TIRANE, 2 Korrik /ATSH- Nikolla Lena / – Të udhëtosh dhe të kalosh një ditë turistike në Voskopojë, për turistin shqiptar dhe atë të huaj sot është krejt normale për shkak të infrastrukturës rrugore të rindërtuar dhe komoditetit hotelerik.
Sa del nga Korça dhe merr rrugën e Voskopojës, prezantohesh me një udhëtim të këndshëm në një rrugë fushore dhe të gjelbëruar me bimët e stinës.
Ky udhëtim fushor zgjat rreth 6 km deri në fshatin Voskop. Këtu panorama ndryshon krejtësisht në një peisazh kodrinor dhe në një rrugë të ndërtuar së fundmi e asfaltuar mirë me gjelbërimin e dendur në dy anët e saj, ku dominon bari jeshil dhe një bimësi e ulët, përmbush standartet e një udhëtimi normal dhe komod që gjarpëron butë nëpër pllajat e bukura e të gjelbëruara, ku ajri i freskët dhe i pastër të grish të ngjitesh më lartë, në kurorën me pishat aromatike. Aty në majë, ku sot e quajnë “Akademia”, nis dhe legjenda, ose më saktë historia e kësaj qyteze.
Një kishë e vjetër, një manastir me emrin e shenjtit-Prodhom. Manastiri i Shën Prodhomit është gërma e parë që shkruan emrin e një qytetërimi dhe të një kulture. Sipas Biblës, Shën Prodhomi është mbrojtësi i udhëve dhe udhëtarëve. Ky manastir në mesjetë ka shërbyer si vend shlodhjeje dhe strehimi për udhëtarë që niseshin nga porti i Vlorës dhe jugu i vendit në drejtim të lindjes- Stambollit. Karvanët e ngarkuar me mall, kalonin përmes Beratit, Skraparit shplodheshin në manastirin e Shën Prodhomit, merrnin bekimin aty për një “udhë të mbarë” dhe çanin përmes Korçës, Selanikut deri në Stamboll. Aty ishte qendra e “botës” së lindjes për kohën.
Aty bëhej tregtia, jepej e merrej. Sigurisht kjo rrugë lindje-perëndim kryqëzohej me rrugën “Egnatia”, që zinte fill nga Durrësi e përfundonte po në Kostandinopojë. “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”.
Roma kishte njëmijë vjet që kishte rënë, më 476 me perandorin e saj të fundit. Roma e dytë, Kostandinopoja ra në vitin 1453 nga këmbëngulja e një djaloshi 22 vjeçar me emrin Mehmeti i-II-të. Ky djalosh bëri atë që nuk mundën ta bëjnë dotë ushtritë moderne evropiane dhe ajo Veneciane disa vite para tij. Kështu që ushtria turke pasi shembi kështjellën e fundit të krishterimit, filloi të shpërndahej në mbare Ballkanin. Të krishterët vrapuan të shpëtonin jetët e tyre dhe të kërkonin strehë ku të mundnin. Legjionet e Romës së vjetër ishin shpërbërë përfundimisht. Popullsia ballkanase filloi shkartisjen e fundit.
Edhe në trevat shqiptare u dukën të ardhurit e parë. Me plaçkat mbi supe, me krrabën në dorë dhe një kope delesh përpara, ata nguleshin ku të gjenin hapësira të lira dhe mikpritje. Voskopoja ishte ideale. Me kodrat e buta e të shtruara, të mbuluara me gjelbërimin e përhershëm, një klimë e lagësht dhe e butë për atë zonë me dimër të ashpër dhe me mikpritjen vëllazërore të vendasve, ata ngritën stanet e para dhe ngelën aty. Shumica ishin pjesë e administratës së herëshme romake që kishin ngelur përgjatë rrugës”Egnatia”. Ruajtën gjuhën, zakonet dhe doket e tyre. U quajtën-a rëmën-pra, të mbetur. Të mbetur nga kush? Nga perandoria bizantine, nga legjionet e herëshme romake.
Ngrohtësia e vendasve u dha mundësinë të integroheshin, të mësonin gjuhën, kulturën dhe t’i bindeshin të zotit të shtëpisë. Ky komunitet të ardhurish, të quajtur a-rëmën, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Voskopojës. Ata u morën kryesisht me blegtori dhe zejtari, filluan kooperativat e para të zejtarëve, hapat e para të kapitalizmit primitiv…
Voskopoja në vite u zhvillua, u begatua dhe u bë një qëndër e rëndësishme e kulturës dhe ekonomisë shqiptare. Vazhdoi të mbetej një kryqëzim i rëndësishëm i linjave tregëtare që lidhnin Evropën me lindjen. Portet e Durresit dhe të Vlorës ishin furnizuesit kryesorë që mernin dhe përcillnin mallrat midis lindjes dhe perëndimit. Njëzetë e katër kishat e saj u kthyen në qëndra të rëndësishme edukimi liturgjik, të ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe, të ruajtjes së trashgimisë kulturore, të dokeve dhe zakoneve. Me bibliotekë, me Akademi, me trotuare me kalldrëm, me shumë artistë-piktore të shquar të kohës si, David Selenica, Kavalioti, Grigori etj, me një popullsi prej 30 mije banorësh e me zejtari, u bë një kryeqëndër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Si çdo gjë e bukur, ajo nuk mund të rronte gjatë. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916.
Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar. Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë një nxitës real konkurence në të gjithë Ballkanin duke dhënë shenjat e para të një kulture paraindustriale që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit. Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën siç ndodhte me sënduqet.
Në një studim gjeografik të botuar në Vjenë, nën kujdesin e Daniel Jeronomakut dhe Gregor Jerodjakut, pohohet se voskopojarët qenë grupuar në 14 korporata, që përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale dhe tregtare; interesante është vërejtja e tyre: “me një fjalë ekziston në Turqi një qytet i pajisur me gjithë sa është pajisur një qytet europian”. Por, duke pasur parasysh se në Perandorinë otomane, profesioni i tregtarit ishte një profesion të krishterësh dhe hebrenjësh, është e kuptueshme që paria e qytetit ishte një pari e krishtere.
Elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit.
Historia dhe rruga e komunitetit vllah në Shqipëri është e lidhur ngushtë me rrugën dhe historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Marrëdhëniet midis vendasve shqiptare dhe komunitetit vlleh edhe sot janë nga më shembullorët dhe nga më unikët. Ato kanë qenë dhe janë marrëdhënie bashkëpunimi dhe bashkëjetese të pa trazuara nga komplekse shoviniste apo megalomanie, komplekse të cilat për fat të keq e kanë munduar jo pak Ballkanin në të kaluarën dhe e mundojnë akoma. Bashkëjetesa shqiptaro-vllahe është nga më shembulloret në Ballkan, nga më të qytetëruarat dhe më të kulturuarat.
Politika e shtetit tonë për minoritetet dhe komunitetet është e tillë që lejon diversitetin dhe shumëllojshmërinë kulturore, gjuhësore dhe fetare dhe kjo është pasuri e çmuar e një kombi dhe një vendi.
Por, le të kthehemi te objekti kryesor i këtij reportazhi-Voskopoja turistike. Kaloi një dimër i ashpër, me shira të shumtë dhe borë të dendur, e megjthatë, Voskopojës nuk i munguan vizitorët e shumtë edhe në këtë stinë.
Pistat e skive, bukuritë natyrore në këto pllaja të shtruara e të mbuluara nga bora, vendet historike, objektet e kultit, kulinaria e veçantë, ndërtimet e shumta hotelerike, bëne që turistët të mos mungonin asnjë ditë. Tashmë jemi në stinën ku Voskopoja vërtet lulëzon. Gjelbërimi dhe ajri i pastër të grishin ta vizitosh. Objektet kulturore dhe ato të kultit gjithashtu.
Një tjetër e veçantë e kësaj zone është kulinaria tradicionale e gërshetuar me jetesën moderne. Amvisat voskopojare kanë shumë punë këtë periudhë. Saçi duhet të jetë i rëndë që të pjekë mirë e me cilësi. Mishrat e pjekur, turshitë, zarzavatet e freskëta e sidomos lakrori i tyre, jane te papërsëritshëm.
Turistët kanë filluar dyndjet e tyre dhe është shumë vështirë të gjesh vend për të kaluar natën, duhet ta pronotosh. M’u desh ta porosit Nasin që sot per te me ruajtur një dhomë për datën 20 korrik. Do më vijnë ca miq angleze e më kërkojnë të shohin Voskopojën e të dinë për pasurite e saja kulturore.
Vizitorët do të gjejnë aty çdo gjë, madje edhe guidatorë që t’i udhëheqin përreth natyrës së bukur dhe veprave monumentale e historike. Voskopoja po mer përmasat e një qyteze, si dikur, si në lulëzimin e saj. Por, ka një merak: sistemi rrugor nuk ipërgjigjet kohës. Rrugët brenda fshatit lenë për të dëshiruar.
Aty shkohet vetëm me makina dhe nuk ka një mënyrë tjetër alternative, kështu që rrugët e mirembajtura janë një ogur i mirë. Voskopoja tashmë është mbushur me vizitorët e përvitshëm dhe ngjan si një parajsë tokësore për natyrën e bukur që ka. /a.ke/
http://www.ata.gov.al/reportazh-te-pushosh-ne-voskopoje-ne-perlen-e-natyres-dhe-djepin-e-kultures/
Nessun commento:
Posta un commento