Karavastaja është një nga tri zonat Ramsar në Shqipëri: ajo është strehë për një numër të madh të shpendëve dimëruese, ajo është gjithashtu një vend i rëndësishëm për shumë specie me interes të madh të ruajtjes, si Pelikani dalmat (Pelecanus crispus). Përveç rëndësisë së saj, si një trashëgimi natyrore, Karavastaja është e kërcënuar nga disa faktorë, duke u përballur me ndikimin në rritje të impakteve të ndryshme, të cilëve përfshijnë ndotjen nga substancat organike dhe pesticidet, eutrofikimi ose kalbëzimi i ujit, turizmi i pamenaxhuar, gjuetia, etj.
Zhvillimi i Turizmit
Turizmi ka përjetuar disa përmirësime gjatë viteve të fundit në qytetin e Divjakës, rrethinat e saj dhe plazhin e Divjakës. Kohët e fundit, turizmi është zgjeruar, si për nga llojshmëria e lartë e habitateve, si dhe potencialet natyrore dhe kulturore të zonës që ofrojnë një shumëllojshmëri të lartë të mundësive të turizmit: banja dielli (plazh), sportet e ujit, Safari, turizëm rural, malor, kulturor, hiking, etj.
Megjithatë, parku kombëtar aktualisht është duke vuajtur nga mungesa e menaxhimit të integruar dhe mungesa e aktiviteteve të vetë-qëndrueshme të turizmit. Vetëm turizmi i plazhit gjatë verës është duke u promovuar aktualisht dhe ai gastronomik gjatë vitit. Në periudhën e pranverë-verës prania e madhe e mushkonjave është identifikuar si një problem për pushuesit; këtë vit Ministria e Shëndetësisë ka filluar nga puna për dezinfektimin e zonës dhe pritet që të ketë përmirësime në këtë drejtim.
Gjithashtu, gjuetia e paligjshme është një problem i madh në zonën e parkut dhe ndalimi i saj në mars 2014 pritet që gjithashtu të ndikojë pozitivisht në praninë e shpendëve në zonë.
Ekspertët dhe palët e interesuara vërejnë se ky park, që ndodhet në zemër të rajonit perëndimor të Shqipërisë, ofron mundësi të mira për të vizituar atraksione natyrore, por edhe ato arkeologjike, si Kisha Bizantine, shek. i XVIII, në fshatin e Karavastasë së Re (24 km) dhe Manastiri i Ardenicës, shek. XVIII – XIV, pranë fshatit Kolonjë (28 km). Ky i fundit është shpallur monument kulture me rëndësi të veçantë.
Divjaka është qyteti më i afërt i parkut (afërsisht 6 km) me një popullsi prej rreth 13,960, prej të cilëve rreth 8,000 qytetarë banojnë në territorin e bashkisë dhe të tjerët në fshatrat përreth. Banorët vendas punojnë përgjithësisht në bujqësi, dhe veçanërisht në kultivimin e perimeve, drurëve frutorë, peshkim dhe në një shkallë më të vogël, me mbarështimin e blegtorisë.
Hyrja për në park kryhet nëpërmjet rrugës kryesore që lidh Divjakën me Parkun Kombëtar. Rruga e ndan pyllin në dy pjesë (Veriun dhe Jugun). Hyrja për në park ndodhet 1.2 km në very të qendrës së parkut dhe plazhit, ndërkohë që aplikohet një taksë për hyrjen e vizitorëve dhe makinave në park.
Qendra e parkut ndodhet pranë plazhit të Divjakës, afërsisht 1.2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut. Shumica e shërbimeve ndodhen në qendër të parkut. Plazhi i Divjakës është një rrip prej përafërsisht 15 kilometrash rëre të bardhë që kufizohet me një pyll pishash dhe përbën një destinacion të kërkuar plazhi për mijëra turistë dhe vizitorë një-ditorë, kryesisht nga Shqipëria jug-qendrore. Plazhi i rërës është i madh (250 m nga linja e ndarjes së pyllit me pisha në vijën bregdetare), dhe madje, edhe gjatë kulmit të sezonit, është e mundur që duke lëvizur përgjatë kësaj ndarjeje të sigurohet një fare privatësie.
Ishulli i Pelikanit (Monument Natyror) ndodhet në veri-perëndim të Lagunës së Karavastasë. Ky është një vend i rëndësishëm për mbarështimin e Pelikanëve Dalmatë.
Pisha e Egër në Oazin e Karavastasë është gjithashtu e renditur si një Monument Natyror në Shqipëri. Ajo përfaqëson një pemë pishe 410-vjeçare që ndodhet në jug-perëndim të pjesës veriore të pyllit.
Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe dhe më e rëndësishme e zonës bregdetare të Detit Adriatik. Ajo ka një sipërfaqe prej 43.3 km2, me një gjatësi maksimale prej 10.6 km, gjerësi maksimale prej 4.3 km, dhe thellësi maksimale prej 1.5 m. Laguna e Karavastasë është e mirënjohur për koloninë e species së rrezikuar botërore të Pelikanit Dalmat. Prania e këtyre shpendëve është edhe një nga arsyet kryesore që laguna e Karavastasë është përcaktuar si Zonë Ramsar e Rëndësisë Ndërkombëtare. Gjithashtu, më tepër se 200 lloje të tjera shpendësh mund të vëzhgohen në këtë zonë, duke përfshirë edhe disa specie të tjera botërore të rrezikuara, siç janë karabullaku i vogël, rosa kokëbardhë, shqiponja me njolla dhe fajkoi i hirtë.
Laguna e Godullës përfaqëson një lagunë të vogël që ndodhet shumë pranë lagunës së Karavastasë. Ajo ka një sipërfaqe prej 8.5 km2 me gjatësi prej 5 km, gjerësi 3.8 km dhe thellësi maksimale prej 3.8 m.
Godulla e Pishës (Monument Natyror) ndodhet në veriperëndim të pyllit të Divjakës. Ajo përfaqëson një lagunë me gjatësi maksimale prej 1.8 km dhe gjerësi maksimale prej 400 m, e cila rrethohet nga pylli i pishës dhe dunat me hala pishe. Pelikanët Dalmatë folezojnë në këtë zone.
Spiaxho është një lagunë e vogël në pjesën veriore të sistemit kënetor të kompleksit Divjakë-Karavasta.
Këneta e Osmanit është një lagunë e vogël në veri të lagunës së Spiaxhos.
Ishulli i Kularit (Monument Natyror) ndodhet pranë deltës së lumit Shkumbin, 0,5 m mbi nivelin e detit, i formuar si rezultat i prurjeve aluvionale të lumit. Ishulli është i mbuluar nga shkurret, plepi i egër, druri i kedrit, kullotat dimërore dhe lloje të ndryshme vegjetacioni të gjelbër. Aty mund të gjenden disa lloje shpendësh ujorë, dhe veçanërisht, pelikani Dalmat.
Dokumentet e zhvillimit strategjik të hartuar nga Ministria e Turizmit e identifikojnë lagunën e Karavastasë si një zonë me “vlera tepër të rëndësishme të biodiversitetit.”
Parku Kombëtar i Pishës së Divjakës është i mirënjohur për vlerat me të vërtetë unikale ekologjike dhe manifestimet e tjera natyrore. Bimësia dhe llojet e kafshëve janë të larmishme dhe veçanërisht të bukura. Parku shërben gjithashtu, edhe si strehë për mjaft shpendë të rrallë, përfshirë edhe specien e rrezikuar të pelikanit. Kjo është edhe pika më perëndimore e folezimit të këtij lloj shpendi në të gjithë Evropën. Zona e parkut rekomandohet gjithashtu edhe për vlerat tërheqëse të ekosistemit të tij, me 210 lloje shpendësh, 12 lloje gjitarësh dhe 16 lloje zvarranikësh. Parku mbizotërohet prej zonave të pishave të buta dhe të egra, ku dallohen veçanërisht pishat me kurorë të madhe. Pylli shumëkatësh është mjaft i pasur me barëra dhe pemë të larta. Flora e Parkut Kombëtar të Divjakës shquhet posaçërisht për bukurinë dhe freskinë e veçantë të saj.
Gjithashtu, ujërat e lagunës, të cilat arrijnë afërsisht 1.5 metra thellësi, janë të pasura me peshq, veçanërisht qefull dhe ngjala, gatimi i të cilave ofrohet në shumë prej restoranteve të plazhit të Divjakës.
Plazhi ranor i Divjakës është i pasur me sasi të konsiderueshme jodi dhe temperaturë mbi 200C, që fillon qysh prej gjysmës së dytë të muajit maj dhe vazhdon deri në fillim të tetorit. Kjo është një zonë ku aktivitetet e plazhit mund të ndërthuren lehtësisht me eko-turizmin. Rreth 300.000 pushues vizitojnë plazhin e Karavastasë çdo vit, me rreth 8.000 vizitorë në ditë në verë. Shumica e vizitorëve vijnë me makina.
Harta e aktiviteteve potenciale të turizmit në DKNP
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/parku-komb-tar-divjak--karavasta-aty-ku-flasin-mrekullit--e-natyr-s-221772.html#sthash.LSr2XAAJ.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento