16 giugno 2014

Festivali i filmit DEA, një Kanë e vogël në Sarandë që mbahet në datat 17-21 Qershor 2014

Festivali i filmit DEA, një Kanë e vogël në SarandëTIRANE- DEA Open AIR Internation al është festivali i filmit që mbahet në datat 17-21 Qershor 2014. Me nismën e Multi Media Nositit dhe mbështetjen e Bashkisë së Sarandës, ai përfiton nga avantazhet e këtij qyteti, klima që lejon një fillim të hershëm të sezonit veror dhe interesi kulturor dhe mikpritja e qytetarëve të zonës turistike. Afërsia me qytetin e Korfuzit dhe aeroportin e tij si edhe afërsia me fqinjët e Jugut, përbëjnë elementë pozitivë shtesë për infrastrukturën dhe profilin e Festivalit, i cili që në fillesa u mendua të organizohet dhe sot funksionon sipas përvojës dhe standardeve europiane të partneritetit. Drejtues dhe organizatorë të një ose më shumë festivaleve ndërkombëtare janë pjesë e stafit të DEA Open AIR International FilmFestival dhe anasjelltas, duke i dhënë Festivalit seriozitet e standard, afirmim dhe mundësi të gjera bashkëpunimi. 

Festivali DEA synon ta shndërrojë Sarandën në një pikë të re ballkanike të takimit të kineastëve, producentëve dhe kryesisht të distributorëve të industrisë së filmit. Saranda falë pozitës gjeografike, klimës dhe pejsazhit të saj të mrekullueshëm i ka të gjitha mundësitë të kthehet në një Cannes të vogël ballkanike dhe në një atraksion shumëplanësh për kineastët e huaj. 

DEA ka në qendër si konkurrim kryesor Filmin artistik me metrazh të gjatë, me gjeografi thuajse krejtësisht europiane, ofertë kjo, që plotësohet harmonishëm në gjini, tematikë dhe shtrirje, me seksionin e veçantë të Filmit me metrazh të shkurtër, i cili ofron përfaqësim ndërkontinental. 

Për të marrë pjesë në festival kanë aplikuar 487 filma nga 49 vende të ndryshme të botës. Filmat e paraqitur dhe fituesit që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, seleksionim ky, i cili është mbyllur që në fund të muajit Mars. Komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë nxjerrë për konkurrim 7 filma të gjatë (prodhim 2013-2014) dhe 26 filma të shkurtër. Filmat janë prodhimet më të mira kinematografike të vendeve si: Franca, Greqia, Gjermania, Brazili, Anglia, Iraku, Belgjika, Spanja, Portugalia, Kolumbia, Armenia, Irlanda, Polonia, Kosova, Italia, Shqipëria. Përzgjedhja e kohës dhe vendit të shfaqjes së filmave u është përshtatur gjinive dhe problematikës së trajtuar, ndërkohë që organizimi ditor i tyre është munduar të ruajë shtrirjen e vet gjeografike. 

Zona e festivalit 
Qendra e festivalit do të jetë në shëtitoren bregdetare të qytetit, ku do të vendoset dhe Çadra e festivalit. Ndonëse festivali, që në emërtimin e vet (DEA Open AIR International FilmFestival), fton për kombinim të njëkohshëm të përjetimit artistik me atë të natyrës së bukur të bregdetit jonian, për shkak të temperaturave të larta sezonale dhe perëndimit të vonë të diellit, oferta filmike do të mund të shijohet si jashtë ashtu edhe brenda, si në mbrëmje ashtu edhe gjatë pasditës. Aktivitetet kryesore të festivalit, si Ceremonia e Hapjes, Ceremonia e Mbylljes, Mbrëmja Gala e Ndarjes së Çmimeve si edhe shfaqja e filmave të gjatë në seancën e mbrëmjes së vonë do të organizohen dhe ndiqen në në Kinemanë verore të improvizuar të qytetit (Kinema Limani). 
Seksioni i Filmit të shkurtër dhe Seanca e mbrëmjes së hershme në Seksionin e Filmit të gjatë do të mund të ndiqen në Kinemanë e Pallatit të kulturës. 

Aktivitete plotësuese gjatë ditëve të festivalit parashikohet të zhvillohen edhe në pika turistike, si Butrinti, Kalaja e Lëkursit, Syri i kaltër, Ksamili, Gjirokastra ose dhe gjatë një udhëtimi me anije përgjatë bregdetit jonian. 

Sipas Drejtorit dhe ideuesit të Festivalit, producentit dhe regjisorit Edmond Topi "festivali ka qenë i orientuar më shumë nga cilësia e produktit filmik se sa nga emrat e mëdhenj të kinemasë botërore. Përputhur me mungesat e gjata të publikut tonë, i cili duhet të rimësohet të shijojë filmin në kinema, besojmë se investimi është më pak vlefshëm kur bëhet tek emrat - pra te publiciteti i festivalit, se sa te cilësia e filmave, pra tek interesi i publikut". Megjithatë festivalit edhe figurat nuk i mungojnë. Krahas ikonave të kinemasë shqiptare, të pranishëm gjatë ditëve të festivalit do të jenë edhe kineastë dhe njohës të kinemasë nga Gjermania, Franca, Iraku, Suedia, Kosova dhe Greqia. Shfaqja e filmit hapës të festivalit, Delikatesa - një komedi franceze, do të kryhet në praninë e regjisorit të filmit, Stéphane Foenkinos. 

Çmimet 
Konkurrimi në të dy seksionet do të ndiqet nga disa juri: Juria e filmit me metrazh të gjatë; Juria e filmit me metrazh të shkurtër; Juria e medias; Juria e studentëve dhe Juria e publikut të Sarandës, të cilat do të akordojnë disa çmime DEA, sipas emërtimit të festivalit. 
Çmimi DEA për filmin e gjatë, do të ndahet në kategoritë: DEA për Filmin më të mirë; DEA për Regjinë më të mirë; DEA për Skenarin më të mirë; DEA për Kameran më të mirë. 
Çmimi DEA për filmin e shkurtër, do të ndahet në kategoritë: DEA për Filmin më të mirë; DEA për Regjinë më të mirë; DEA për Montazhin më të mirë; DEA për Idenë më të spikatur 
Festivali akordon edhe disa çmime speciale, si: Çmimi special i jurisë, i cili ndahet nga Juria e filmit me metrazh të gjatë; Çmimi i medias, i cili ndahet nga Juria e medias; Çmimin inkurajues, i cili ndahet nga Juria e studentëve dhe Çmimi i publikut, i cili ndahet nga Juria e publikut të Sarandës. 
Organizatorët e festivalit do të ndajnë çdo vit edhe Çmimin e Mirënjohjes për personalitete të shquara të kinemasë shqiptare dhe më gjerë. "Uroj që kjo nisje e bukur të kthehet në traditë", shprehet kryetari Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Ndërsa ka vënë në dukje se "Saranda, e cila prej dekadash ka qenë shesh xhirimi për filmin artistik dhe dokumentaristët, ia vlen që, prej vitit 2014, të quhet edhe qytet i kineastëve dhe i produktit të tyre, që është filmi", Çipa ka theksuart se ne po i japim qytetit një dimension, që kushdo do të donte t'ia shtonte. "Ndaj i uroj rrugëtim të mbarë, Festivalit të Filmit në Sarandë! Është tamam sikur kishim parë një ëndërr të bukur për këtë verë, të cilën po e prekim tani së bashku!", ka deklaruar ai. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/festivali-i-filmit-dea-nje-kane-e-vogel-ne-sarande-195756.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate