
Fundjavat zakonisht i kaloj jashtë Tiranës së hazdisur. Dua pak natyrë ose “vetmi”. Këtë fundjavë bashk me mikun tim Bekimin, vendosëm ta kalojmë brigjeve të Spillesë. Kur mbrritëm në Lekaj të Kavajës, një kthesë e fortë na orientoj djathtas nga ku një rrugë e asfaltuar mirë na çoj drejt e në prehërin e kalasë katërkëndore të Bashtovës.Aty gjetëm disa vizitor që me aparatet e tyre fotografikë, fiksonin muret katror të kështjellës dhe bedenat e rrumbullakët.
Fare pranë saj, rrjedh Shkumbini dhe pak më në perëndim shtrihet deti me plazhin e bukur të Spillesë.Është shumë bukur dhe ka shumë hipoteza se si ka ardhur dhe ka mbetur ky emër brigjeve të Adriatikut,por kjo është një temë tjetër. Mbase Latinët në kohën e Cezarit e të Pompeit kur ndiqnin njeri-tjetrin në luftën për pushtet dhe u ndeshën pikërisht në keto brigje ku Cezari iku si humbës, e quajtën spile, vend me një brez halorësh që të shpojnë si pisha,dëllinja apo halorësh të tjerë,ku ka një ajër të paster, të shëndetshëm,me grykë-derdhjen e nje lumi të lundrueshëm e të shkumëzuar që vendasit e thërrisnin”Shkumbin” (nga fjala shkumë,i shkumëzuar),me prodhime bujqësore e blegtorale të bollëshme,me një tregeti të brendëshme e ndërkombtare të leverdisëshme.

Koha rrjedh, epokat ja lënë vendin njëra tjetrës, ajo Romake asaj Bizantine dhe më vonë ajo Islame.
Arkeologë e datojnë këtë kështjellë mesjetare, pra të periudhës Islame,shek XV-XVI pas Krishtit. Një kështjellë që më tepër ka shërbyer si vend grumbullimi e ruajtjeje të prodhimeve bujqësore që tregëtoheshin matan detit. Forma dhe përmësat e saja të bindin për këtë,sepse vërtet ajo nuk është projektuar për një luftë të mirëfilltë,për një betejë të ashpër,me topa e hobe,por si një kështjellë feudale porti detar tranzit.
Mirëpo unë dyshoj për atë që fshihet nën themelet e kësaj kështjelle. Nuk besoj që gurët e themelit të saj të jen hedhur në një tokë moçalore pa taban mbajtës,pra në dhe të hedhur. Moçali erdhi më vonë nga devijimet e shpeshta të deltës së lumit Shkumbin. Historia e ndertimit të kalave nuk devijon nga ajo që themelet e tyre ngjisheshin në shkëmb të qëndrueshëm. Përse ky përjashtim?! Unë mendoj se nuk ka përjashtim,prandaj duhet lexuar në themelet e sajë,tamam si me Trojën e lashtë.Ajo u ndërtua dikur, shumë herët në vazhdimin shkëmbor të malit të Vilës. Shlimanin e udhëhoqi drejt Trojës eposi i Iliades së Homerit, ndërsa mua mu kujtua historiani
Dhimitër Pilika. Pilika në fund të viteve 60.të,ka qënë “internuar”, në Divjakë, një fshat shumë afër Bashtovës.

Në atë kohë aty ka pas edhe shkrimtarë e artistë të tjerë që i kishin sjell të lanin blasfemitë e tyre kunder regjmit.Më kujtohet Naum Prifti shkrimtari i njohur,Sali Shijaku,Kolë Nika e të tjerë që punonin si mësues në shkollën 8 vjecare të fshatit…Pilika,me nxënësit e klasës së VII dhe VIII-të,ngriti grupin e arkeologëve.Edhe unë isha pjestar këtij grupi.Bënim gërmime në kodrat e Divjakës ku ndodhen rrënojat e një qytetërimi Ilir dhe ato të një rruge gurore Romake që lidhte Apoloninë me Durrësin. Një degëzim i rrugës Egnatia. Me objektet e gjetura në këtë zonë, ne arritëm të ngrinim edhe një muze në Divjakë.Me sa di,sot ai nuk egziston më dhe objektet kan kaluar në muzeun e Lushnjes.
Interesant ishte fakti se,dy kilometra në jug të kalasë së Boshtovës, gjendej fshati “Kular”, një emër i mbetur nga një kthesë e papritur e lumit Shkumbin që bënte në hyrje të tij duke devijuar në very ne drejtim të kështjellës aq afër sa lëpinte faqet e saj. Këtu ndodhej dhe limani që të zbriste në det jo më larg se disa qindra metra. Një ditë në drejtorinë e shkollës ku ndodhej edhe professor Pilika,erdhi lajmi se në fshatin “Kular”, traktoristët gjatë punimit të tokës, kishin nxjerrë në sipërfaqe. objekte arkeologjike si terrakota, amfora, skulptura prej balte ku veçohej busti i një gruaje me veshje karakteristike Ilire. Ajo u quajt “nusja e kularit”.

U gjetën edhe objekte prej bronxi si maja heshtash,thika,zbukurime të ndryshme etj. Pra,Pilika e përcaktoj këtë si një vendbanim të hershëm Ilir me strukturat ekonomike e sociale të një shoqërie të organizuar mir. U gjet dhe vend-ndodhja e një kamine që shërbente për prodhimin dhe pjekjen e objekteve të baltës. Më në perëndim,fare pran detit,gjendet “fusha e sqelës” Toponim që vërteton se vërtet aty ka pasur një “Skelë”,pra një port detar.
Por se sa i lashtë është ky port dhe ç’aktivitet është kryer aty, mendoj se duhet një studim më i hollësishëm nëpërmjet gërmimeve dhe fakteve arkeologjike.
Pikërisht, drejt bregdetit ku ndodhet kjo kala, gjarpëron një rrugë e gjerë e asfaltuar rishtas,me sinjalistikë bashkëkohore,që ta bënë të lehtë e të këndshëm udhëtimin drejt detit dhe këtij monumenti të kulturës dhe historisë sonë.
Një rrugë që lidh disa fshatra dhe afron ata me qytetin e Kavajës dhe të rrogozhinës ku tregëtojnë prodhimet e tyre. Këtu gjendet një vijë bregdetare shumë e larmishme që lidh disa plazhe të bukur. Që nga plazhi i “Gjeneralit”, ai i Spillesë, i Kryevidhit, Boshtovës, Divjakës, Bedatit për të vazhduar drej Semanit…Është një natyrë e pastër dhe e pasur me gjelbërim dhe me produkte bujqësore Bio. Në morinë e pikave turistike në vendin tonë, fal rrugëve të përshtatëshme, shtohet edhe një tjetër,ajo e Boshtovës. Vizitorët e parë dhe ata që pëlqejnë detin, pyllin dhe amatorët e peshkimit,kishin mbërritur. Hotelerit kishin bërë gati kuzhinat dhe ambjentet e pritjes.
Vërtet vendet tona turistike nuk ofrojnë vetëm natyrën e bukur por dhe një njohje me historinë tonë.Këtë ta ofron edhe Bashtova./a.g/http://www.ata.gov.al/kalaja-e-bashtoves-nje-vend-turistik-por-edhe-nje-enigme-historike-121182.html
Nessun commento:
Posta un commento