22 settembre 2016

Shqipëria prezantohet në panairin “JATA Tourism Expo”që çelet sot në Japoni

aktTIRANE, 22 Shtator/ATSH/- Shqipëria prezantohet në panairin JATA Tourism Expo që çelet sot në Japoni. Agjencia Kombëtare e Turizmit informoi se vendi ynë do të përfaqësohet me një stendë të përbashkët me Malin e Zi dhe Serbinë.
Gjatë disa ditëve Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike nëpërmjet materialeve përkatëse të prodhuara posaçërisht në gjuhën japoneze me ndihmën e JICA-s.
Në këtë kuadër, AKT ishte e pranishme edhe vizitën studimore disa ditore, e cila po zhvillohet në Tokyo, Japoni. Synimi i këtij aktiviteti ishte rritja e bashkëpunimit dhe njohja me menyrën e promovimit që qytetet kryesore të Japonisë kryejnë për nxitjen dhe shtimin e numrit të vizitorëve të huaj.
Gjatë qëndrimit u vizituan qytetet kryesore si Kyoto-s, Hiroshima dhe Tokyo, ku u prezantuan atraksionet turistike, kultutore dhe historike të këtyre vendeve.
Gjatë vizitës në qytetin e Hiroshimës u realizua takimi me Drejtorin e Muzeut për memorien të këtij qyteti, i cili realizoi një tur duke treguar detajet që pati çasti i hedhjes së bombës atomike në këtë qytet, pasojat që solli dhe masat që mori vendi dhe qeveria për t’u rimëkëmbur.
Në vijim të vizitës, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Çollaku, së bashku me homologët e Serbisë dhe Malit të Zi realizuan homazhet e tyre në Memorial Boulevard në përkujtim të vitit të 71-të të hedhjes së bombës ku dhe vendosen një kurorë të përbashkët në respekt të viktimave. Më pas u realizua edhe një vizitë në qytet veçanërisht në Genbaku Dome, një nga ndërtesat e goditura nga bomba, pjesë e UNESCO Heritage.
Vizita vijoi më tej me kryeqytetin Tokio, ku u realizuan takimet me Morihiro Kawata dhe Mamoru Kobori, Drejtore Ekzekutive të JNTO, Organizata Kombëtare e Turizmit në Japoni.
JNTO bëri një prezantim të saj për mënyrën e funksionimit dhe hapat që po ndërrmarrin për promovimin e mëtejshëm. JNTO është një ndër organizatat Shtetërore më të fuqishme në botë promovuese për turizmin dhe synimi i tyre është dyfishimi. i numrit të turistëve deri në vitin 2020.
Gjatë këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm, Ardit Çollaku, bëri një prezantim të potencialeve turistike që ofron Shqipëria dhe diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit ku Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi duhet të krijojnë paketat e përbashkëta turistike për tërheqjen e sa më shumë turistëve japoneze.
Çollaku theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin privat dhe koordinimin e mëtejshëm që duhet të bëjnë tre vendet pjesëmarrëse për të konkretizuar këtë bashkëpunim.
Në vijim u realizua takimi me komisionerin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Japoni, Jasuto Kawarabayashi, agjenci e cila ka buxhetin kryesor dhe koordinon punën e të gjitha agjencive të tjera që merren me fushën e Turizmit në Japoni. Gjatë këtij takimi, përveç prezantimeve përkatëse, gjithashtu u dhanë rekomandime për mënyrën e tërheqjes të sa më shumë turisteve japoneze, duke marrë parasysh mënyrat dhe strategjinë që përdor Agjencia Kombëtare e Turizmit Japonez, si dhe duke kërkuar bashkëpunimin me linjat ajrore si Turkish Airlines për lehtësimin e mbërritjes në destinacionet përkatëse. Shërbimet dhe infrastruktura ishin disa nga pikat e tjera kryesore që ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në krijimin e lehtësirave psikologjike, ku secili vend duhet të prezantohet në formë të tillë që të jetë i sigurt dhe lehtësisht i vizitueshëm.
Për të filluar një bashkëpunim të mirëfilltë me tregun japonez, Çollaku vuri në dukje rëndësinë që ministrja Milva Ekonomi ka treguar për këtë vend, duke propozuar që në vitin e ardhshëm të realizohet një prezantim me një stendë dinjitoze dhe të shikohet si domosdoshmëri pjesëmarrja e subjekteve private për krijimin e kontakteve direkte me operatorët turistik privat, japoneze.
Takimi i radhës u zhvillua me Drejtorin e Shitjeve dhe Planifikimit në JICA, Kazuhiko Fukushima, me të cilin u diskutua mbi rëndësinë dhe ecurinë e projektit të filluar për tre vendet tona. Ai sugjeroi lidhjen në rrugë tokësore të vendeve tona duke marrë parasysh që turistët japonezë realizojnë udhëtime maksimumi 1 javore në vendet e rajonit, ku gjatë vizitës duan të shëtisin në vende të ndryshme.
Nga ana e JICA u theksua rëndësia e tërheqjes së investitorëve të mundshëm për sektorin e turizmit pasi investitorët japonezë janë të interesuar në tregje të reja për të investuar dhe prezenca e investimeve japoneze në territor do të shtonte edhe numrin e vizitorëve.
Çollaku ndër të tjera informoi mbi ndryshimet ligjore që ka ndërrmarrë Shqipëria me ligjin e ri për turizmin dhe atë për investimet strategjike, të cilat krijojnë klimën e duhur për investitorët e huaj në këtë sektor.
JICA është një ndër organizatat ndërkombëtare me të cilat AKT do të synojë rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit theksoi Çollaku, për të bërë të mundur një bashkëpunim konkret jo vetëm mes operatorëve turistik dhe shtimit të numrit të vizitorëve Japonezë në vendin tonë, por edhe SME-ve Shqiptare që duan të eksportojnë produktet e tyre në Japoni.
Takimi i radhës u zhvillua ndërmjet Çollakut dhe ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, Gjergj Teneqexhi. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi rëndësinë e tërheqjes së turistëve japonezë drejt vendit tonë duke rritur mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet AKT dhe ambasadës. Gjatë takimit u diskutua për mënyrat e ndryshme të promovimit dhe rëndësisë së pjesëmarrjes së Shqipërisë me stendën e saj në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Tokio.
Gjatë ditës së sotme hapet panairi JATA Tourism Expo ku Shqipëria do të përfaqësohet me një stendë të përbashkët me Malin e Zi dhe Serbinë dhe do të prezantojë potencialet e saj turistike nëpërmjet materialeve përkatëse të prodhuara posaçërisht në gjuhën japoneze me ndihmën e JICA-s./a.gjonaj/ /a.ke/
https://www.ata.gov.al/shqiperia-prezantohet-ne-panairin-jata-tourism-expoqe-celet-sot-ne-japoni/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate