai thotë se menaxhimi i këtij biznesi është i vështirë sepse ai duhet të kënaqë shijen dhe sportivitetin e një njeriu që dëshiron të argëtohet, pa marrë parasysh se sa fishekë duhet të blejë këtë muaj, në çfarë temperature duhet të qëndrojnë ato në mënyrë që të mos prishen, ardhjen e tyre nga Anglia apo të qenit i kujdesshëm që në fushën e betejës të mos ndodhë asgjë e papritur dhe e paparashikuar.
Kur e pyesim nëse ai është i pari apo jo në risinë e sjellë në Tiranë, ai na pohon se nuk njeh njeri tjetër që të disponojë të tillë aktivitet sportiv në Tiranë. Miri na siguron se edhe në Pogradec ka një qendër të tillë argëtuese. “Edhe në Kosovë ka hyrë kjo tendencë tashmë”, na thotë ai duke na shpjeguar se homologët e tyre nga Kosova i vizituan ata vjet.
Besmiri mendon se ky aktivitet do të ketë një jetë të gjatë sepse loja kompjuterike që pëlqehet aq shumë nga të rinjtë, e bën edhe më tërheqëse luftën në një shesh beteje të vërtetë.

Bio:
Emri: Besmir Dosti
Datëlindja: 1985
Vendlindja: Korçë
Vendbanimi: Tiranë
Statusi: Beqar
Paintball Zone
Paintball Zone është një ndër aktivitetet më të reja sportive që ka filluar të aplikohet në Shqipëri. Është një lloj lufte me armë që lëshojnë topa me ngjyra. Në fushën e betejës hyjnë dy grupe kundërshtare. Misioni i tyre është të marrin flamurin që gjendet në mes të fushës dhe ta çojnë në kullën e tyre. Secila prej skuadrave ka nga një kullë. Aty ekipi do të kalojnë në mbrojtje të flamurit për tre minuta. Nëse ata arrijnë ta mbrojnë, fillon një betejë tjetër. Barrikadat që ndajnë dy grupet kundërshtarë janë më shumë se 3 metra larg njëra tjetrës sepse arbitri, i cili ndjek lojën nuk ju lejon të gjuani në një largësi më të vogël se 2 metra. Nëse ju po luftoni për herë të parë, mos u shqetësoni sepse dikush do t’ju shpjegojë gjithçka përpara se të hyni në fushën e betejës.
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=15480&kat=108

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate