TIRANË, 17 Shtator / ATSH- N. Lena / – Vetëm dy orë larg nga Tirana ndodhet Gjinari, fshati përrallor i Elbasanit, që po kthehet në një nga destinacionet turistike më të preferuara kohëve të fundit.
Një pyll i dendur me pisha që formon një kurorë mbreslënëse, dimër e verë rrethon fshatin malor.
Kjo natyrë e bukur turistike ndodhet në juglindje të Elbasanit dhe shtrihet në zonën e Shpatit.
Pjesa malore e kësaj krahine, që fillon nga fshati Shelcan e deri në Jeoronisht, quhet Shpati i Parë dhe përbëhet nga dy komuna Gjinar e Zavalinë.
Pika turistike Gjinar është shpallur e tillë në vitin 2001, por lidhja e saj me rrugë të asfaltuar me qytetin e Elbasanit, që kap një gjatësi prej 22 km, e bën shumë funksionale dhe të afrueshme për çdo turist.
Sapo futesh duke udhëtuar në fshatin Derstilë, ndjehet aroma karakteristike, tipike e bushit që ndodhet mbi rrugë dhe pas disa minutash, të shfaqet para sysh peisazhi i bukur me pisha, që prezanton dhe qëndrën e komunës, e më pas vazhdon shpateve të lartësive. Ato që që ia shtojnë bukurinë këtij relievi janë sheshet e gjelbëruar nga bari i lartë.
Në një ditë të bukur me diell, në perëndim, syri të kap një shtrirje deri në vijën bregdetare të Adriatikut.
Por, Shpati nuk është vetëm një vend me natyrë të bukur për turizmin e peisazhit, të sporteve, të ngjitjeve dhe të vëzhgimit, por edhe i turizmit kulturor. Këtu ka shumë objekte me vlera historike e kulturore, objekte kulti që ia vlen t’i vizitosh si turist apo vizitor ditor.
Kisha e Shën Kollit në Shelcan është njëra prej objekteve që të bën përshtypje.
E ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar nga Onufri më 1554. Aty mund të shikosh afreske murale, që u kanë shpëtuar dëmtimeve të kohës dhe tregojnë Krishtin me figura të tjera hyjnore.
Kisha e Shën e Premtes në Valësh është një tjetër destinacion për turizmin kulturor. Ajo është ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar po nga Onufri (1554) në stilin bizantin me portretet e Platera (Shën Marisë), shën Germanoi i Kostandinopojës, Dhiakon Laureti, shën Grigor Theollogu, Kryedhiakon Stefani, tablloja e lindjes së Krishtit në shpellë, etj. Në mur pikturat shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.
Po këtu ndodhet dhe varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës) , piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767. Disa ikona të përmendura janë Shërimi i Islokut, ikona e Krishtit, e “Karl Topisë” e “Shën Marisë” etj. Ky është piktori që u martirizua nga forcat osmane me prerje të kokës, 100 m në perëndim të Namazgjasë në Elbasan. U varros në fshehtësi nga bashkëfshatarët në vendlindje, në Valësh. Qysh atëherë e deri më sot e përkujtojnë çdo vit më 21 shtator, duke e vetëshpallur shejtor.
Kuriozë të apasionuar pas relikeve artizanale mund të gjejnë dhe të vizitojnë në këtë zonë derstilat artizanale në shfatin Dërstilë. Janë mekanizma që punojnë me forcën e ujit dhe ruajnë plotësisht origjinalitetin shekullor. Përpunojnë me rrahje e zhytje pëlhurat e leshta që bëhen në vegjë tezgjah. Me ato përgatiten guna, velenca, batanije leshi, qylyma etj. Një vizitor i sotëm i kohëve moderne, habitet me funksionimin e tyre dhe se si ato kanë mbërritur deri tani.
Një tjetër monument i natyrës aty është dhe Dushku i madh i Gjinarit, pranë kishës së fshatit. Nën hijen e këtyre lisave ka filluar të mësohet dhe Abetarja e parë Shqipe nga patriot si Hysen Ceka, që i veshur me kostum shpatarakësh, nëpër krahinën e Shpatit, mblidhte në hijen e këtyre lisave, fshatarë e barinj, u dhuronte nga një abetare dhe u mësonte shkrim e këndim.
Në Gjinarin e Shpatit, çdo ditë ngiten turist e visitor të shumtë për të admiruar natyrën dhe peizazhin,kulturën dhe traditën popullore,veprat e artit në objektet e kultit të ruajtura prej qindra vjetësh,për gastronominë dhe gatimin e veçantë të zonës…e shumë gjëra të bukura që ofronë zona e Shpatit.
Rruga është e asfaltuar dhe jo shumë largë Tiranës dhe Elbasanit. E veçanta e kësaj treve është dhe gastronomia tradicionale, mishi i kecit në hell dhe zogjt e fshatit në saç. Po kështu, vera dhe rakia e shijshme e kumbullës. Këtu çmimet janë tepër të leverdisshme edhe për arsyen se janë prodhime vendase dhe të gatuara po nga vendasit. Edhe çmimet e hotelerisë jane tepër e arsyeshme për ata që duan të kalojnë aty një natë apo disa ditë. Gjinari është një tjetër mrekulli e natyrës shqiptare. /a.ke
https://www.ata.gov.al/mrekullite-turistike-te-gjinarit-ne-shpat/
Nessun commento:
Posta un commento