11 giugno 2014

Turizmi shqiptar, promovimi që vjen nga media publike

Kepi Rodonit 4

-Shënim pas vizitës së krerëve të BTA dhe MIA në bregdetin shqiptar-

VLORË, 11 qershor/ATSH-Harilla Koçi/.-Turizmi shqiptar ndodhet në një fazë ridimensionimi. Masat që po merren aktualisht, synojnë ta shndërrojnë atë në një sektor konkurrues në rajon, përballë vendeve me traditë në këtë drejtim, siç janë Mali i Zi, Kroacia, Greqia, apo Italia.
Pas një periudhe më shumë se 20 vjeçare të një zhvillimi spontan dhe pa rregulla të qarta, qeveria aktuale po ndërmerr një sërë nismash që kanë si qëllim standardizimin e këtij sektori dhe vënien e tij në shinat e një zhvillimi të qëndrueshëm, ku çdo aktor e faktor të jenë pjesë e një tërësie rregullash. Në këtë kontekst, promovimi i resurseve që ofron Shqipëria, është një nga ato drejtime ku janë konstatuar mangësi të mëdha, spontaneitet dhe mungesë profesionalizmi.
Nga takimi i drejtuesve të ATSH-së, BTA dhe MIA me Prefekten e Vlorës
Nga takimi i drejtuesve të ATSH-së, BTA dhe MIA me Prefekten e Vlorës
Nisma që ka ndërmarrë aktualisht, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Drejtori i Përgjithshëm i saj, zoti Gëzim Podgorica, për bashkëpunimin me agjenci homologe të vendeve të tjera, i shërben këtij qëllimi. Marrëveshja me Agjencinë Bullgare të Lajmeve, BTA dhe Agjencinë e Lajmeve të Maqedonisë, MIA, merr një dimension të veçantë për shkak të mundësive të mëdha që ofrojnë këto dy vende qytetarët e të cilave e vlerësojnë Shqipërinë si një destinacion turistik me interes.
Turistët nga Maqedonia, e frekuentojnë bregdetin shqiptar prej disa vitesh, por megjithëse numri i tyre ka qenë i kosniderueshëm, vlerësohet se ai nuk përputhet me mundësitë reale që ofron vendi ynë në këtë drejtim. Ndërkohë, Bullgaria ofron një fluks turistësh potencialisht të konsiderueshëm, por ende në numër të paktë të pranishëm në Shqipëri.  Për këto arsye, agjencitë e lajmeve të këtyre vendeve përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për promovimin e turizmit shqiptar, të profilit e të standardeve që ai ofron. Ky fakt merr vlera të tjera në këtë periudhë, kur sezoni turistik veror tashmë ka hyrë dhe kur pritshmëritë janë mjaft pozitive.
Me këtë dimension u zhvillua edhe vizita disa ditore e drejtuesve të Agjencisë Bullgare të Lajmeve, BTA dhe të Agjencisë së Lajmeve të Maqedonisë, MIA, në bregdetin shqiptar, nga Durrësi në jug, në brigjet joniane.  Në këtë vizitë, pjesëtarët e këtij delegacioni, zotërinjtë Maxim Minchev, Drejtori i Agjencisë Bullgare të Lajmeve BTA, Ljupco Jakimovski, Drejtor i Agjencisë së Lajmeve të Maqedonisë, MIA, dhe zv/drejtori i MIA, Halit Ajdini, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, zhvilluan disa takime dhe u pritën edhe nga drejtues vendorë në Vlorë e Sarandë.
Për miqtë nga Bullgaria e Maqedonia, Shqipëria nuk është e panjohur, por bregdeti i Vlorës dhe ai në jug të vendit, është një surprizë. Bukuria natyrore e kësaj zone dhe mundësitë që ofron për zhvillimin e turizmit, është edhe tema që do të shoqërojë bashkëbisedimin me drejtuesit vendorë dhe orët e lira në këtë vizitë.
Petku formal, ose zyrtarizmi, është lënë pas. Ai nuk shfaqet pothuajse askund në këto ditëqëndrimi në Shqipëri e në Vlorë. Zëvendës drejtori i MIA, Halit Ajdini, me natyrën e vet, krijon një atmosferë tejet miqësore.
Kjo u reflektua edhe në pritjen që rezervoi për miqtë e veçantë, Prefektja e Qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, e emëruar vetëm dy muaj më parë në këtë detyrë. Duke u uruar mirëseardhjen miqve nga Bullgaria e Maqedonia, znj Hoxha u ndal më pas tek mundësitë që ofron Vlora në drejtim të turizmit. Ajo u ndal tek përpjekjet që po bëhen nga strukturat zyrtare për ta modernizuar këtë sektor, me synimin që ai të bëhet konkurrues në rajon. Sipas zonjës Hoxha, turizmi është vlerësuar nga Qeveria si një ndër sektorët me më shumë ndikim në zhvillimin e pritshëm, cilësor dhe sasior të ekonomisë shqiptare, për periudhën 4-vjeçare.
Në funksionin e zyrtarit më të lartë dhe përfaqësuese e Qeverisë në nivel vendor, Hoxha bëri një ekspoze të turizmit në shkallë vendi, për të zbritur më pas në atë të qarkut të Vlorës. Ajo theksoi se në luftën kundër informalitetit, një nga drejtimet bazë është ndërtimi i rregjistrit elektronik te operatorëve turistikë, që do të shërbejë edhe si një “data base” për hartimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ndërkohë, pjesë e këtyre përpjekjeve është edhe Draftstrategjia e Zhvillimit të Turizmit për periudhën 2014-2020, e cila synon që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion turistik rajonal, e konkretizuar me 30 destinacione në të gjithë vendin, respektivisht nga 10 në tre drejtime bazë në turizmin natyror, kulturor e bregdetar.
Ndërkohë, takimi tashmë ka hyrë në rrjedhën e një bashkëbisedimi të ngrohtë me shkëmbime pikëpamjesh e gjykimesh. Për miqtë nga Bullgaria e Maqedonia, Shqipëria ndodhet përballë një sfide të vështirë. Vende të tilla si Mali i Zi, Kroacia, Greqia, me një turizëm të konsoliduar e me traditë në këtë drejtim, duhet të konkurrohen me elementë të rinj. Por, cilët janë ata? “Duhet të përmirësoni ndjeshëm infrastrukturën rrugore”, shprehet Maxim Minchev, Drejtori i Agjencisë Bullgare të Lajmeve BTA. Ndërkohë, rendi e siguria, përbëjnë një tjetër element të rëndësishëm. Sillet në bisedë shembulli i Varnës, një nga qytetet bregdetare të njohura tashmë në Evropë e më gjerë. Është një qytet, me të cilin Vlora mund të ndërtojë një partneritet bashkëpunimi në muajt e ardhshëm. Kontaktet kanë nisur dhe procedurat janë në një fazë të rëndësishme. Ndoshta në vjeshtë, gjithçka mund të jetë gati. Sepse Vlora ofron mundësi, ofron alternative. Nuk janë vetëm bukuritë natyrore të bregdetit, por edhe ato të zonave më në brendësi, ku turistët e huaj mund të përballen me surpriza tepër të këndshme, ku mund të gjejnë mundësi argëtimi e shlodhjeje si askund tjetër. Por, është edhe historia, janë edhe traditat. Vlora është qyteti i Pavarësisë së vendit dhe kjo duhet promovuar. Minchev, Jakimovski e Ajdini, shprehen se këta elementë, këto detaje, duhet të gjejnë vend në hapësirat promovuese. Janë faktorë autentikë, që identifikojnë Vlorën me vetveten, me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në fund të fundit, turistët nga vende të tjera, këtu gjejnë edhe një argument më tepër për të shijuar e perceptuar diçka ndryshe, për të mësuar diçka ndryshe. Shqipëria duhet të shfaqet tek ta me historinë e vet, me traditat e veta, me kuzhinën e vet. Ajo që është shqiptare, është shqiptare dhe duhet të promovohet si e tillë.
Me këtë tematikë kalojnë pothuajse 60 minuta. Disa dhurata me materiale promocionale dhe produkte tipike vendase, do të mbyllnin këtë takim të ngrohtë për të vijuar më pas, në bregdetin e Rradhimës.
Mjedisi i kompleksit turistik “Regina” dhe standardet e shërbimit në të, përbëjnë një realitet domethënës për nivelin e turizmit në këtë hapësirë të bregdetit shqiptar. Ky kompleks, është rrjedhojë e përpjekjeve disa vjeçare të administratorit të tij, Vasil Bedini. Pas një periudhe emigrimi të suksesshëm në SHBA, Bedini investoi në turizëm dhe sot është një nga operatorët më të njohur jo vetëm në Vlorë, por edhe më gjerë.
Në të pushojnë turistë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, nga ish Lindja dhe Evropa Perëndimore. Kushtet e akomodimit në të janë të standardeve bashkëkohore, ndërkohë që bukuria natyrore dhe pozicioni gjeografik, të lenë pa fjalë. Miqtë nga Bullgaria e Maqedonia, të surprizuar nga pamja, shprehen me mjaft pozitivitet për investimin. Peshku dhe prodhimet e tjera të freskëta të detit, plotësojnë tryezën, si për të ftuar mysafirët për të ardhur këtu, ku, mikpritja është tipari që spikat. “Shumë bukur”, shprehet Halit Ajdini. Ai ka qenë deri në Durrës, por në Vlorë nuk ka ardhur asnjëherë.  Vendosi që këtë verë të vijë të pushojë me bashkëshorten dhe dy fëmijët. “Shpresoj dhe jam I bindur që do të kaloj këndshëm”, thotë gazetari nga Maqedonia, ndërkohë që vendimin për të ardhur në Vlorë në verë, e shoqëron me buzëqeshjen që nuk e ndan asnjëherë nga profili I tij. Minchev, Jakimovski e të tjerë, provojnë pak nga rakia e manaferrës, e cila mund të konkurrojë çdo pije.
Tashmë turizmi në Vlorë është rizgjuar në të gjitha dimensionet. Pas përfundimit të afatit të “Moratoriumit të mjeteve lundruese”, operatorët vlonjatë kanë përfshirë në paketat e tyre edhe mundësi të tjera pushimi e argëtimi. Poshtë nesh, në limanin e improvizuar në plazhin e vogël të kompleksit, është ankoruar një mjet lundrues. Është një anije turistike e cila është blerë prej Vasilit vetëm pak javë më parë në Bullgari. Është një koiçidencë e këndshme, që mjafton të ndezë paksa bisedën. Prej Bullgarisë ka mbërritur një mjet lundrues për të shetitur pushuesit përgjatë bukurive natyrore që ofron Vlora, por, prej vendit mik ballkanik, synojjmë të tërheqim edhe turistët. Anija është aty, në pritje të mbërritjes, ndërkohë që Agjencia Bullgare e Lajmeve, BTA, është një hapësirë mediatike ku mund të promovohen kapacitetet që ofron Vlora. Kjo simbolikë, e bashkuar në kohë dhe hapësirë, mund të përbëjë edhe një argument më tepër për të ftuar pushuesit nga Bullgaria, që të vijnë në Vlorë. Sepse nga deti “i ftohtë” i Varnës, mund të gjejnë hapësirën detare “të ngrohtë” të Vlorës.
E, ndërkohë që orët kalojnë nën flladin e detit që mbërrin i butë deri në verandën e kompleksit ku jemi rehatur prej mesditës, atmosfera në tavolinë është po aq e këndshme sa edhe në fillim. Udhëtimi duhet të vijojë më në jug, për në Sarandë. Riviera Shqiptare është surpriza e rradhës. /y.pa/http://www.ata.gov.al/turizmi-shqiptar-promovimi-qe-vjen-nga-media-publike-127080.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate