07 settembre 2016

Bazilika “Fjetja e Hyjlindëses” në Ballsh dhe Peshkopata e Gllavenicës


BAZILIKA
NGA MELSI LABI
Bazilika e Ballshit ka qenë qendra më e rëndësishme e antikitetit të vonë dhe e mesjetës në Episkopatën e Gllavenicës. Bazilika ka qenë kishë manastiri, së cilës kohë pas kohe i janë shtuar mjedise ndihmëse. Fillimisht bazilika është ndërtuar në shekullin VI dhe ka pasur dy faza rindërtimesh, në shekullin XI dhe në shekullin XII. (A. Meksi, Arkitektura Paleokristiane në Shqipëri, Monumentet Nr 2/1985 (30), fq. 21). Kisha është e tipit bazilikal trenefëshe me narteks dhe eksonarteks. Bazilika ka përmasa 22.50×17.20 metra. Secila nga nefet përfundon me apsida, dy në formë gjysmërrethore, ndërsa ajo e qendrës është trefaqëshe. Brenda absidës gjendet një podium me tri shkallë. Narteksi lidhej me naosin nëpërmjet dy portave, ndërsa një portë e tretë lidhte kishën me paraklisin. Muret e bazilikës janë ndërtuar me gurë të skuadruar të lidhur me llaç të kuqërremtë me breza tullash. (A. Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, fq. 26-27).
Për ndërtimin e kishës janë përdorur materiale nga kishat paleokristiane të Bylisit, si pjesë kolonash, kapitele, pilastra, bazamente etj. Një ndër elementët arkitektonikë paleokristianë që janë gjetur në kishën e Ballshit është një kolonë monolite, në të cilën është gdhendur vertikalisht mbishkrimi i Pakatianoit. Mbishkrimi është zbuluar në vitin 1904 nga profesori i Universitetit të Vjenës, Karl Patch. Ai është gdhendur në një pilastër monolit prej mermeri të bardhë. Pilastri është zbukuruar me vile rrushi dhe gjethe hardhie, të cilat janë gdhendur me mjeshtëri. Ajo ruan gjurmë që tregojnë se dikur ka shërbyer si kolonë e vendosur në anën e djathtë të hyrjes të një altari. (K. Zheku, Gllavenica dhe problemi i lokalizimit të saj, Monumentet, Nr. 2, 1987, fq. 97). Anët e gurit janë të zbukuruara me ornamente florale. Në faqen kryesore gjendet një kornizë e gjerë me dhëmbëza dhe një shkop margaritarësh kufizojnë një fushë të ngushtë. Poshtë gjendet një ornament hardhie i stilizuar me dy zogj të vendosur në mënyrë simetrike.
Kuptimi i këtij mbishkrimi është: -Pakatianoi duke iu lutur Zotit së bashku me gruan e tij Aglaia dhe të bijën Pakta, ia kushtojnë këtë kishë Shën Andreas. Gjithashtu si materiale ndërtimi janë përdorur shtylla me mbishkrimin e kthimit të mbretit Boris në krishterim (Shek. IX) dhe epitafit të Robert de Monteforte (Shek. XII), si edhe mbishkrimet e Viktorinit. Katër blloqet me mbishkrime paleokristiane janë sjellë nga Bylisi në Ballsh për t’u përdorur thjesht si gurë ndërtimi. Mbishkrimet e skalitura në gur janë zbuluar nga arkeologu Skënder Anamali gjatë gërmimeve të viteve 1975-1983. Përmbajtja e tyre është: 1. O i huaj, mos hiq shikimin tënd nga bukuria e Bylisit, në muret rrethuese, dikur krejt të rrënuara, tani na i rindërtoi Viktorini guximtar. 2. Me providencën e Perëndisë dhe të Hyjlindëses Virgjëreshë, duke i shërbyer drejt qëllimit e mënyrave të veprimit të Justinianit, sundimtarit shumë të fuqishëm që ngriti kështjellat e Myrisë, Skythisë e territorit të Ilirikut, si dhe të Trakisë, vetë Viktorini njeri me aftësi strategjike i ndërtoi me përvuajtëri e devocion muret rrethuese të Bylisit.
3. S’ankohem më e nga barbarët s’kam frikë, sepse gjeta te Viktorini i Madh një që më ndërtoi me duart e tij. 4. Kurrë s’do t’u dorëzohet hendeqeve të harrimit, emri i Justinianit shumë të fuqishëm, as koha e gjatë e pallogaritshme, duke ikur, s’do t’i mbulojë dot mundimet e Viktorinit, virtytet e të cilit janë ngritur lart me mburrje. Mbishkrimi i parë ka humbur gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërsa tri mbishkrimet e tjera u zbuluan në gërmimet e vitit 1983 dhe aktualisht gjenden në Muzeun Arkeologjik të Tiranës. Nga mbishkrimet e mësipërme del qartë se Viktorini ka bërë vetëm rindërtimin e mureve të Bylisit. Viktorini ka qenë arkitekt i njohur për fortifikimet ushtarake. Ai portretizohet me epitete si “guximtar”, “i madh”, “me aftësi strategjike” etj. Poezitë janë bërë në harkun kohor ndërmjet viteve 549-550. (M. Zeqo, Hulumtime Arkeologjike, Albanopol, Tiranë 2009, fq. 134-135).
Në pavijonin e lashtësisë së Muzeut Historik Kombëtar gjenden një pilastër dhe një hark nga bazilika e Ballshit. Në faqen ballore të pilastrës është gdhendur një enë me grykë të hapur, prej së cilës dalin dy bisqe rrushi. Këta formojnë dy medaljone. Në të parin paraqitet një zog me një vesh rrushi, ndërsa në të dytin paraqitet një gomar duke kafshuar një kokërr rrushi. Harku është i punuar prej mermeri të bardhë. Në faqen e përparme të tij janë skalitur katër breza, të cilët kanë motive të ndryshme. Dy brezat e sipërm janë një radhë dhëmbëzash dhe një radhë litari. Rripi qendror ka si motiv lulen e palmës, e cila është e rrethuar nga dy bisqe që dalin nga fundi i saj dhe duke u ngritur formojnë një rreth. Pjesa e poshtme ka trajtën e një drapri hëne. Në dy anët e një kryqi të vogël zhvillohet nga një degëz e valëzuar dhe hapësirat e formuara gjatë valëzimit janë mbushur me figura gjysma palmetash. Në afërsi të kishës Fjetja e Hyjlindëses në Ballsh qenë konakët e manastirit, të cilët përmenden në një dokument të vitit 1019 të perandorit Vasili II. Ky i fundit i njihte të drejtën manastirit të rrethohej nga një mur i lartë, i cili e mbronte atë nga sulmet e armiqve. (N. Ceka, S. Muçaj, Bylisi, Migjeni, Tiranë 2004, fq. 104).
PESHKOPATA E GLLAVENICËSNë lidhje me përcaktimin e peshkopatës së Gllavenicës, nga studiues të ndryshëm ka pasur mendime kontradiktore. Theofan Popa e lokalizon Gllavenicën në Ballshin e sotëm. (Th. Popa, Glavenica e lashtë dhe Ballshi i sotëm, Studime Historike, Nr. 2, viti 1964, fq. 240). Ky version u përforcua nga gërmimet arkeologjike të Skënder Anamalit në vitin 1980. (S. Anamali, Bazilika e Ballshit, Iliria, Nr. 7-8, 1977-1978, fq. 301-306). Ndërsa në vitin 1987, Koço Zheku e lokalizoi Gllavenicën në Bylis. (K. Zheku, Gllavenica dhe problemi i lokalizimit të saj, Monumentet, Nr. 2, 1987, fq. 97). Gllavenica përmendet në mbishkrimet e shkruara në greqishten e vjetër me emrin ÊåöáëçíéáÊåöáëïíéá, ÃëáâçíéôæáÃëáâåíéôæá prej shek. IX e deri në vitin 1751. Dokumenti më i hershëm mbetet zbulimi i një mbishkrimi në rrënojat e kishës së Ballshit, i cili bën fjalë për kthimin e mbretit Boris në fenë e krishterë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, një oficer austriak i quajtur Kamilo Prashniker zbuloi në Ballsh të Mallakastrës një mbishkrim në greqishten bizantine të gdhendur në një shtyllë mermeri të lartë 1.60 metra: …åâáðôßóôç ï áñ÷ùí Âïõëãáñåßáò Âïñçò ï ìåôïíïìáóèåßò Ìé÷áçë óõí ôù åê È(åï)ý äåäïìåíù áõôù åèíåé. å(ßò) ôïõò ó ô ï ä (6374=866). “….u pagëzua sundimtari i Bullgarisë Borisi Car, i quajtur Mihal së bashku me popullin e tij, të dhënë prej Perëndisë në vitin 6374”. (Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 82, fq. 79). Mbishkrimi u zbulua në vitin 1918, nga ushtarët austriakë ndërsa punonin për të nxjerrë gurë nga gërmadhat e kishës së Ballshit dhe u dërgua në Durrës, në vendin ku mbaheshin objektet arkeologjike. Mbishkrimi daton më 6374, që është dhënë sipas kalendarit bizantin, ku sipas kalendarit të ri Gregorian i përket vitit 866 pas Krishtit. Pagëzimi i Borisit u bë në një ceremoni madhështore dhe nuni i tij u bë perandori bizantin Mihali III (842-867), me anën e një përfaqësuesi të tij. Borisi (852-889) mori emrin e nunit të tij, Mihal.
Sipas studiuesit Ilirjan Gjika në vitin 886, Borisi dërgoi si misionar në Gllavenicë, Klementin e Ohrit (886-916). Në jetëshkrimin e këtij të fundit, shkruar nga Theofilakti (1094- 1107) theksohet fakti se: “Boris i dhuroi shenjtit vende për pushim në Ohër dhe në Gllavenicë”. Sipas peshkopit të Ohrit Dhimitër Homatiani (1216- 1234) mësojmë faktin se: “Kohën më të madhe Klementi e kalonte në Ohër dhe në Kefalini, që në gjuhën bullgare quhej Gllavenicë”. Gjithashtu mësojmë se Klementi ndërtoi disa kisha në Gllavenicë. Vetvetiu na lind pyetja se ku i ndërtoi Klementi kishat dhe ku gjendeshin vendet për pushim, që car Borisi ia dhuroi shenjtit? Në vitin 1970 kur po ndërtohej Rafineria e Ballshit u gërmua një sipërfaqe shumë e madhe dhe nuk u gjetën rrënoja kishash, ose gjurmë të ndonjë muri rrethues. Të vetmet gjurmë ndërtimesh qenë rrënojat e manastirit të Shën Mërisë në Ballsh. Në Kushtetutën Kishtare të perandorit Leon në vitin 886 Mitropolia e Durrësit ka pasur këto episkopata: 1. Stefanika, 2. Hanubia, 3. Kruja, 4. Elissoj, 5. Dioklia, 6. Shkodra, 7. Drivasti, 8. Palathët, 9. Glavenica ose Akrorkeraunia, 10. Avlona, 11. Lihnidi, 12, Cermenika, 13. Pulqeriopoli, 14. Gradica, por për arsye ende të paqarta në vitin 1280 të gjitha episkopatat e Mitropolisë së Durrësit kaluan në varësi të Kryeepiskopatës së Ohrit. Në renditjen e episkopatave Glavenica renditet e nënta. Sipas Anthim Aleksudhit Kanina bënte pjesë në episkopatën e Glavenicës ose Akrorkeraunisë. Vite më vonë rezidenca e episkopatës u zhvendos në fshatin Gumenicë të rrethit të Vlorës.
Në vitin 1018, pas shkatërrimit të shtetit Bullgar të Samuelit, u krijua një kryeepiskopatë e madhe dhe e pavarur, e cila ishte Kryeepiskopata e Ohrit. Perandori Vasili II Bullgaroktoni, në vitin 1020 ka nxjerrë tri dekrete me rëndësi për Kryeepiskopatën e Ohrit, ku Joani është caktuar Kryeepiskop i Ohrit dhe ka pasur në juridiksionin e tij 32 episkopata, të cilat qenë: 1. Achrida (Ohri), ku ishte edhe rezidenca e kryeepiskopit, 2. Kastoria (Kosturi), 3) Glabinitza (Gllavinica), 4. Moglaena (Moglena), 5. Buetis (Vuteli në Pelagoni ose Manastiri i sotëm), 6. Strumnitza (Strumnica), 7. Morobisdos (Morovizda), 8. Belebusda (Velevuzda), 9. Triaditza (Triadica, Sofia), 10. Nisos (Nishi), 11. Branitza (Vranica), 12. Belegrada (Berati), 13. Thronia (Striamos, Zemlin), 14. Skopia (Shkupi), 15. Prizdriana (Prizreni), 16. Lipainion (Lipjani), 17. Serbia (Servia, qytet ne Maqedoninë Jugperëndimore), 18. Dristra (Drster), 19. Bodina (Vidini), 20. Rhasos (Rasa, Novipazari), 21. Horaeja (Oreja), 22. Tzernikos (Cerniku, ndoshta Cërriku), 23. Chimaira (Himara), 24. Adrianupilos (Drinopolis), 25. është fshirë, 26. Bothroton (Butrinti), 27. Joannina (Janina), 28. Kozila (Kozili), 29. Petros (Petra), 30. Rogia, 31. Stagoi, 32. Berroia.
Siç vihet re nga klasifikimi, peshkopata e Gllavenicës në renditjen e përgjithshme zinte vendin e tretë. Në diplomën e vitit 1019, përfshihen 17 peshkopata, ku Gllavenica renditet përsëri e treta me 40 klerikë dhe 40 parikë (bujq). Ky fakt tregon se kemi të bëjmë me një peshkopatë të madhe, e cila ishte në varësi të Kryepeshkopatës së Ohrit. (A. Meksi, Arkitektura e kishave të Shqipërisë, Uegen, Tiranë 2004, fq. 59). Gllavenica përmendet në zbarkimin e parë të normanëve në bregdetin shqiptar në fundin e shek. IX. Gjatë fushatës së dytë të normanëve në vitet 1107-1108, në Gllavenicë u vra fisniku norman Robert de Monteforte. Ndonëse mbante titullin dukë, ai u varros me shpejtësi dhe mbi varrin e tij u vendos shtylla e gurit mbi të cilën ishte gdhendur kthimi i mbretit Boris në krishterim. Duke mos njohur greqishten gurgdhendësi shkroi në pjesën e mbetur të shtyllës 14 vargje në gjuhën latine. +Hic est subpositus de Forti Mon(t) e Robert(us) Corpore formosus prob(us) armis vir generos(us) Subduce Normanni Cuntis quoq inventutis dives floreret in anni (s) Deseruit mundun D(omi)niq (ue petendo sepulcr (um) Hic obiit Ph(o)eb(o) (i)a(m) sub Libra quat(er) ort(o) Det Roberto tib(i) (S)ua gandia rex para(disi). “+Këtu është varrosur Robert de Forti Monte.
I hirshëm në trup, trim në armë, burrë bujar nënkomandant i normanëve. Që në krye edhe mbi të gjithë englezët Angli(s) duke qenë në moshë më të bukur të rinisë e braktisi botën duke kërkuar varrin e zotërisë. Këtu vdiq i ri kur dielli lindi për të katërtën herë në hyllësinë e librës. Të dhëntë o Robert. Mbreti i paradisit gëzimet e veta”. (Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 83, fq. 80). Shtylla e gurit shërbeu si epitaf varri për kalorësin norman. Luftërat e zhvilluara në shek. XII sollën ndryshimin e juridiksionit të peshkopatave. Pas rënies së Perandorisë Bizantine në vitin 1204 zona bregdetare e Shqipërisë u pushtua nga venecianët. Në këto rrethana historike peshkopata e Gllavenicës dhe Kaninës në pamundësi të ruante marrëdhëniet me qytetet bregdetare të pushtuara nga Venediku u vu nën juridiksionin e Beratit. Vite më vonë, me pushtimin osman peshkopata e Gllavenicës u suprimua për t’ia lënë vendin peshkopatës së Beratit, Kaninës dhe Shpatit.
PESHKOPËT E PESHKOPATËS SË GLLAVENICËSNë mbishkrimin e Epitafit të Gllavenicës del se në vitin 1373 në krye të peshkopatës së Gllavenicës ka qenë peshkopi Kalist, i cili mbante titullin kishtar åðéóêï/ðïõ Êá/ëçóôïõ / Ãëáâåí/ãôæçò / êáé Âåë(ë)áãñáäïí, “Peshkopi Kalist i Gllavenicës dhe Beratit”. Prej këtij fakti mësojmë për rëndësinë administrative që kishte peshkopi i Gllavenicës. Këtu nuk kemi të bëjmë me bashkimin e dy titujve peshkopalë në një të vetëm, ose drejtimin e të dy peshkopatave nga i njëjti peshkop. Fillimisht peshkopi mbante titullin Ï Ãëáâåíßôæçò Þôïé ¢êñïêåñáõíßáò që do të thotë “i Gllavenicës ose i Akrokeravnisë”. (Th. Popa, Glavenica e lashtë dhe Ballshi i sotëm, Studime Historike, Nr. 2, viti 1964, fq. 239). Brenda epitafit gjendet kryqi emblematik i peshkopit të Gllavenicës, Kalistit që është ktitori i epitafit. Kryqi qëndron mbi maketin e një kishe. Mbi kryq gjendet një kurorë e gjelbër. Në hapësirën e kryqit është shkruar në greqishten bizantine IC XC që do të thotë Isu Krishti. Kryqi është qëndisur me fije argjendi të lara me ar. Korniza e krahëve të kryqit është qëndisur me fill të kuq. Në anën e djathtë të kryqit paraqitet një lambadhë e kuqe. Kryqi gjendet brenda një aureole të qëndisur me fije argjendi të lara me ar. Fusha dhe aureola janë të stolisura me motive floreale ngjyrë blu, të kuqe dhe të verdhë. Më 10 mars të vitit 1937, mësuesi M. Milova ka gjetur në Ballsh një mbishkrim, i cili na bën me dije se më 4 nëntor të vitit 1751 ka vdekur peshkopi i Gllavenicës, Nikifor Agavati. Ìçíé íïå(ìâñéù) ä. Çìåñá / ðáñáò(ê)åõç åêïéìçèç / ù áãé(ïò) áñ÷éå(ñ)åõò Ãëáâçíçô / æçò (;) Íéêçöïñ(ïò) ï Áãáâáôçò / åô(ïò) Á Ø Í Á (=1751). “Muaji nëntor 4. Ditë e premte. Fjeti peshkopi i shenjtë i Gllavenicës (?) Nikifor Agavati, viti 1751”. (Th. Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, nr. 127, fq. 101). Sipas Theofan Popës fakti që peshkopi i fundit i peshkopatës së Gllavenicës ka vdekur në vitin 1751, ndërkohë që Ballshi ishte islamizuar krejtësisht dhe qendra peshkopale po braktisej na bën të mendojmë se bëhet fjalë për ndonjë peshkop plak, i cili ka kaluar vitet e fundit të jetës në manastirin e Shën Mërisë.
*Ph.D.C. Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate