22 maggio 2013

Zbulohet ekzemplari i rrallë në Berat Maj/2013

Nga: DRITAN ÇOKU
Zbulohet ekzemplari i rrallë në BeratBERAT - Jashtë mureve të kalasë së Beratit, në anën lindore të tij ndodhet kodra e Biftës. Në hapësirën e kompleksit të shërbimit në pronësi të z.Kozma Nova, është zbuluar një enë prej qeramike me një vegje të vogël vertikale, që paraqet një kokë mashkulli (fig.1,2), gjetje rastësore gjatë punimit dhe sistemimit të brezareve të tokës në faqen perëndimore të kësaj kodre ku shtrihet ky kompleks. Përmasat e enës janë: lartësia 17cm, gjatësia 14cm, gjerësia 10cm dhe trashësia e enës 0.8cm (fig.3).
Enët me formë dhe pamje humane u bënë popullore në periudhat klasike (480 p.e.s - 336 p.e.s) dhe helenistike (336 p.e.s - 27 e.s), por prodhimi i tyre pushoi në fillim të shek.I duke filluar më pas në shek.II-III. Ato kanë qenë të njohura në të gjithë Perandorinë Romake. Zhvillimi i zejtarisë në shekujt e parë të erës sonë karakterizohet nga ruajtja e disa formave tradicionale të qeramikës, veglave të punës dhe zbukurimeve dhe nga futja e tipave të rinj në qarkullim në Perandorinë Romake. Kjo përcaktoi edhe një fizionomi të përgjithshme romake perandorake për kulturën materiale të kësaj periudhe, por që diferencohej për tipare të veçanta si vazhdim i kulturës qytetare ilire. Nga kjo pikëpamje, ajo mund të cilësohet si një kulturë provinciale ilire, duke qenë krijim i një etnosi të veçantë në kuadrin e Perandorisë Romake. ( Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, Arkeologjia, shblu, Tiranë, 1998, f.395)
Ekzemplari i Beratit është lehtësisht i dallueshëm nga ato të prodhuara në provincat e tjera romake. Zakonisht në këto enë, bazamenti i tyre është forma rrethore e qafës nën portret, pra, rasti i Beratit është i rrallë. Trajtimi i syve nuk është i thellë dhe me linja të mprehta, madje sytë janë shumë të mëdhenj në raport me portretin. Gjithashtu nuk ka një përcaktim plastik në harqet e vetullave. Duke qëndruar brenda hapësirave të një realizimi të thellë, mjeshtri ka arritur të shpreh gjendjen shpirtërore edhe psikologjinë e portretit. Mendojmë se kemi të bëjmë me një punim lokal. Një tjetër detaj që e bën unik është trajtimi tek flokët që tregojnë tiparet karakteristike të mëtejshme në teknikat e prodhimit pas heqjes së pjesëve nga kallëpi, sepse ishte aftësia e mjeshtrit që me përdorimin e kallëpit ofronte sipërfaqjen e modeluar. Gjatë hulumtimeve që kemi kryer deri tani, si në skulptura të rrumbullakta por edhe në relieve, këtë llojë elementi të stilizuar nuk e kemi hasur në asnjë rast. Por natyrshëm lind pyetja: Detaji i valëzuar që përdoret vetëm në pjesën e përparme të portretit duke mbuluar ballin, i cili zbret nga të dyja anët deri tek nofulla, janë modelim i flokëve apo ndonjë paruke a element tjetër që e bën portretin me një pamje të veçantë dhe disi të çuditshme? A mos vallë me anë të këtij detaji mjeshtri na e bën krejtësisht të dallueshëm në krahasim me portetet e tjera humane dhe do të na shpreh profesionin dhe personalitetin e personit që i është dhënë formë enës? Elementë të tillë mendojmë se mund ta vendoste një magistrat (zyrtar i lartë, i zgjedhur, që drejtonte pushtetin ligjor, administrative dhe ekzekutiv në municipe dhe provincat e Republikës dhe Perandorisë Romake). Zakonisht portretet në këto enë janë shumë skematike dhe në të vërtetë më shumë komike se në shembullin tonë.
Gjatë gërmimeve të viteve 1973-1974 pranë mureve të periudhës qytetare ilire në pjesën e brendshme të tyre në kalanë e Beratit u zbuluan dy varre. Varrimet e bëra pranë mureve rrethuese të qytetit të lashtë të Beratit duhen lidhur, sikurse është vënë në dukje edhe më parë, me ritin pagan, sipas të cilit shpirtrat e fëmijëve të varrosur do të mbronin, bashkë me luftëtarët, kështjellat. (Hëna Spahiu, Qyteti Iliro-Arbëror i Beratit, Mihal Duri, Tiranë, 1990, f.123) Që qyteti i fortifikuar kështjellë ka patur nekropol kjo as nuk vihet në diskutim, sepse në antikitet nekropoli ndërtohet në të njëjtën kohë me qytetet si pjesë funksionale e planit urbanistik të tyre.
Ky ekzemplar përbën një gjetje me shumë vlerë dhe interes për studimin e saj dhe zonës përreth, pasi mendojmë se zona ku është gjetur të jetë nekropol. Enë të tilla prej qeramike me pamje humane deri më tani kanë ardhur në dritë vetëm nga varret. Megjithatë duhen realizuar gërmime sistematike arkeologjike për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj zone e cila do të na ofrojë të dhëna të reja jo vetëm për të mësuar të shkuarën, por dhe për të pasur një portret të plotë të kulturës sonë.
Por, çfarë roli ka luajtur kjo enë prej qeramike me pamje humane? A ka një funksion të rëndësishëm ritualistik, apo janë thjeshtë dekorative? Pavarësisht se objekte të tilla paraqesin pyetje interesante, të cilat do të shërbejnë si një kujtesë se si disa aspekte të së kaluarës mbeten të pakapshme për ne, do të mundohemi të japim mendimin tonë. Gjatë hulumtimeve që kemi kryer, midis shumë enëve të tilla prej qeramike me pamje humane të njohur deri tani, përveç ekzemplarit tonë të gjetur në Berat, një enë tjetër antropomorfe me një vegje, që paraqet kokën e një fëmije e gjetur në arat që ndodhen në fund të fshatit Tren (fig.4), por edhe jashtë hapësirës shqiptare, shumica e këtyre portreteve ndryshojnë në masë të madhe, gjë që na lë të mendojmë se këta ekzemplarë të mos jenë të lidhur me një hyjni të veçantë ose figura kultike.
Paraqitja e një koke në këtë enë prej qeramike, trajtimi me një kombinim të tipareve reale me një stilizim mjaft interesant të pjesës së sipërme të kokës duke realizuar qafën e enës merr funksion praktik. Kjo dhe për vet faktin e vendgjetjes së saj, mendojmë se kjo enë është prodhuar dhe përdorur për ritet e varrimit, në përhapjen e verës ose vajit mbi varrin e një personi të rëndësishëm të lashtë, pastaj ena prej qeramike vendosej në varr.
Trajtimi i këtyre enëve prej qeramike me figura antropomorfe arrijnë të na përciellin prodhimin e ekzemplarëve jo vetëm me vlera të rralla artistike por edhe ato shpirtërore. Përsa i përket datimit të këtij ekzemplari mendojmë se mund të jetë i shek.II-III. Këtu na vijnë në ndihmë jo vetëm gjetjet e tjera në këtë zonë si p.sh: disa fragmente stelash varri, fragmente artistiko-arkitektonike të plastikës dekorative, vegla bujqësore, enë prej qeramike, tjegulla solene, fibula prej bronzi të tipit pincetë me zbukurime të inçizuara në trup etj, por edhe ekzemplari tjetër i gjetur në arat që ndodhen në fund të fshatit Tren. Ky ekzemplar, sipas prof. Muzafer Korkutit i takon shek.II-III të e.re. dhe arsyeja e nxierrjes së këtij përfundimi është mënyra e paraqitjes së flokëve, syve dhe tipareve të tjera të portretit. Nga informatat që ka ai, është gjetur në nekropol. (Muzafer Korkuti, Vendbanimi prehistorik i Trenit, "Iliria", I, 1971, Tiranë, f.45)
Gjëja më efikase në këto momente është studimi i gjurmëve që po lënë këto zona të cilat mund të gërmohen dhe ajo që synojmë të zbulojmë te Berati është pjesa e panjohur e historisë. Qyteti i Beratit duhet të ishte në qendër të diskutimeve për miratimin e gërmimeve që do të bëhen në vitin 2013 sepse arsyet janë të shumta. Theksi duhej vënë tek ky qytet antik me një vazhdimësi jetese të pandërprerë, sepse Berati ka mbetur ende një qytet i pazbuluar dhe që nga viti 1973-1978 nuk janë kryer më gërmime arkeologjike profesionale dhe shkencore. Kur do të jetë Berati, në duart e arkeologëve?!
 

(er.nu/Milosao/GSH/BalkanWeb

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate