TIRANË, 2 Shtator / ATSH-N.Lena / – Llënga, një fshat në malësitë e Pogradecit, në zonën Mokër-Gorë në kufi me Korçën, me resurse të plota turistike, sot eshte e pa shfrytëzuar.
Fshati ka patur një popullsi që fliste dikur një idiomë latine (vllahofone) dhe kjo me sa duket, mbasi ka qënë në buzë të trasesë së rrugës së dikurshme Egnatia që ravijëzuan në Ballkan romakët. Fragmente të kësaj rruge gjenden sot te ura e Golikut, në Proptisht, ura e Tereziut, ura në Luginën e Llëngës dhe ura e Niçës, një tjetër fshat ky vllahofon i asaj zone.
Pjesë të Egnatias duken edhe në Bërzeshtë dhe Xhyrë të Librazhdi, e më tej në Elbasan e deri në Durrës.
Në Llëngë kjo rrugë duket qartë tek shënjat e mbetura, siç janë gurët e mëdhenj që gjenden në Grykën e Llëngës, pranë Luginës së lumit Shkumbin.
Thuhet se nëpër këtë rrugë ka kaluar edhe Shën Pavli, e për rrjedhojë edhe nëpërmjet Grykës së Llëngës për të dalë nga tema e Maqedonisë për në temën e Ilirikumit, gjatë misionit të tij për përhapjen e krishterimit. Kjo mbetet akoma një gojëdhënë.
Në afërsi të fshatit Llëngë ndodhet kanioni i Llëngës, ose sic quhet edhe ndryshe “Gryka e gurit”, e cila është e gjatë 1 km dhe 15 deri 20 e gjërë.
Ajo përbën një bukuri të rrallë me shpate mali që bien thikë në një lartësi rreth 50-60 m mbi hullinë e kanionit. Gjithashtu, një reliev të ngjashëm ka edhe një tjetër kanion më i vogël përsëri në afërsi të fshatit Llëngë. Së fundi përmëndim edhe se në pyjet e malësisë së Llëngës gjenden arinj me lëkurë kafe.
Ndërkaq, në një majë dominuese mali, në veri të Llëngës ndodhet kisha edhe manastiri i Shën Marenës, një godinë e vogël, por brenda saj ka një ikonostas të bukur me motive floreale, por edhe afreske të pikturuara prej Konstandin Shpatarakut.
Llënga ka qënë një fshat tërheqës për vizitorët, historianët dhe kuriozët e kulturës, traditës dhe arkeologjisë. Po ashtu, në këtë fshat gati të braktisur edhe sot ka vizitore të natyrës dhe traditës. Në këtë zonë ushtrohen edhe sporte e ujit nga aventurierët e thellësive shkëmbore.
Megjithë resurset e veçanta turistike të Llëngës, ai sot është një fshat I braktisur dhe I lënë në harresë, që nga infrastruktura rrugore deri te investimet e tjera për ta kthyer atë në një zonë të mirëfilltë turistike. /a.ke
https://www.ata.gov.al/llenga-nje-bukuri-turistike-dhe-kulturore-e-harruar-mes-maleve/
Nessun commento:
Posta un commento