04 maggio 2013

Aleanca LGBT, ekspozitë objektesh në Muzeun Kombëtar maj-2013


 3 Maj, 2013 
Në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar, bash poshtë mozaikut të famshëm “Shqipëria” me gra e burra me pushkë, kazma e lopata, në ndërtim të socializmit, do të varen tri banera të mëdhenj, ku paraqitet një pikturë e mbretëreshës më të folur europiane, Katerinës. Këto banera do të ftojnë publikun të hyjë në muze e të ndjekë një ekspozitë, tërësisht ndryshe nga ç’ka parë holli i këtij institucioni që “konservon” historinë shqiptare, deri më sot. Në datën 13 maj, Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT, në bashkëpunim me The Unstraight Museum (Muzeu Jostrejt) nga Suedia do të hapë ekspozitën e titulluar “Art. 1” (Neni 1). Një ekspozitë ku do të ekspozohen objekte personale të anëtarëve të komunitetit LGBT. Janë objekte në dukje fare normale, një libër, një varëse, një arush, një biletë avioni…, por që kanë një ngarkesë të madhe emocionale për personat, të cilëve u përkasin.
Ekspozita do të jetë pjesë e një vargu aktivitetesh që do të zhvillohen përgjatë dy javësh në Muzeun Historik Kombëtar, por dhe në qendra të tjera. Ky kalendar përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, në përkujtim të heqjes së homoseksualitetit prej Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve të Organizatës Botërorë të Shëndetësisë (OBSh) më 17 maj 1990.
Dy nga objektet që do ekspozohen në “Art 1” në MHK
Ekspozita
Nuk titullohet “Art. 1” vetëm sipas nenit të parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, por edhe për shkak të gjuhës artistike, me të cilën organizatorët kanë zgjedhur t’i flasin botës. Nuk është e ashpër, por reflektive, shumëkuptimëshe. Ekspozita që hapet në Muzeun Kombëtar përbëhet prej dy pjesësh. Pjesa e parë përfshin koleksione nga 6 muze  suedezë, fokusuar në tematikën e homoseksualitetit në kontekstin muzeal dhe të praktikave kuratoriale. Kjo pjesë është e organizuar prej The Unstraight Museum në bashkëpunim me Sëedish Institute (Instituti Suedez), pas inaugurimit të saj në Stokholm në vitin 2008, ka vizituar Letoninë, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë, Kosovën dhe Rusinë. Objektet që do të udhëtojnë drejt Tiranës vijnë nga Muzeu i Policisë Suedeze, Arsenali mbretëror, Muzeu i Nobel-it, Muzeu i Shkencave dhe Teknologjisë, Muzeu Kombëtar i Sportit
Dy nga objektet që do ekspozohen në “Art 1” në MHK
dhe Muzeu i Historisë Suedeze. Kudo që ka udhëtuar ekspozitës i është bashkuar edhe një ekspozitë lokale. Kjo nuk do të mungojë edhe në Tiranë. Në “koleksionin” vendës do të ketë 40 objekte, të cilat do të shoqërohen me historitë përkatëse. “Janë objekte krejt normale që gjithkush i përdor në jetën e tij, por që janë të lidhura me momente, me ngjarje shumë personale. Mund të jetë një biletë, me të cilën dikush ka dalë për herë të parë jashtë vendit, ku ka kuptuar se ç’është liria, një stilolaps me të cilin ka shkruar një letër dashurie, një varëse, një byzylyk i dhuruar në një moment të vështirë. Së bashku me historitë përkatëse ndryshon edhe perceptimi mbi këto objekte”, thotë kuratori Vincent van Gerven Oei. Sipas tij, kjo ekspozitë, përveç mesazhit pozitiv për jetën, është edhe një sfidë ndaj muzeologjisë, mënyrës se si ekspozohet në Shqipëri, për të thyer një traditë ekspozuese heteronormative. Bashkë me objektet, do të rivijë edhe ekspozita fotografike “Kukafshehti”.
Flet kuratori Elvis Hoxhaj
Si e bindëm drejtorin e Muzeut të na jepte ambientet
Elvis Hoxhaj
Kjo nuk është hera e parë që në Tiranë zhvillohen aktivitete kundër homofobisë, por i rrallë është fakti që ekspozita, rreth së cilës do të zhvillohen edhe shumë aktivitete të tjera, si seminare, debate, ndarje çmimesh, etj., do të zhvillohet pikërisht në Muzeun Historik Kombëtar. Dy kuratorët e ekspozitës, Elvis Hoxhaj dhe Vincent van Gerven Oei, tregojnë se nuk ka qenë aspak e lehtë t’ia arrinin qëllimit.
Si arritët t’i bindnit drejtuesit e Muzeut Historik Kombëtar që të hapnit ekspozitën tuaj në ambientet e tij?
Për realizimin e kësaj ekspozite një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur Ambasada Suedeze, e cila u bë edhe ndërmjetëse pranë Muzeut Historik Kombëtar. Takimi i parë me drejtorin e MHK-së, Luan Malltezi, në praninë e përfaqësuesve të Ambasadës Suedeze ishte shumë i thjeshtë. Ai u tregua i mirëkuptueshëm, madje më shumë nga ç’e prisnim. Duke marrë parasysh paragjykimin, por dhe presionin politik, ishim përgatitur t’u përgjigjeshim pyetjeve mbi arsyet pse kishim zgjedhur Muzeun Kombëtar, çfarë do të ekspozonim, ç’objekte ishin etj., por asgjë nga këto nuk na u kërkua, çka vijoi në takimin e dytë pa praninë e përfaqësuesve të ambasadës.
Cili ishte reagimi në këtë takim të dytë?
Menjëherë u vu re një lloj parehatie në bisedë. Për të shpjeguar arsyen pse kishim zgjedhur Muzeun në një farë mënyre na erdhi në ndihmë vetë drejtori i Muzeut, i cili na tha që në këtë institucion ekspozoheshin vetëm objekte të trashëgimisë kombëtare. E në të vërtetë, në mënyrë ironike, tema që trajton ekspozita është pikërisht fakti se jeta e komunitetit LGBT nuk trajtohet si pjesë e kësaj trashëgimie. Muzeu Historik Kombëtar është një institucion që u përket gjithë shqiptarëve dhe LGBT është pjesë e gjithë Shqipërisë.
Si lindi ideja për të ekspozuar në Muzeun Kombëtar?
Ne edhe mund të kishim hapur ekspozitën në ndonjë ambient periferik, por ideja e hapjes së ekspozitës në MHK erdhi nga pala suedeze, për të nxitur reagimin e institucioneve shtetërore ndaj çështjes së këtij komuniteti, sa e fortë do të ishte rezistenca e tyre. Nga njëra anë më mirë që patëm këtë “përplasje”, sepse në të kundërt do të dukej sikur gjithçka shkon shumë mirë, ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Muzeu nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor me ne në këtë aktivitet, duke mos pranuar të vendosë logon e vet në posterat e aktivitetit. Na u tha se po na viheshin në dispozicion vetëm hapësirat e Muzeut, por ne shpresojmë që të jetë fillimi i një bashkëpunimi. Në muajin shtator në Shqipëri do të vijnë dy artistë, që do të punojnë fort me komunitetin për realizimin e një ekspozite.
 ALMA MILE

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate