24 maggio 2013

Agjencia Kombetare e Turizmit, tur ne Lezhe, Fishte dhe Shengjin nga Daniela Kostandini maj/2013


Nga: FATMIRA NIKOLLI
 Etapa e re e nismës së ndërmarrë nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), "Nise udhëtimin tënd, nga Shqipëria jote", ishte Lezha. Historia e lashtë e qytetit që njihet për një ndër aksionet më të mëdha në historinë kombëtare, "Besëlidhja e Lezhës" dhe trevave përreth, shtyu AKT-në të promovojë bukuritë dhe trashëgiminë kulturore dhe gjithçka të mrekullueshme që mbart në vetvete kjo pjesë e Shqipërisë. AKT mundësoi një tur në rrethin e Lezhës, ku vendet për t'u vizituar dhe për të shijuar janë të shumta. Kalaja e Lezhës, që daton rreth 2000 vjet para Krishtit dhe mbart historinë që nga krijimi i qytetit antik të Lisusit, luftërat e shumta nën sundime të ndryshme e deri sot, është një ndër atraksionet kryesore të vizitorëve vendas e të huaj. Për drejtoren e AKT-së, Brikena Arapaj, qëllimi i këtij turi është promovimi i trashëgimisë kulturore që ka çdo rreth i vendit tonë. "Jemi në Lezhë, një kala që daton që nga mesjeta. Duke qenë këtu, secili nga ne e kupton se çfarë vlerash kemi dhe se sa shumë duhet punuar për t'i promovuar këto vlera. Me zhvillimin e infrastrukturës vitet e fundit, kjo pasuri kombëtare bëhet akoma më e prekshme, jo vetëm nga ne, por për çdo vizitor. Tanimë nuk ka më droje, nuk ka më përtesë, gjithkush mund të vijë dhe të shijojë këtë natyrë të mrekullueshme, këtë kala të vjetër, vendvarrimin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe gjithçka tjetër që ne do të ofrojmë në këtë tur", ka thënë drejtorja e AKT-së. Përveç kalasë, Lezha është shndërruar si një pikë pelegrinazhi edhe për faktin se atje gjendet Memoriali i Skënderbeut. Brenda mureve të Kishës së Shën Kollit evidentohen dy nga ngjarjet më të mëdha të kombit shqiptar. Edhe fshati Fishtë u bë pjesë e këtij turi promovimi, nisur nga fakti se atje ka lindur më 1871 At Gjegj Fishta, prifti françeskan, përkthyesi, poeti, atdhetari, që i ka dhënë shumë këtij kombi. Fshati sot është i famshëm edhe për kulinarinë origjinale dhe të traditës. Një ndër restorantet më të njohura, "Mrizi i Zanave", ka marrë emrin pikërisht nga kryevepra e At Gjergj Fishtës. Kuzhina është tradicionale shqiptare, me produkte biologjike nga fshatarët e zonës. Të shumtë janë edhe turistët e huaj që e zgjedhin këtë restorant, sepse vlerësojnë se ushqimi shqiptar është shumë i shijshëm, por mbi të gjitha bio. Ndërkaq, komuna e Shëngjinit, prej kohësh ka nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik. "Më datën 10 qershor do bëjmë inaugurimin e investimit të bërë, një bulevard 1500 metra i gjatë që e kemi emëruar shëtitorja 'Wilson', në nder të Presidentit amerikan, sepse me Vendim të Këshillit të Ministrave të qeverisë së Fan Nolit, për 15 vite me radhë nga viti 1924 deri në 1939, Shëngjini është quajtur Wilson", rrëfeu kryetari i Komunës, Salvador KAçaj. (e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate