Nga: FATMIRA NIKOLLI - 04 Maj 2013 - 09:17
Shpella e Himarës në rrezik, fadromat marrin masive gurësh pranë saj! Ky është alarmi që jep për "Gazeta Shqiptare" arkeologu Lorenc Bejko, njëherazi ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Shqetësimi i tij shoqërohet me tri foto, të cilat ilustrojnë më së miri dëmin e madh që po i bëhet monumentit të kulturës, një ndër më të vyerit në vendin tonë me një datim rreth 3000 vjeçar. "Këto fotografi janë 'të freskëta' nga Himara. Tregojnë lëvizje të vrullshme përpara shpellës së Himarës, që është një nga monumentet arkeologjike më të rëndësishme në mes të qytetit", - shprehet Bejko. Nga ana tjetër, ai lajmëron se në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës (pretendohet mbrojtës i trashëgimisë) ka kaluar një projekt...! "IMK miratoi një projekt të paprecedentë për ndërtimin e një lokali brenda në shpellë dhe jashtë saj. Nuk e di nëse këto dy veprime (fadromat pranë shpellës dhe projekti i IMK-së) kanë lidhje me njëra-tjetrën, por është thjesht e pabesueshme!!!", -thekson i indinjuar Bejko. Ky rijetëzimi i monumenteve, kaq i reklamuar si shpëtimtar i trashëgimisë shqiptare prej pothuaj dy vitesh, duket se po iu hap monumenteve një varr modern, qindra vite pas lindjes së tyre! E megjithatë, duhen shtuar radhë-radhë këtu më poshtë, vlerat që ka kjo shpellë, që ndokush të mos e shohë thjesht si shpellë.
Shpella Shpella prehistorike me një jetë të provuar pothuajse 3000 vjeçare, në të dalë të Himarës së Re dhe 70 km në jug të Vlorës, ka emërtuar edhe lagjen Spille, vetëm pak metra larg detit. Identiteti, hershmëria dhe vlerat e jashtëzakonshme historike të Shpellës së Spillesë kanë mbetur në një errësirë pothuajse të plotë, domethënë nuk janë reklamuar aq sa kinse rijetëzimi i monumenteve.
Në vitin 1987, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i dha kësaj shpelle statusin "Monument Kulture, Natyror Prehistorik". Sipas studiuesit Bardhosh Gaçe, ky vendim erdhi me nismën e prof. Aleks Budës. Në hyrje të shpellës u vendos edhe një pllakë. Por, vetëm kaq. Vlerat e jashtëzakonshme historike të shpellës së Spillesë mbetën u zhytën në tisin e harresës.
"Pas viteve 1990-të, njerëz të papërgjegjshëm u munduan ta zhduknin edhe gjurmën e fundit të kësaj shpelle, hyrjen e saj, duke ndërtuar një objekt shërbimi, që do të ishte goditje ndaj vlerave tona", është shprehur në media prof.Gaçe. Por, fatmirësisht pak kohë më vonë, ky objekt u shemb. E, duket se prej këtij precedenti, IMK-ja ka marrë shembull të bëjë një projekt që parashikon restorant, por kësaj radhe, që ideja të mos vidhet komplet, është menduar që biznesi, të ngrihet m'u në zemër të shpellës, e jo në hyrje siç qe njëherë e një kohë.
MITOLOGJIA Sipas Prof.Gaçes, nuk ka askund tjetër një objekt të tillë, me një vlerë të shumëfishtë prehistorike, e përshkruar nga Homeri për protagonizmin e personazheve të antikitetit. "Teksa kthehej fitimtar nga lufta e Trojës në udhëtimin e vet drejt Itakës, Odiseu, një nga protagonistët e kësaj lufte, u ndal këtu në këtë shpellë, ku zhvilloi përballjen e famshme me Ciklopin, banorin e saj"... Prof.Dr. Bardhosh Gaçe, ka thënë se për identitetin e kësaj shpelle, si vendi real ku u zhvilluan këto ngjarje, kanë shkruar të paktën 17 studiues të huaj dhe shqiptarë. Përmend Rilindësit tanë, mes të cilëve, Jeronim De Radën, që e përshkruan të plotë Shpellën e Spillesë, në "Kimerën e dikurshme". "Pas tij, janë eksploratorët arkeologë të njohur, P.Markone në fillim të viteve 1920 dhe Ugolini në fund të viteve 1920, që në përshkrimet e tyre e përcaktojnë identitetin e shpellës si vendi ku u përballën personazhet homerikë", është shprehur, Bardhosh Gaçe.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb
Nessun commento:
Posta un commento