02 luglio 2016

Vrojtimi i shpendëve, risia e turizmit ekologjik në Shqipëri per 2016

Të ‘armatosur’ me dylbi dhe teleskopë, vizitorët e rinj të ligatinave në Shqipëri synojnë ta kthejnë vrojtimin e shpendëve në një mundësi të dyfishtë; për mbrojtjen e tyre dhe tërheqjen e turistëve të huaj.

Autor: Ivana Dervishi  BIRN  Shkodër REPORTAZH14 Jun 2016
Ornitologu Taulant Bino gjatë vrojtimit të shpendëve në Rezervatin e Velipojës.
Ornitologu Taulant Bino gjatë vrojtimit të shpendëve në Rezervatin e Velipojës.
Ornitologu Taulant Bino ndal hapin dhe mban vesh çdo tingull në peizazhin e mbrojtur të Velipojës. Pasi ka heshtur për disa sekonda, ai kthehet nga grupi i kureshtarëve që e shoqërojnë në ekspeditën e vrojtimit të shpendëve dhe pohon zbulimin e tij.
“Është qukapiku i zi, ndodhet në një pemë rreth 15 metra larg në të djathtë”.
Përvoja dhe pasioni i kanë mprehur shqisat dhe i kanë kalitur durimin Binos-drejtues i Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare, AOS, i cili përmes vrojtimit të shpendëve po projekton një formë të re të eko-turizmit në Shqipëri.
Fundjavën e shkuar, AOS zgjodhi Velipojën dhe Liqenin e Shkodrës, sepse relievi fushor i ligatinave ndërthuret më së miri me atë malor dhe u ofron turistëve më tepër aktivitet. Të pajisur me dylbi dhe teleskopë, grupi i të pasionuarve pas shpendëve synon të tregojë se entuziazmi për zogjtë duhet të shërbejë për mbrojtjen e tyre.
Bino shpjegon se turizmi natyror është një mundësi e mirë për të afruar njerëzit me shpendët dhe për t’u treguar atyre se çfarë tiparesh dhe vlerash ka secili shpend. Ai vlerëson se Shqipëria ka ekosisteme në gjendje të mirë natyrore, ndërkohë që moratoriumi i gjuetisë, infrastruktura dhe qetësia e natyrës e kthen Shqipërinë në destinacionin më të ri të paeksploruar në Europë.
“Vrojtimi është e kundërta e gjuetisë dhe ne duam ta përdorim si sensibilizim për mbrojtjen e shpendëve,” thotë Bino.
Rajoni i Shkodrës është një nga alternativat më të reja të vrojtimit të shpendëve- gjithashtu mjaft i përhapur në lagunën e Karavastasë dhe Nartës, si dhe në luginën e Valbonës. Sipas Binos, një nga asetet e Shkodrës, veç trashëgimisë së pasur kulturore, janë 280 llojet e shpendëve që e kanë kthyer atë në habitat – nga 330 lloje që ekzistojnë gjithsej në Shqipëri.
Ndërsa grupi i shkon më thellë pyllit, nën ajrin e plogësht të zonës së afërt kënetore, ornitologu Bino sqaron se ky mjedis ndërthur më së miri shpendët këngëtarë të pyllit si qukapiku i zi, bengu, mëllenja dhe bilbilthi gushëkuq me shpendët baltakë.
Pas 20 minutash ecje shfaqet kallamishtja e Domnit, më e madhja në Shqipëri. Gjatë komunizmit shumica e kënetave u thanë për t’u kthyer në toka bujqësore, por Domni dhe Rrushkulli mbeten parajsat më të rëndësishme të shpendëve.
Me shkatërrimin e vendmaskimeve të gjahtarëve të paligjshëm, duket se habitati është bërë më i sigurt jo vetëm për banorët me flatra, por edhe për vizitorët e vegjël.
Vrojtimi i peizazhit përgjatë lumit Bunë në Qafë Shtiqën. 11 qershor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN
Vrojtimi i peizazhit përgjatë lumit Bunë në Qafë Shtiqën. 11 qershor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN
Aurora Zylaj, biologe dhe themeluese e Shoqatës Well-Point, që synon mbrojtjen e shpendëve në rajonin e Shkodrës, i tregon shpesh me gisht vajzës së saj shpendët që fluturojnë nga njëra pemë në tjetrën dhe emrat e tyre në shqip dhe latinisht. Ajo shpreson që dashurinë dhe përkushtimin e saj për njohjen dhe mbrojtjen e shpendëve t’ia kalojë edhe brezave më të rinj, në një moshë sa më të hershme.
“Shkodra ka shumë biodiversitet dhe ne duhet të sigurohemi që promovimi dhe mbrojtja e tij të fillojë që nga fëmijët përmes ekskursioneve. Sa herë që del në ekspeditë, mëson gjithnjë e më shumë  gjëra të reja, sepse natyra është e pafund,” tha Zylaj për BIRN.
Liqeni i Shkodrës është një tjetër shtëpi e rreth 30,000 shpendëve folejzues dhe dimërues në rajon. Me një sipërfaqe prej 540 kilometra katrorë në periudhën e reshjeve – më i madhi në Ballkan – ai është kategorizuar si zonë Ramsar, e rëndësisë botërore për shpendët dhe gjallesat e tjera të tij.
“Bimësia nënujore, kallamishtet dhe zambakët e ujit përbëjnë mjediset e rëndësishme të foljezimit dhe dimërimit të shpendëve si kredharaku, bajza, dallëndyshet e detit dhe çafka e përhime”, sqaron ornitologu Bino,ndërsa anija turistike vozit ngadalë nëpër liqen pranë kallamishteve.
“Është shumë e rëndësishme që të ruajmë distancën rreth 50-100 metra nga habitatet, në mënyrë që vrojtimi të bëhet pa shqetësuar shpendët dhe turistët t’i shohin ata në gjendjen natyrale”, shton ai.
Durimi i vrojtuesve shpërblehet kur mbi kokat e tyre fluturon plot lavdi pelikani kaçurrel, shpendi më i madh i Europës, i cili ka filluar të vizitojë edhe anën shqiptare të Liqenit të Shkodrës. Duke parë përmes teleskopit pelikanin e rrallë, një nga vrojtueset, Luçiana Shaba nuk mund ta përmbajë gëzimin dhe i thërret edhe të tjerët të shohin lart. Më pas, ajo nxjerr bllokun e shënimeve dhe fillon të shkruajë të dhënat e nevojshme për turistët që do të sjellë këtu në turin e radhës.
“Vrojtimi i shpendëve në rajonin e Shkodrës mund të kthehet në një nga aktivitetet më tërheqëse të guidave tona të veriut të Shqipërisë,” tha për BIRN Shaba, e cila është menaxhere produkti në agjencinë turistike Sondor, që merret me turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë.
“Ne i shohim burimet natyrore shqiptare si një nga asetet më të rëndësishme të tërheqjes së turizmit hyrës dhe ky aktivitet mund të jetë veçanërisht atraktiv për turistët gjermanë dhe anglezë në Shqipëri”, shton ajo.
Ashtu si Shaba, edhe Bino e sheh mungesën e zhvillimit të vrojtimit të shpendëve në Shqipëri si një mundësi të artë për një treg që mund të krijohet së fundmi. Për këtë arsye, për të dytën herë radhazi, AOS do të trajnojnë në shtator operatorët turistikë për njohjen dhe turet e eko-turizmit si shpendët dhe bimësia.
Duke zbritur nga anija pas ekspeditës së vrojtimit, që i ra rreth e qark Liqenit të Shkodrës, Denik Ulqini, ekspert i mjedisit në Shoqatën për Mbrojtjen e Gjallesave Ujore të Shqipërisë, thotë se shpreson që tërheqja e turistëve të rrisë edhe më tepër ndërgjegjësimin e vendasve dhe të autoriteteve.
“Ka ende shumë punë për të bërë për mbrojtjen e shpendëve dhe gjallesave ujore në Shkodër. Duhet zbatim më i rreptë i ligjit, kufizim i peshkimit të paligjshëm dhe eliminimi i ndotjes nga intertet urbane,” tha Ulqini për BIRN.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate