03 giugno 2014

Shqipëria ime fantastike: Dy fjalë për Himarën turistike 2014

3/qershore/2014
Shqipëria ime fantastike është një projekt i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, i cili synon që çdo javë të sjellë në vemendjen e lexuesit shqiptar destinacione dhe atraksione turistike, të cilat vlejnë të vizitohen përgjatë vitit 2014. Ky suplement do të çojë lexuesit në çdo cep të vendit, për ta bërë atë të njohë elementë nga kulinaria, trashëgimia kulturore, hoteleria dhe artizanati, që zona të veçanta ofrojnë.

DY FJALË PËR HIMARËN TURISTIKE
Himara, riviera e bukurisë mahnitëse të jugut, perla e Shqipërisë, nga më mahnitëset e brigjeve të Jonit. Për të s’i kanë kursyer fjalët vlerësuese poetë, historianë, gjeografë, kronikë, udhëtarë të ndryshëm nëpër shekuj.
Himara, krahinë e vogël me histori të madhe, me një popull punëtor, i cili me fuqinë e mendjes dhe të krahëve, ka bërë mrekullira mbi këtë tokë të lulëzuar nga ullinjtë, limonat, portokallet, pemët frutore.
Por, fruti më i ëmbël i kësaj toke bregdetare është shpirti i paepur himariot, që brez pas brezi luftoi për liri.
“Banorët e Himarës përgjërohen me fanatizëm për vendin ku u lindën”, këto janë disa nga fjalët e konsullit Frans Pukevil, thënë në vitin 1807 kur ishte te pashallëku i Janinës.
Kurse himariotët, nga ana e tyre, në vitin 1851, piktorit të shquar anglez Eduart Lir, kur ishte mik i tyre, i thanë ‘kush na do lirinë e kësaj toke, ne i bëjmë dhuratë mendjet dhe zemrat tona’.
Himara e zogjve të tramundanës e kapedanëve trima dhe të papërkulur, ka dhe një shtrirje imponuese në një rrip të caktuar toke, nga kepi i Gjuhëzës deri në kepin Kefal përkarshi kanalit të Korfuzit.
Ky rrip i ngushtë i bekuar toke midis detit Jon dhe maleve varg të Akrokeraunëve ka një vijë bregdetare prej një gjatësie 40 km dhe gjerësi prej 10 km. Vargmalet e Akrokeraunëve kanë majën me të lartë, atë të Çikës, me një lartësi prej 2050 metrash.
Sipas legjendave e gojëdhënave të lashta, thuhet se Himara është bijë e Apollonit, mbret diell, dhe me shumë të drejtë pasi kjo krahinë është e krehur në dritën e diellit mbi 330 ditë në vit.
Drita e kristaltë e rrezeve të diellit, me të kaltrën dhe të gjelbrën, janë ngjyrat më jetëdhënëse për këto anë, ku ajri i pastër dhe klima e ngrohtë mesdhetare bëhen faktorët kryesorë të frekuentimit turistik jo vetëm gjatë verës, por edhe në vjeshtë e në dimër.
Kjo zonë në të ardhmen do të ketë një turizëm pothujse gjatë gjithë vitit.
Krahas bukurisë natyrore, vizitorët e ndryshëm vendas dhe të huaj do të njohin bukuritë historike, ku lashtësia gërshetohet me përpjekjet dhe qëndresën shumëshekullore të himariotëve. Stërgjyshërit e tyre ishin kaonët, bujq, detarë dhe luftëtarë të zot.
Kur zbriti Çezari –perandori- poshtë Palasës, i befasuar mundi të thoshte: “Pashë bukuritë e Kaonisë”.
Në trevën e Himarës, në gërmimin e parë që bëri në shpellën e Spilesë arkeologu Molian Lekardini në vitin 1939, vërtetoi se kjo shpellë është e banuar shumë herët në epokën e Neolitit të ri {3000 – 2100 p. Kr.}.
Për këtë dëshmojnë mbetjet –gjetjet arkeologjike, vegla pune prej guri, gjurmë hiri të zjarrit të hershëm, etj.
Kjo shpellë është e dëgjuar edhe për strehimin e Odiseut të Homerit, i cili duke u kthyer nga Troja në Itakë, këtu u strehua me shokët e tij dhe u ndesh me ciklopin Polifen.
Emri Himarë është i njohur me kalatë e saj.
Kalaja e vjetër e Himarës ruan dhe sot me gurë ciklopikë në teknikën e murit të thatë.
Në Qeparo është kalaja parahistorike e Kukumit dhe ajo e Karosit, kurse kalaja antike e Himarës ruan muret epoligonale të shekullit 5 p. Kr.dhe muret trapezonale të shekullit 4 p. Kr.
Kalaja e Himarës dhe kisha e Episkopisë u rindërtuan në shekullin e 2– të mbi themelet e para.
Në Himarën e vjeter gjendet akoma kulla rrethore e kalasë mesjetare.
Përshtypje u lë vizitoreve kalaja e Sopotit në Borsh dhe ajo e Porto-Palermos.
Këto kala në kohet e historisë kanë qenë vatra të ruajtjes së lirisë së kësaj krahinë.
Pesë shekujt e qëndresës himariote kundër pushtimit osman e kanë zanafillën në periudhat e mëparshme, që në madheshtinë kaone  epirote të këtyre viseve.
Marin Barleti me shkrimet e kohës së atëhershme dëshmon: “Pas vdekjes së Skënderbeut, himariotët kanë jetuar në liri të pashoqe të natyrës… dhe arkitektura e fshatrave e banesave të kësaj zone kanë qenë në funksion të lirisë së vendit…”.
Në Dhërmi me interes është shkolla “Gjike Bixhili”, banesa e Lluke Petro Zhupes, Strati Zhupes, kulla e Vretos, ajo e Kumive, tavani dekorativ i Piro Gjikopullit.
Në Vuno, rrënojat e banesës në forme kulle e Odise Kasnecit, ndërtesa e Shane Kotës, shtëpia muze e vëllezerve Nushi, rrënoja e kalasë së Iliasit.
Himara dhe fshatrat e saj: Palasa, Gjileku, Dhërmiu, Iliasi, Vunoi, Piluri, Kudhesi dhe Qeparoi, në shekuj kanë qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë kulturor të Perëndimit si përsa i përket mënyrës së të menduarit, po ashtu dhe përsa i përket mënyrës së jetesës.
Emigrimi i përhershëm i himariotëve drejt vendeve dhe brigjeve të Europës ka luajtur rol me rëndësi në përparimin e krahinës, e cila ka qenë dhe mbetet vatër e zjarrtë e krishtërimit dhe ortografisë.
Akoma në çdo fshat të Himarës dhe në qytetin bregdetar, në të njëjtin emër ruhen e mirëmbahen dhjetëra kisha dhe disa manastire si: Kisha e Gjithëshenjtorëve në Himarë, Manastiri i Athalit, Kisha e Shën Dhimitrit në Palasë, Shën Kolli i vjetër te limani lindor i gjirit të Porto Palermos, në Qeparo Fushë–Manastiri ë Shën Dhimitrit, Kisha e Shën Gjergjit në Kudhes, Kisha e Shën Kollit në Pilur mes gjelberimit shekullor të dushqeve e lisave, Kisha e Shën Janit në Vuno, kambanoja e Shën Spiridhonit te ky fshat, një arkitekturë adhuruese ndërtimore, Manastiri i Stavridhit midis Shën Mërisë të ndërtuar mbi themelet e një tempulli antik që s’i dihet data e saktë.
Dhërmiu, fshati i 31 kishave dhe i shkollës së parë në krahinë, është përmendur dhe për Manastirin e Shën Thodhorit, i ngritur mbi një kodër të pyllëzuar me një pamje piktoreske e shikim deri tej në detin Jon.
Pas manastirit gjendet gjiri befasuaes i Gjipesë, djathtas Manastiri i Shën Theodhorit, i cili u pikturua për herë të fundit në vitin 1782. Aty shtrihet plazhi i Dhralës. Ai ka një shtrirje fantastike përfund malit të Llogarait, ku perspektiva turistike u buzëqesh këtyre brigjeve që do të ftojnë në gjirin e tyre elitën e turistëve nga Ballkani, Europa dhe gjithë bota.
Fjala e mësipërme “gji” na bën të përmendim Gjirin e Gramatës në bregun shkëmbor të Karaburunit, atje ka gërma në latinisht, greqisht, anglisht etj.,ku janë lënë emra detarësh, piratësh, ushtarakësh që janë aty qindra vjet më parë.
Pamja mrekullilënëse e këtij gjiri në Jon plotësohet nga pamja e Gjirit të Jalit përposhtë Vunoit, gji që dallohet për rërën kurative dhe ujërat e kristalta të detit. I përmendur është Gjri i Spillesë nga mali në shkëmbin e Potamit, me arkitekturën e qytetit të Himarës në kodrat rreth e rreth detit të kalter si kurorë.
Vija e bregut thyhet përsëri në Gjirin e Filikurit, ku sipas mitologjisë së lashtë quhet dhe “Gjiri i Nuseve”. Legjenda thotë se, që të shkonin çiftet jetë të lumtur dhe të gëzuar, natën e parë të martesës duhet ta gdhinin në atë gji. Me bukuri është Gjiri i Llamanit, siç e kanë quajtur të vjetrit “Gjiri i Nimfave të Jonit”. Në të ka lokale komode në harmoni me mbrekullitë natyrore të bregut shkëmbor dhe rërës së artë.
Kryevepra e dorës së Perëndisë mbi këto brigje është Gjiri i Porto Palermos me dy nëngjire, atë të Armiridhës dhe atë të Panormit. Është liman i qetë këtu me emër nga më të vjetrit në Mesdhe, është përmendur nga gjeografë dhe historianë të lashtë. E lakmuan shumë të huajt këtë gji, në të cilin fantazia dhe frymëzimi i njeriut ngrihen në lartësi dehje e fluturimi shpirtëror.
Himara është e pasur me objekte të trashëgimisë kulturore si, monumentet, muzeumet, pikturat, rrënojat, urat, gojëdhënat, legjendat, shkrimet, krijimet muzikore, veshjet, zejet, peizazhet kulturore, malet, besimet, sportet, mjekësia popullore, traditat e gatimit.
Himara dallohet për zejtari shtëpiake, në Kudhes, Pilur prodhohen lloje të veçanta shajaku, qilima, velenxa, veshje burrash. Nga druri janë prodhuar artikuj të ndryshëm si harqe për varjen e këmborëve e zileve, ceturet, lugët, magjet, furkat, cyrrja.
Himara shquhet për grupin e saj polifonik, ku këngët e këtij grupi janë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë dhe trashëgohen brez pas brezi.
Mbajnë peshën e aktiveteteve kulturore artistike në të gjithë zonën duke ecur në gjurmët e Neço Mukës e Dhimitër Varfit.
Kohët e fundit u organizuan aktivitete kulturore- artistike në përvjetor të Petro Markos e Neço Mukes, çelja e sezonit turistik etj.
Shkurt, kush do të dehet, të ëndërrojë, të lumturohet, në fluturime e rrahje zemre me gëzim e gjallëri, le të urdhërojë në brigjet e Himarës turistike, për të cilën shënuam dy fjalë në këto radhë të thjeshta.
BASHKIA HIMARE
1
2
4
5

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate