
Në një kodrinë të rrethuar me një pyll lisash, i mbiquajtur “Maja e Seferajve”, ku të ofrohet një pamje e rrallë e Kanioneve të Nivicës dhe malit të Këndrevicës, një shesh i madh i shtruar me pllaka guri dhe i rrethuar nga 5 lisa madhështorë, duhet të ketë qenë vendi i ritualeve të lashta.
Një mur rrethor ku banorët ndezin qirinj apo bëjnë kurban duke spërkatur vendin me gjakun e flive.
Ndoshta ky vend mund të jetë tempulli i fundit ku ende misteri i lisit adhurohet.
Vendi përqark i mbushur me “Gurë Rrufeje” saktësisht një vend ku Zeusi hidhte flakën e tij. Rreth 500 metra larg në 1978 u zbulua statujëza antike e Zeusit të Nivicës, i datuar diku në shek V-IV p.k .

“Ka shumë mundësi që edhe ky tempull të ketë qenë i dedikuar mistereve të interpretimit të zhurmës së gjetheve të lisave të shenjtë nga priftërinjtë e Orakullit të Lisave ,”Selenjtë” që flinin përtokë me këmbët e palara”, shpjegon studiuesi Auron Tare.
Më poshtë këtij tempulli, një vend tjetër i shenjtë është dhe Qisha (kisha) e Vinjës, ndoshta një kapele paleokristiane.
E pamundur të gjesh një tjetër peizazh të mbushur me kaq shumë histori ku shekujt nuk ndjekin njeri-tjetrin, por thjeshtë bashkëjetojnë”, përfundon komentin e tij Tare.
Kurveleshi është një krahinë që jep mundësi për një turizëm në disa fusha si ajo e natyrës, turizmit malor, kulturor, historik dhe të traditës. Por deri më sot kjo krahinë pothuajse ka mbetur e pa zhvilluar në këtë fushë.
Kjo për arsyen se ajo është një zonë tepër e thellë në zemër të Labërisë. Infrastruktura rrugore është e vështirë dhe mundësitë e lëvizjes janë të kufizuara. Ka disa mundësi të futesh në Kurvelesh, nga Tepelena, Gjirokastra, Vlora dhe Borshi.

Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si: gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike si ajo e Progonatit, e Golemit etj, ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore. Kanionet e Nivicës kanë filluar të shfrytëzohen nga turizmi i aventurës dhe i sporteve të ujit.
Kurveleshi i Sipërm, në pikëpamjen natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si: Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar
apo edhe Qafa e Kreshtës. Ky pozicion gjeografik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të vendasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore sa më autoktone. Burimet e jetesës për këtë zonë janë kryesisht blegtoria dhe pemtaria. Tokat bujqësore janë të pakta dhe në vështirësi për tu ujitur.

Kjo krahinë me një histori në mbrojtjen e gjuhës amëtare dhe të territoreve të saj, akoma ka problem të zhvillimit dhe të prezantimit të traditës dhe kulturës së saj te vizitorët e huaj që duan të njihen me të. Kjo për shkak të infrastrukturës rrugore të vështirë. Por zbulimet e fundit në fushën e trashgimisë kulturore, të historisë së herëshme të vendbanimeve, gjetja dhe reklamimi i objekteve të kultit pagan të riteve dhe flijimeve, do ta bëjë këtë zonë më të ekspozuar përball turizmit të historisë dhe kulturës së jetesës./m.m
https://www.ata.gov.al/tempujt-pagan-te-zbuluar-ne-zonen-e-kurveleshit-shtojne-turistet/?doing_wp_cron=1473876686.3543269634246826171875
Nessun commento:
Posta un commento