27 luglio 2016

Shën Trifoni: Një mauzoleum në manastir


Postuar më: 27 Korrik 2016 09:27
kisha 1Sheqishta dhe manastiri i Shën Trifonit… Trifoni nderohet nga kisha si një ndër figurat kryesore të saj, i quajtur edhe Shën Trifoni i Kamsadës, për shkak të origjinës së tij nga Azia e Vogël, kjo figurë e panteonit kristian jetoi përgjatë shekullit III. Shën Trifoni përkujtohet nga kisha në datën 1 shkurt të çdo viti dhe njihet si shenjti mbrojtës i bimësisë dhe pemëtarisë
Nga Ilirjan Gjika
Sheqishtja është sot një nga vendbanimet e shumta rurale, e cila ndodhet 5 km në lindje të qytetit të Fierit dhe bën pjesë nga ana territoriale-administrative në Bashkinë Patos. E përmendur në analet historike qysh në shekullin XVIII, Sheqishtja, dallohet edhe për monumentet e shumta historike dhe kulturore. E tillë është edhe kisha e manastirit të Shën Trifonit. Por e veçanta e saj është se ajo ashtu si shumë kisha të tjera shërben edhe si mauzoleum i dëshmorit Trifon të Sheqishtes.
Duhet theksuar se Trifoni nderohet nga kisha si një ndër figurat kryesore të saj, i quajtur edhe Shën Trifoni i Kamsadës, për shkak të origjinës së tij nga Azia e Vogël, kjo figurë e panteonit kristian jetoi përgjatë shekullit III. Shën Trifoni përkujtohet nga kisha në datën 1 shkurt të çdo viti dhe njihet si shenjti mbrojtës i bimësisë dhe pemëtarisë.
Por përveç këtij shenjti, në Shqipëri nderohet edhe dëshmori Trifon i Sheqishtës. Autori Andrea Llukani, në librin e tij “Krishtërimi në Shqipëri”, thekson se Trifoni i Sheqishtës ishte një nga shenjtët Iliro-Shqiptarë, i cili jetoi në shekullin IV. Ai u persekutua në vitin 313 nga autoritetet romake, duke u varur në një shelg në Sheqishtë. Figura e dëshmorit Trifon është nderuar në Sheqishtë çdo 19 dhjetor, ku ndodhet edhe manastiri me emrin e tij ( Llukani, 2012).
***
Manastiri i Shën Trifonit përbëhej dikur nga kisha, kapela-mauzole, konakët dhe ambientet e tjera ndihmëse. Për ekzistencën e tij na dëshmojnë edhe dokumentet e pronësisë së kishës, sipas të cilave ky manastir zotëronte 90 dynym tokë bujqësore, 4 dynym vreshta dhe 207 rrënjë ullinj (Petrika Shalësi, Gazeta Ngjallja, korrik 1996).
Kisha e “Hyrjes së Shën Mërisë në Tempull” apo e Shën Mërisë është objekti kryesor kishtar i manastirit. Ajo është një bazilikë njënefëshe, e cila përbëhet nga narteksi, naosi, kthina e altarit, absida dhe një portik në pjesën jugore. E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç dhe mbuluar nga çatia me tavan të rrafshët, ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XIX. Këtë e vërteton një mbishkrim që ndodhet në murin jugor jashtë saj dhe mban datën 25 mars 1804 (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 131-132).
Në pjesën veriore të kësaj kishe ndodhet një kapelë e vogël që shërben si mauzoleum sepse brenda saj gjendet varri i dëshmorit Trifon. Të dhënat historike dëshmojnë se lipsanat (eshtrat) e shenjtit u gjendën në 19 qershor të vitit 1847 në pjesën veriore të kishës dhe u vendosën brenda mauzoleut të Shën Trifonit. Këtë e pohon edhe mbishkrimi mbi portën e mauzoleut në të cilin shkruhet në greqisht “Gjetja” dhe jepet data e mësipërme (Popa, f. 129).
Këtë fakt e pohon edhe mitropoliti ortodoks i Beratit në vitet 1855-1887, Anthimi, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër  historik i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, botuar në Korfuz në vitin 1868, faqe 85, shkruan se eshtrat e Trifonit u gjetën në një varr të lashtë të mbuluar me tjegulla.  Po aty, Anthim Aleksudhi tregon edhe sesi u ndërtua manastiri kur shkruan në ligjëratë të drejtë se: Në fshatin Sekishtë të distriktit të Myzeqesë së Vogël mbi një kodrinë dhe në afërsi të një liqeni të njohur me emrin Belina, para rreth njëzet vjetësh, një vajzë e krishterë shtatëvjeçare në mënyrë të përsëritur shikonte në ëndërr një djalë të ri kaluar mbi një kalë, i quajtur Trifon nga vendi “Zoiria” ku i tregonte banesën e tij duke e nxitur të gërmonte për ta gjetur  (Përkthimi: Vasil Nika).
Pas tregimit të vajzës, nën drejtimin e priftit të fshatit, Dhimitrit, u bënë gërmime dhe në thellësinë tre kut u gjetën eshtrat e shenjtit Trifon, të cilat u vendosën në kishën dhe manastirin që u ndërtua me ndihmat financiare të besimtarëve (Alexoudis, f. 85).
Shumë kohë më vonë, pothuajse një shekull, një legjendë të tillë e ndeshi në atë vend edhe studiuesi Toli Shabani. Kështu në fund të viteve 1950, kur punonte si mësues në këtë zonë ai e dëgjoi atë nga një i moshuar në Sheqishtë. Historia bënte fjalë për një bareshë të re që ruante delet në kodrinat përreth fshatit, të cilës i ishte shfaqur në ëndërr një djalë i bukur dhe i armatosur, i cili i gjakosur kthehej nga beteja. Ai iu prezantua si Shën Trifoni dhe në momentin kur ajo e magjepsur prej bukurisë së tij u afrua për ta prekur, ai u zhduk. Atëherë baresha e zgjuar nga vegimi ia tregoi ëndrrën njerëzve të fshatit, që shkuan dhe gërmuan në vendin që u tregoi vajza. Atje ata gjetën eshtrat e njeriut të ëndrrës dhe vendosën që për të përkujtuar atë të ndërtonin manastirin. Gjithsesi, duhet pohuar se deri më tani legjenda për dëshmorin Trifon nuk ka gjetur bazë historike. Edhe Aleksudhi e pranon një fakt të tillë kur shkruan se: “Por mbi këtë interpretim nuk jemi në gjendje të shfaqim  asnjë mendim të sigurt…” (Alexoudis, f. 87)
Ndërkohë që në librin “Krishtërimi në Shqipëri”, thuhet se lipsanat e Shën Trifonit kanë qëndruar në këtë mauzoleum deri në vitin 1967 (Llukani, 2012). Më pas nuk dihet vendndodhja e tyre megjithëse sot një pllakë mermeri brenda kapelës-mauzole tregon vendin ku ka qenë i varrosur dëshmori Trifon. Me mbylljen e manastirit dhe shkatërrimin e tij nga furia ateiste e vitit 1967, kisha dhe manastiri u kthyen në godina për kooperativën bujqësore dhe vetëm në vitin 1991 ato iu rikthyen funksionit fetar të tyre.
***
Kisha e “Hyrjes së Shën Mërisë në Tempull”, e cila shpesh sot quhet edhe kisha e Shën Trifonit ashtu si gjithë kishat e Myzeqesë ka patur të murosura në muret e saj: gurë, kapitele, mbishkrime dhe relieve të marra nga rrënojat e Apolonisë, antike. Një gjë  e tillë duket edhe sot në muret e saj. Ndërkohë që të tjera dëshmi rreth tyre na jep edhe peshkopi i Beratit, Anthimi dhe arkeologu austriak Kamilo Prashniker. E tillë është pllaka me mbishkrimin latin kushtuar Cecilia Venustës. Ajo përmban një dedikim mbivarror që kësaj gruaje nga Bylisi ia bën në shenjë kujtimi i shoqi, Lartidi nga Naisusi. Publikimin e parë të saj e bëri përpara publikut për herë të parë, Aleksudhi, pikërisht në faqen 41 të librit të vet “Vështrim i shkurtër i historisë së mitropolisë së shenjtë të Beratit” (Alexoudis, 1868). I dyti do të ishte  Prashnikeri që do ta botonte atë në librin e tij “Myzeqeja dhe Mallakastra”, pikërisht në faqen 174 të tij ( Praschniker, 1920). Më pas autorë të tjerë do të paraqisnin atë në libra të ndryshëm historikë duke e bërë të njohur imazhet e fotos së kësaj pllakate. Ndërkohë që Aleksudhi theksonte se “Sipas traditës së trashëguar nga banorët të krishterë të atyre fshatrave, Sekishtë, Novoselë e të tjera përreth”, se aty pranë kishte ekzistuar në antikitet një manastir i vjetër dhe se në atë vend ndodheshin gërmadhat e një qyteti të lashtë ku ishin gjetur monedha helene e romake (Alexoudis, f. 86)
Ndërsa Prashnikeri  e hedh poshtë këtë pohim të Aleksudhit kur thekson se “Mua nuk më ka rënë në sy asnjë mbeturinë e lashtë në sipërfaqen e tokës” (Prashniker, f. 99). Por kur e vizitoi manastirin e Shën Trifonit në vitin 1916, kisha e tij iu duk më tepër si një muze i vogël, detajet e të cilit arkeologu austriak i përshkruan gjerësisht përgjatë faqeve të librit të tij.
Kështu në absidën e kishës ai gjeti të murosur një kapitel jonik prej graniti (Praschniker, f. 159) dhe një reliev me përmasa 0.52 x 1.75 m, në të cilin ishin gdhendur në mënyrë gjatësore tre figura burrash (po aty, f. 140-141). Por Prashnikeri na përshkruan edhe disa objekte të tjera. Të tilla ishin një gur varri me përmasa 0.33 x 0.35 m, ku paraqitet një grua me mantel dhe shami në kokë (po aty, f. 134) dhe një tjetër reliev me përmasa 0.70 x 0.80 m, i cili i përkiste zbukurimeve të një tempulli dhe ku janë paraqitur skena ndeshjeje nga aventurat e heroit të mitologjisë, Tezeut
(po aty, f. 141-144).
***
Ndërkohë që ka ardhur koha që si shumë objekte të tjera, edhe kisha e Shën Trifonit duhet t’i nënshtrohet një studimi të gjerë dhe të hollësishëm. Deri më sot aty janë bërë vëzhgime sipërfaqësore nga Aleksudhi, Prashnikeri apo Theofan Popa, i cili botoi mbishkrimet në muret e kishës së tij. Ndërkohë që një gërmim arkeologjik duke përfshirë edhe varrin e dëshmorit do të hapte një perspektivë të re në studimin e objektit dhe do të na çonte në përfundime të rëndësishme. Edhe studimi arkitektonik i shoqëruar me restaurimin e kishës do ta bënte këtë objekt më të vizitueshëm dhe në funksion jo vetëm të turizmit kulturor por edhe atij studimor, aq më tepër kur pranë saj ndodhen të tjera objekte me vlera që e pasurojnë hartën e monumenteve të kulturës në këtë zonë.
http://www.mapo.al/2016/07/shen-trifoni-nje-mauzoleum-ne-manastir/1

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate