03 febbraio 2013

Jetoj pa tokën, por jo pa botën nënujore


Publikuar më 03.02.2013 | 15:28
Luela Myftari
Idit Riza është një djalë i zakonshëm në tokë, por që qetësinë shpirtërore e gjen në botën e ujit. Ai është zhytës me patentë dhe qëllimi i radhës është eksplorimi i Detit të Kuq.
Idrit Riza, është zhytës profesionist. Është nga të paktët që ka një patentë të tillë në Shqipëri. Edhe pse më i riu ndër udhëtarët e botës nënujore, dëshira e tij është që këtë aktivitet ta shtrijë në të gjithë vendin. Që në fillim thotë se zhytja në thellësi të mëdha është e rrezikshme nëse nuk ke eksperienca dhe njohuri të mjaftueshme. Iditi i njeh shumë mirë pajisjet që nevojiten për t’u zhytur në det. Ai zotëron dy certifikata nga institucionet e zhytjes në Filipine. Certifikata e parë e lejon të zhytet deri në thellësinë e 20 metrave, ndërsa e dyta i jep liri të plotë dhe e certifikon atë si një zhytës të avancuar. Udhëtimi i parë në Filipine, ka qenë edhe filli i dëshirës për të eksploruar botën nënujore. Pas mësimeve të marra aty, ai u testua për certifikimin e parë. Në verën e vitit që sapo shkoi, Iditi, pas udhëtimit dhe testimit të dytë në Filipine u klasifikua si një zhytës i avancuar. E gjithë praktika nga 2009-a e deri në 2012 ka qenë në brigjet e Jonit. Aty ai ka zbuluar se detet që lagin Shqipërinë kanë potenciale të jashtëzakonshme për të ofruar një shërbim të këtij lloji. “Vendi ynë do të përfitonte të ardhura kolosale, nëse do t’i kushtonte ca vëmendje projektit tim. Malta është një vend afër nesh, i cili ka një përfitim të jashtëzakonshëm ekonomik nga aktivitete sportive si zhytja”, na thotë ai kur e pyesim se sa mund të përfitojë vendi ynë nëse planet e tij realizohen. “Pasione të tilla duket se shqiptarët nuk i njohin, por zhytja dhe eksplorimi i ujërave tanë të bën të zhytesh në një botë, ku harron të gjitha komercialitetet që ofron jeta në tokë. Mund të studiosh gjallesa dhe të shtiresh sikur je një nga ta. Mund të futesh brenda një trageti dhe të gjesh aty makina luksoze”, flet gjithë entuziazëm Iditi. Edhe Jeff Barnicki, një zhytës i vjetër amerikan, që pranoi ftesën e Iditit mbeti i mahnitur nga ajo çka ofron bota nënujore në Shqipëri. Jeff shkroi një artikull për këtë eksperiencë të cilën ia fali vetëm Iditi. “Unë kam punuar në mënyrë vullnetare me një grup zhytësish nga Polonia, për dy vjet rresht, këtu në Sarandë, por udhëtimi me Jeff më ka ndihmuar të kuptoj se si mund të menaxhoj një udhëtim nënujor duke i falur turistit apo edhe vizitorit një përshtypje mbresëlënëse”, flet Iditi për eksplorimin që mundësoi, fillikat i vetëm me zhytësin e vjetër, Jeff nga Porto Palermo e deri në Sarandë. Fakti më interesant që ai i zbulon është se deti Jon, saktësisht Saranda, ka më shumë se dhjetë lokalitete ku mund të gjesh anije apo tragete të zhytur. Një prej tyre është edhe trageti i linjës Korfuz – Sarandë, i cili u mbyt ndërsa transportonte makina. Trageti u zhyt në vitin 2003 dhe sot pas dhjetë vjetësh, Iditi dhe miqtë e tij polakë që vijnë çdo verë në Sarandë e që sjellin çdo vit të tjerë turistë, mund të vizitojnë makinat që ndodhen brenda kësaj perandorie ujore. Ai na rrëfen se aty ka parë makina nga më luksozet si modelet S të Benz-it apo edhe Pegeout. Por për të arritur eksplorimin e një anijeje, diku në 30 apo 40 m thellësi, kërkohet një trup i shëndetshëm dhe përvojë në zhytje sepse përvoja është e vetmja që mund të mësojë teknika. Turistë që lidhen me operatorë nga e gjithë bota mblidhen në bregdetin shqiptar për të eksploruar botën nënujore. Iditi ka qenë këto tre vjet i pranishëm në Sarandë për t’i mësuar apo për t’i udhëhequr drejt lokacioneve që kanë interes dhe me të cilat e ka njohur zhytësi i vjetër Xhemal Mato. Një nga qëllimet e tij është edhe eksplorimi në Detin e Kuq, një vend i cili është më i kërkuari në radhët e zhytësve nga e gjithë bota. “Mendoj se edhe Malta, meriton vëmendjen time, pasi aty mund të mësoj edhe më shumë për menaxhimin e një biznesi të tillë apo për përmasat e përfitimit që të ofron ky aktivitet”, na tregon ai kur pyesim për planet, duke mos harruar që të përmendin dëshirën e tij për t’i eksploruar të gjitha vendet që ofrojnë udhëtime nënujore.  
Jeta
Iditi ka lindur në Tiranë. Studion dhe punon po në kryeqytet. Edhe pse shumë i ri, ai ka vendosur që të përpiqet që tani për të ardhmen e një aktiviteti që pak zhvillohet në Shqipëri. Ai studion për Planifikim dhe Menaxhim Urban dhe aktualisht menaxhon një nga baret e kryeqytetit. Gjatë fundjavës dhe në kohën e tij të lirë, Iditi përpiqet t’i shmanget fluksit që ofrojnë rrugët e Tiranës. Është pjesë e Mountain Bike Albania, një grupim i çiklistëve të rinj, dhe arratiset nga kryeqyteti sa herë të ketë mundësi. Verën e shpenzon në det. Ka dy certifikata që i ka fituar në Filipine. Tani ai është një zhytës profesionist, një zhytës i avancuar. Përvoja e tij në Filipine dhe eksperienca e tij me një grup zhytësish profesionistë polakë i ka dhënë Iditit të drejtën për të menduar seriozisht për potencialin që i ofron Shqipëria në ngritjen e një shërbimi ku vetëm mund të përfitohet.
Emri: Idit Riza
Datëlindja: 6 Mars
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Student, Planifikim Menaxhim Urban
Statusi: Beqar

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate