22 settembre 2016

Hotelet: Ja kriteret si fitohen yjet

Jo vetëm agjencitë turistike në Shqipëri e kanë të vështirë të punojnë në një treg ku hotelet vendosin vetë “yjet”, por çdokush që ka tentuar të rezervojë një dhomë për të pushuar disa ditë në zonat e plazhit apo ato malore duhet t’ia lërë në dorë fatit komoditetin që ofrohet…
***
Ka 25 vite që vendi ynë nuk ofron dot një paketë të qartë turistike për ata të cilët vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Janë vetëm një numër i kufizuar hotelesh, kryesisht në Tiranë, që kanë të njëjtat standarde me hotelet në vendet e tjera të botës. Vështirësia për vendosjen e “yjeve”, apo treguesve që vërtetojnë cilësinë e shërbimit dhe komoditetin, nuk ka qenë e madhe për shkak të modeleve që kanë aplikuar vende të tjera, madje edhe disa kilometra larg Shqipërisë. Mali i Zi, Greqia, Italia apo Kroacia e kanë zgjidhur prej dekadash këtë problem ku, pavarësisht bukurive natyrore me të cilën mburren shpesh vendasit dhe të zotët e dhomave që lëshojnë me qira, nuk do të mundin t’i arrijmë dot me shekuj. Vendosja e standardeve është patjetër e domosdoshme, por sigurisht që ana e errët e saj është padyshim falimentimi i shumë hoteleve, apo rritja e buxheteve për të investuar dhe për të arritur këto standarde.
Shumë prej nesh, ditët kur kthehen nga pushimet në Shqipëri “tregojnë” histori për shërbimin e hoteleve, dhomat pa energji elektrike, krevatin pa kushte dhe pa dyshim, edhe higjienën e hoteleve. Përballë kësaj tabloje, në hyrje të shumë hoteleve sheh edhe yjet e vendosura nga pronarët, shumica e të cilave janë me 5, por pse jo, kemi parë edhe hotele me 6 yje. Në fakt, në Shqipëri, nuk ka asnjë resort që të arrijë të ofrojë një shërbim me 5 yje, përveç Hotel Sheraton apo disa hoteleve të tjerë në Tiranë. Yjet shqiptare kanë vështirësuar edhe punën e agjencive turistike për t’u shpjeguar vizitorëve kushtet e akomodimit që do të gjejnë në Shqipëri.
Një ligj për turizmin që ende nuk është gati!
Një vit më parë, në fund të muajit mars, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit, pasi kishte marrë si kompetencë edhe shtesën në emrin e saj për të pasur në mbikëqyrje zonat e turizmit, përgatiti një ligj të ri për funksionimin e këtij sektori. Ligji ishte i pari i këtij lloji që organizonte këtë sektor, caktonte kushtet dhe standardet e zonave turistike, mënyrën e dhënies me qira dhe mirëmbajtjes së plazheve, por edhe ngrinte një inspektorat që mbikëqyrte këto zona.
Sot, një vit më pas, ky ligj nuk është tërësisht i zbatueshëm për shkak të vonesës në përgatitjen e akteve nënligjore për një pjesë të mirë të neneve të ligjit. Një muaj më parë, ministria përcaktoi rregullat për mbikëqyrjen dhe organizimin e plazheve, përfshirë këtu dhe sigurinë për to. Por edhe sot nuk janë bërë gati aktet të cilat përcaktojnë mënyrën se si do të veprojë Inspektorati i Turizmit dhe si do të bëhet standardizimi i hoteleve. Llojet që u lejohen bizneseve që ofrojnë vende akomoduese në vendin tonë janë tetë.
Në bazë të shenjave dalluese që çdo strukturë do të vendosë në krye të saj, ajo do të ndahet në këto lloje:
– “Bujtinë” Standard;
-“Fjetinë” Standard, Komfort;
-“Kamping” Standard
-“Hotel” Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Motel” Standard, Komfort, Superior;
-“Resort” tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Qendër kurative” Dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
-“Fjetje dhe mëngjes” (B&B) Standard, Komfort, Superior.
Pas përfundimit të hartimit të një vendimi, i cili duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, të gjithë sipërmarrësit që ofrojnë struktura akomoduese, duhet të bëjnë standardizimin e tyre. “Çdo sipërmarrje turistike, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, duhet të paraqesë pranë Ministrisë përgjegjëse për Turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë klasifikimi, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese”, – thuhet në ligjin për turizmin.
Certifikata e klasifikimit që do të marrë biznesi do të jetë e vlefshme për një periudhë 4-vjeçare dhe në fund të afatit, ajo duhet të shkojë 30 ditë para për ta rinovuar atë. Po ashtu, edhe riklasifikimi do të bëhet me kërkesë të vetë biznesit që ushtron aktivitetin, nëse ai është i interesuar që të rrisë standardet e cilësisë së shërbimit. Nëse nuk arrin dot të plotësosh standardet e strukturës që është miratuar nga një komision klasifikimi në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit, atëherë humbet të drejtën për të ushtruar këtë lloj aktiviteti. “Në fushën e strukturave akomoduese, e humbet të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë: a) me përfundimin e aktivitetit si person fizik/juridik; b) kur i hiqet kjo e drejtë me vendim të Komisionit të Standardizimit të Veprimtarive Turistike, pasi nuk plotëson kushtet dhe kriteret e nivelit më të ulët të sistemit të klasifikimit” përcaktohet në ligj.
“Yjet e reja”.
“Monitor” është interesuar në ministrinë përgjegjëse se kur do të jenë gati vendimet që do të mundësojnë vendosjen e rregullave në hotelet e Shqipërisë dhe ka mësuar se tashmë u është shpërndarë grupeve të interesit, lista me kushtet e akomodimit që kërkohen të vihen në fuqi. Në shtator, ministria do të ketë gati aktet e reja dhe do t’i çojë për miratim në Kryeministri.
Janë 421 kërkesa që do të bëhen për të gjithë hotelet në Shqipëri, duke nisur që nga kushtet e higjienës, cilësia e kuzhinës dhe lloji i gatimit e deri te pajisjet dhe shërbimi që klienti do të ketë në dhomë. “Monitor” ka siguruar tabelën e pikëve që çdo hotel duhet të mbledhë për të marrë klasifikimin sipas yjeve.
do hotel duhet të arrijë që të mbledhë pikët minimale, në mënyrë që të marrë kategorinë e yjeve, nëse nuk e bën e këtë, atëherë ai nuk do të marrë certifikatën e klasifikimit dhe nuk do të mund të operojë dot sipas kategorisë që ai kërkon. Për të marrë dy yje, duhet që minimalisht të mblidhen 290 pikë, ku 151 janë për listën e kritereve të detyrueshme që ka vendosur ministria, ndërsa pjesën tjetër ai duhet ta kombinojë me kritere opsionale, të cilat i zgjedh vetë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjitha kategoritë.
Kriteret me “yjet e reja”.
Kushti parë që është vendosur në tabelën e pikëve është ai i pastërtisë dhe higjienës. Këto kritere përcaktohen si të detyrueshme, më pas detajohen në bazë të yjeve që kërkohen, që nga gërvishtjet e dyshemesë, njollat në xham dhe cilësia e dëmtimi i pajisjeve. Një tjetër risi që vjen është edhe përshtypja që lënë klientët e hotelit, e cila po ashtu vlerësohet me pikë. Më pas renditen me kategori personeli, sjellja e tyre me vizitorët, gjuhët e huaja që flasin, kualifikimi i tyre dhe po ashtu vendoset kusht që ata duhet të kenë në uniformën e tyre një kartë identifikuese për emrin. Pikët përfshijnë edhe sigurimin e parkimit të makinave, ku ndahen në përqindje për pjesët motorike, jo motorike dhe autobusët. Përcaktim të rëndësishëm për mbledhjen e pikëve kanë edhe ashensorët që vendosen në bazë të kateve që ka hoteli, nëse arrin të përmbushësh të gjitha kriteret, pikët që merr shkojnë në 10. Nga 5 deri në 6 pikë mund të përfitosh edhe në bazë të faciliteteve që krijon për personat me aftësi të kufizuar, ku për çdo 50 dhoma, të paktën njëra duhet të jetë e përshtatur për këtë kategori, së bashku me mjetet si karrige me rrota apo shoqërues që duhet të ofrojë njësia akomoduese.
Recepsioni dhe shërbimet është një tjetër kategori që duhet t’u afrohet standardeve që kanë vendet e tjera. Për recepsionin kërkohet një tavolinë e veçantë, e cila të jetë 24 orë në dispozicion të klientëve për t’iu përgjigjur nevojave të tyre dhe po ashtu aty duhet të paraqitet e gjithë lista e shërbimeve dhe çmimeve që ofron hoteli. Po ashtu, në recepsion, duhet të jetë patjetër mundësia e pagesës në kartë dhe shërbimi në gjuhë angleze. Më pas, në shtesë të shërbimeve, hotelet duhet të ofrojnë mundësinë e pastrimit të dhomës dhe po ashtu të lavanderisë dhe hekurosjes. Këtu vendosen pikët në bazë të numrit të peshqirëve dhe çarçafëve që ndërrohen dhe produkteve të pastrimit që lihen në dhomë.
Dhoma është ajo e cila ka ndikimin më të madh në numrin e pikëve. Me listën e re përcaktohet qartë që është thelbësore që dhoma, pa ballkonin dhe tualetin, duhet të jetë 14 m², më pas ajo rritet në bazë të standardeve të yjeve që kërkon të përcaktojë hoteli. Po kështu, në konceptin e yjeve, përfshihet edhe numri i suitave që ka njësia. Një tjetër nënkategori është komoditeti që ofrohet, që nga cilësia e shtretërve e deri në numrin e jastëkëve, ajrin e kondicionuar, minibarin dhe kasafortën që duhet të ketë në të. Duhet të ketë një frigorifer, televizor dhe telefon për të bërë lidhjen me recepsionin.
Ambientet e përgatitjes së ushqimit po ashtu janë pjesë e pikëve për të marrë yjet. Këtu kërkohen të gjitha ambientet që shërbehet mëngjesi, dreka dhe darka, si dhe numri i restoranteve. Po ashtu, përcaktuese janë edhe numri dhe lloji i produkteve që shërbehen, që nga lloji i pijeve deri te cilësia e barit të hotelit.
Në fund renditen për marrjen e pikëve numri i sallave të konferencave dhe ambienteve që kanë për argëtimin e klientëve. Pikët më të mëdha këtu, 24, i ka salla e konferencave me përmasa 250 m². Ndërsa tek argëtimi nuk mungojnë sauna, jakuzzi dhe SPA, që duhet të jenë në shërbim të vizitorëve.
let Kliton Gërxhanin, operator turistik në Shqipëri
Ligji është gjysmak, Industria në rrezik nëse nuk bëhet standardizimi hoteleve
Kliton Gërxhani, një tur operator i cili punon prej kohësh në Shqipëri, thotë se e gjithë industria e turizmit rrezikohet nëse nuk bëhet standardizimi i hoteleve. Megjithatë ai ka rezerva sa u përket rregullave të reja, që ka çuar për diskutim qeveria shqiptare. Standardet duhet t’i japin më shumë siguri turistëve
Sa problem është për turistët që vijnë të vizitojnë Shqipërinë mungesa e standardeve të tyre dhe “yjet” e pasakta që ata gjejnë?
Mungesa e yjeve në hotelet tona është një problem shumë i madh për vetë faktin se Shqipëria është një destinacion shumë pak i njohur. Për sa kohë që është një destinacion që shumica nuk e ka vizituar më parë, një hotel i cili është i paklasifikuar, shton pasigurinë dhe ul mundësinë e rezervimit. Është një handikap që pengon rezervimet, po të ndodhë e kundërta do të ketë efekt në rritjen e numrit të rezervimeve.
Ju menaxhoni një operator turistik që merret kryesisht me vizitat që të huajt bëjnë në Shqipëri. A janë përballur ndonjëherë ata me surpriza që të kenë parë në foto një hotel nga larg që ka të shënuar 5 apo 6 yje dhe më pas shërbimin ta kenë gjetur të dobët, ashtu siç e kemi parë të gjithë…?
Jo se nuk kemi raste të tilla, por nuk do të doja që ta klasifikoja si problemin tipik që ka Shqipëria. Nuk është shumë te zhgënjimi që u ndodh turistëve, sepse këtë pjesë e balancon sadopak ajo e çmimeve, që sido që të shkojë, janë më të ulëta se vendet e tjera përreth nesh, përveç rasteve në zona të caktuara. Shqetësimi ynë më i madh është ai që ka të bëjë me turistët, sepse nuk mund të izolohemi me një rast të veçantë. Ne na shqetëson fakti që industria, duke mos pasur standard, nuk mund të zhvillohet në këtë lloj forme, sepse kjo do të ndikojë edhe në pjesën e kufizimit në këta pak muaj që kemi sezonalitet turistik. Ne kemi problem mungesën e rezervimeve. Është e vërtetë që në korrik–gusht këto hotele si me yje, si pa yje, gjithmonë do të kenë kapacitete të tejmbushura. Por nëse ti nuk ke standarde të caktuara dhe këtë standard ta justifikosh të mos jetë fals, do të kesh probleme për rezervimet jashtë sezonit edhe në sezon të mesëm dhe të ulët. Kjo duhet të na shqetësojë më shumë se një turist që është mashtruar, sepse nuk e përjashtoj që ka edhe nga këto raste. Dëmi që i bëhet industrisë së turizmit nga mungesa e standardeve e bën atë që të mos mbijetojë gjatë. Standardi i hotelit dhe rezervimi i tij kanë koston e tyre, duhen bërë investime gjithmonë, ka një kosto regjistrimi dhe ka po ashtu edhe kosto të përhershme të mirëmbajtjeve. Por këto investime të përkthehen më vonë në rezervime të shumta. Nuk ia vlen ta kalosh një herë mjegullën, edhe 700 euro ta shesësh një dhomë, një herë, nuk është puna se sa para fitove! Problemi është që nga marsi në nëntor të kesh punë, dhe kjo është pjesa pse sipërmarrësi i hotelit duhet të jetë sa më transparent të tregojë standardet, shërbimin dhe yjet që ka.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit ka përgatitur aktet nënligjore për të bërë të zbatueshëm ligjin për turizmin, një pjesë e tyre, dhe pikërisht kjo e standardeve të hoteleve, janë në fazën e diskutimit. Jeni njohur me to? Cili është mendimi juaj?
Nuk është ashtu siç kemi kërkuar ne të bëhen standardet. Është e paplotë dhe dua të them që ka shumë gjëra që mungojnë në ato kritere dhe nga ana tjetër, është lënë që të diskutohet në vjeshtë, në mënyrë që të mbarojë sezoni. Është një akt nënligjor i paplotë, sepse vetë ligji është i paplotë në pjesën e hoteleve, tour operating, guidat dhe çdo gjë tjetër.
Çfarë mungon?
Është një shprehje që thotë që kur dyshemenë nuk e ke të plotë, le të përpiqen sa të duan të bëjnë çatinë e kuqe, nuk do të shkojë gjatë… ka shumë gjëra që duhen rregulluar. Po të futemi në detaje teknike mund të them që ne kemi propozuar deri te masat e sigurisë dhe ndërtimit, çfarë kriteresh ndërtimi duhet te një hotel, kemi bërë propozime në masat e ushqimit, tualetit, pastrimit, në çdo gjë dhe pikërisht këtë kemi dashur ta futim në ligj, por specialistët, ekspertët, punonjësit dhe drejtuesit e ministrive nuk i kanë përfshirë dhe kanë bërë një ligj gjysmak.
——————–
Intervistë me Zak Topuzin, kryetar i Shoqatës së Hoteleve
Presim lehtësi fiskale
Kreu i Shoqatës së Hoteleve, Zak Topuzi, kërkon më shumë mbështetje nga shteti shqiptar në kohën që do të futen rregullat e reja për standardet e hoteleve, për shkak të sasisë së madhe të parave që duhen për investime. Shoqata ka bërë disa propozime dhe pret që në muajin shtator të marrë një përgjigje zyrtare
Jeni njohur me standardet e reja që ka përgatitur Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit për klasifikimin e hoteleve?
Ne kemi bashkëpunuar me ministrinë për hartimin e normave dhe standardeve. Ka qenë propozimi i shoqatës për të përafruar standardet europiane me standardet tona. Kryesisht Europa ndjek standardin “hotel star” dhe ne kemi kërkuar që dhe klasifikimi ynë t’i afrohet “hotel star” në mënyrë që kur Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian të mos ketë shumë probleme për konvertimin e hoteleve. Kemi pasur vërejtjet tona, të cilat po rishikohen. Në të vërtetë, ministria ka vendosur disa standarde më të larta se vetë “hotel star” dhe nuk ka kuptim që një vend si Shqipëria, me mungesë standardesh, të kalojë direkt në standarde më të larta se vetë Europa.
Për çfarë standardesh bëhet fjalë? A penalizohet ndonjë sipërmarrës?
Normën e metrave katrorë për standardet e hoteleve Shqipëria e ka vënë më të lartë se ato të BE-së. Lidhur me katet e objekteve për të vendosur ashensor, ka vënë standard më të lartë, në disa detaje që kanë të bëjnë me standardet e ndërtimit, që tualeti të bëhet me pllaka dhe jo xham. Për ne ka shtuar 25% pikë më shumë se klasifikimi i “hotel star” dhe kjo e vendosjes së yjeve më pas shkon në dorën e Komisionit të Klasifikimit të Hoteleve dhe mund të bëhet në mënyrë abuzive. Ne i kemi shprehur kërkesat tona ministrisë dhe ajo është treguar e hapur për t’i diskutuar dhe njëherë dhe për të reflektuar kërkesat tona.
Nëse hyjnë në fuqi në shtator këto rregulla, mendoni se vitin tjetër do të jenë gati përpara se të nisë sezoni?
Ne bëmë një mbledhje para pak kohësh me ministren në Këshillin Konsultativ Privat, ku kërkoi nga ne rishikimin e standardeve dhe na premtoi që shumë shpejt, nuk dha afat, po merret me këtë punë për të aplikuar sa më shpejt.
Për këtë vit keni pasur probleme, ku numri i turistëve të kufizohet pikërisht nga mungesa e standardeve në hotelet tona?
Shqipëria nuk ka standarde të yjeve në hotele. Nuk kemi ndryshim të madh me një vit më parë, ne gjithmonë kemi vuajtur nga të njëjtat probleme. Nuk është se Shqipëria ofron standarde për turizmin e detit dhe të rërës, turizmin elitar që nxjerr të ardhura. Kjo është pjesa që turizmi sjell të ardhurat më të mëdha në GDP. Ne këtu nuk kemi struktura akomoduese, nuk kemi resorte të tërheqim një familje të plotë, të kemi oferta “half board” dhe “full board”. Turizmi ynë është më shumë një turizëm eksplorues. Domethënë: unë vij, nuk e di se çfarë standardesh do të kem, do të paguaj por mund të mos i marr ato shërbime dhe e gjithë zona bregdetare vuan nga kjo. Në pjesën më të madhe, vetë menaxheri dhe pronari i hotelit nuk e di se çfarë të bëjë me një fluks të madh. Ne kemi përfunduar në 45 ditë që kemi kërkesë të madhe dhe të gjithë pronarët e hotelit përqendrohen në këtë lojë se kush të rrisë më shumë çmimet dhe të përfitojë në kaq ditë. Kjo bën që turistët të mos afrohen më. Këta turistë nuk kthehen dhe vitin që vjen, vijnë të rinj që nuk e dinë sërish se çfarë ka Shqipëria.
Vendosja e standardeve kërkon dhe një buxhet shtesë për këto lloj biznesesh. A keni komunikuar me anëtarët e shoqatës, a janë në gjendje ata të përballojnë në këto kohë investime të reja?
Ka ardhur momenti, duke qenë se Shqipëria është e përfshirë në paketat turistike të vendeve përreth dhe është rrugë kalimi, vetë operatorët turistikë po e kërkojnë standardizimin. Kushdo që hyn në treg duhet të bëjë investime, edhe nëse i ke apo jo yjet. Sot janë Booking.com apo TripAdvisor që të rankojnë, edhe pse ti përcakton standardin e yjeve që do. Kështu që, ka apo jo buxhet, standardin duhet ta bëjnë të gjithë hotelet, sepse nuk ka më kohë për të humbur. Por në mbledhjen që kishim në Këshillin Konsultativ Privat, ministria mori përsipër të përgatisë një paketë lehtësuese fiskale për Shqipërinë dhe në diskutimet që patëm, presim draftin me lehtësitë fiskale. Shembull është që këto investime të bëhen me kredi të buta ku del garant shteti, në mënyrë që dhe industrinë tonë ta ndihmojnë.- “Monitor”.
http://www.standard.al/2016/09/17/hotelet-ja-kriteret-si-fitohen-yjet/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate