04 maggio 2013

Vajza e Velave: Edhe erën na e kanë zili...Hapja e sezonit turistik në Velipojë mbledh të pasionuarit pas velave


02.05.2013
Anna Nina është një nga femrat e para shqiptare dhe më e njohura, e cila jetën e saj ia ka kushtuar pasionit për detin   
-Data 1 Maj, përveç ditës së punëtorëve shënoi edhe hapjen e sezonit turistik në Velipojë. Për ta përcjellë sa më mirë këtë atmosferë, kjo ditë u quajt edhe Dita e Velave. “Albanian Water Sports” zbarkoi me pajisjet e saj aty, për t’i uruar mirëseardhjen të gjithë turistëve që do të zgjedhin plazhin dhe rërën e Velipojës. Në këtë ditë, ne zgjodhëm të flisnim me një nga personazhet e rrallë që e ushtron Sportin e Velave në Shqipëri. Ajo është femër. Është marinare dhe quhet Anna Nina. Jetën në Itali e ka filluar duke përgatitur panine dhe tani është… marinare. Ka lindur në një qytet bregdetar si Durrësi dhe lidhja me detin ka qenë më shumë se sa fizike. Deri në moshën 18-vjeçare nuk e kishte menduar se do t’i përkushtohej hapësirës ujore, por kur kaloi për në Itali diçka ndryshoi. Ishte viti 1997, kur Ana kapërceu Adriatikun, por pa vela. E nisi rrugën e emigrimit si shumë “udhëtarë” të asaj kohe, më pas u punësua pranë “Yacht Club Italiano”, klubi më antik i lundrimit në Mesdhe. Muajt e parë fillon punë në kuzhinë. Ambienti ku gjendej e futi në një tjetër botë, atë të velave, duke e shtyrë 18-vjeçaren e atëhershme të ndiqte një kurs gjashtëmujor duke u pajisur në këtë mënyrë me një patentë që e konsideron atë të aftë të drejtojë një barkë me vela. Vitin e kaluar arriti që të organizonte në qytetin e Durrësit një garë me vela, ku morën pjesë të gjithë ata që e duan këtë lloj sporti. Është vazhdimisht aktive duke dashur ta bëjë këtë sport masiv dhe të praktikuar edhe në Shqipëri. Tashmë dihet që ata që marrin velat dhe shkojnë në det, janë njerëz shumë të paktë, sigurisht edhe që kanë mundësi ekonomike, pasi duket që është një pasion që kushton. 
Pse vendose që të bëheshe edhe ti pjesë e velave dhe më pas të vazhdoje një kurs për t’u trajnuar?
 Për herë të parë, me vela kam dalë në det në vitin 1999 dhe aty u dashurova menjëherë. Më pas, dola përsëri. Por isha thjesht një e pasionuar, jo një marinare “me licencë”. Në 2002- in, vendosa që sapo të merrja dokumentet permanente në Itali, do t’i përkushtoja jetën time sportit me vela. U desh të prisja deri më 2004- n, kur mbas një kursi 6-mujor në shkollën e “Beppe Croce” tek “Yacht Club Italiano” mora patentën nautike për barkat me vela, e më pas fillova garat e mia të para. Aty filloi puna ime e re si marinare.
 Cila është lidhja juaj me detin?
 Është një lidhje shumë e fortë, nuk rri dot pa të. Më pëlqen shumë jeta në det, aty gjej veten time dhe vetëm aty ndjehem e qetë. 
Cila është periudha më e gjatë kohore që keni qëndruar në det?
 Deri tani, më e gjata ka qenë 8 ditë, nga Spanja në Greqi, vetëm lundrim. 
Keni përjetuar ndonjë situatë të vështirë? 
Situata të vështira nuk më kanë ndodhur, por ato që ne i quajmë “të zakonshme”: furtunë, rrufe afër barkës, dallgë të larta…. Por të gjitha këto janë normale. Ashtu siç vijnë, ashtu edhe ikin. 
Pse vendosët ta sillnit në Shqipëri këtë lloj sporti? 
Është një sport shumë i bukur dhe do të doja t’i ndaja këto emocione dhe me të tjerë në atdhe, prandaj mendova që duke hapur një shkollë për sportin e velës, mund të fillohet nga fëmijët. Dhe kur ata të rriten, mund të përfaqësojnë vendin tonë në gara ndërkombëtare. 
Cilat janë ambiciet tuaja me këtë lloj sporti, çfarë dëshironi të bëni në të ardhmen?
 Unë do të jem e lumtur atë ditë që flamuri ynë do të ngrihet në Olimpiadë me sportin e velës. 
 Sa zgjat një kurs i tillë?
 Një kurs vele zgjat një javë. Fëmija sillet nga familja e lihet me ne. Prindi rikthehet për ta marrë në fund. Nëse fëmijët vendosin të marrin pjesë në gara dhe duan të bëhen sportistë, atëherë stërviten përditë, me vite me radhë. 
 Jeni ju e vetmja marinare femër në Shqipëri?  
Në dijeninë time, po.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate