18 maggio 2013

Ministria e Kulturës tërhiqet për qiratë e monumenteve maj/2013


Martë, 14 Maj, 2013
Në projektin e rijetësimit, 22 kala e hamame
Pas reagimeve nga ana e opozitës, MTKRS e gatshme për diskutim me të gjitha palët e interesit
Kalaja e Lezhës në gjendjen aktuale
Kalaja e Lezhës sipas projektit të rijetësimit
Pas reaksionit që ka shkaktuar dalja në Fletoren Zyrtare e udhëzimit për dhënien me qira të monumenteve të kulturës, tërhiqet Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve.  Përmes një prononcimi për mediat lidhur me çështjen e rijetësimit të monumenteve të kulturës, MTKRS shprehet e “gatshme” për diskutim me të gjitha palët e interesit. “Duke marrë shkas nga reagimi që ka krijuar kjo çështje në publik si dhe për të hequr çdo lloj mendimi se e gjithë kjo po kryhet në mënyrë të qëllimtë para zgjedhjeve elektorale, MTKRS shpreh gatishmërinë që të procedojë me këtë iniciativë, vetëm pas një diskutimi të gjerë me të gjithë aktorët e interesuar dhe specialistët e fushës së trashëgimisë”, thuhet në komunikimin për media. Sipas projektit të MTKRS-së, këtij procesi “rijetësimi” do t’i nënshtrohen 22 objekte, shumica kala, që nga Berati në Kaninë, si dhe tri hamame. Në bazë të konkurrimit, ato u jepen me qira subjekteve private nga 10-20 vjet. Duke u mbështetur në eksperiencat e mëparshme negative, reaksioni kundrejt këtij projekti, që hidhte hije dyshimi për mënyrën se si do të jepen, kujt dhe ç’destinacion do të kenë, ka qenë shumë i madh.
Opozita
Vetëm pak ditë më parë u publikua udhëzimi i MTKRS-së në lidhje me projektin e shumëpërfolur të rijetësimit të monumenteve të kulturës. Në të sqaroheshin kriteret e konkurrimit, kompetencat dhe afatet, sipërfaqet etj. Reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ana e opozitës, e cila e quan të jashtëligjshëm këtë ndërmarrje. Duke qenë që ky projekt nisi me Kalanë e Lezhës, deputetët e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli dhe Auron Tare, në një konferencë për shtyp dhënë në këtë kala, kanë deklaruar se pas 23 qershorit ajo do t’i rimerret biznesit për t’ua dhënë qytetarëve. Ata kanë denoncuar nismën e qeverisë për “t’i shitur pasuritë e vendit” dhe kanë premtuar se pas zgjedhjeve do të ndalohet shkatërrimi i trashëgimisë kulturore. Deputetët e kanë të papranueshëm vendimin “për të nxjerrë në treg monumentet e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare”.
Reagimi
Pas reagimit të opozitës, ka ardhur dje një kundërpërgjigje nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku thuhet se “në asnjë rast, në udhëzimin e miratuar nga MTKRS, nuk flitet për dhënie me koncesion, shitje apo privatizim të monumenteve të kulturës. Çdo shprehje e tillë është tendencioze dhe me qëllim dezinformimin e publikut për qëllime të pastra apo të papastra elektorale. MTKRS thekson edhe një herë që çdo iniciative e tillë rijetësimi nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë një veprim i njëanshëm i institucionit, por shqyrtohet dhe vlerësohet nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit të Monumenteve, duke garantuar në këtë mënyrë mbrojtjen dhe promovimin e çdo objekti të trashëgimisë sonë kulturore”. Në këtë kuadër është parë e arsyeshme që “MTKRS të procedojë me këtë iniciativë, vetëm pas një diskutimi të gjerë me të gjithë aktorët e interesuar dhe specialistët e fushës së trashëgimisë”.
Lista e monumenteve nxjerrë me qira
Kalaja e Beratit
Kalaja e Shkodrës
Kalaja e Delvinës, Sarandë
Kalaja e Këlcyrës, Përmet
Kalaja e Pogradecit
Kalaja e Kepit të Rodonit
Kalaja e Kardhiqit, Gjirokastër
Kalaja e Libohovës, Gjirokastër
Kalaja e Melanit, Gjirokastër
Kalaja e Borshit, Sarandë
Kalaja e Bashtovës, Kavajë
Kalaja e Porto-Palermos, Vlorë
Kalaja e Kaninës, Vlorë
Kalaja e Plloçës, Vlorë
Kalaja e Peqinit
Kalaja e Ali Pashës, Xarë, Sarandë
Kalaja e Ali Pashës në hyrje të Vivarit, Sarandë
Kalaja e Petrelës, Tiranë
Kalaja e Prezës, Vorë, Tiranë
Hamami i Krujës
Hamami i Durrësit
Hamami i Slatinjës
ALMA MILE
http://www.panorama.com.al/2013/05/14/ministria-e-kultures-terhiqet-per-qirate-e-monumenteve/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate