16 febbraio 2014

Trashëgimi/Punimet prej balte, një traditë nga lashtësia

TIRANË, 15 Shkurt/ATSH/- Objektet prej balte vlerësohen ndër objektet më të lashta të shoqërisë njerëzore, duke përfaqësuar në të njëjtën kohë një nga mjeshtëritë më të hershme që ka ushtruar njeriu. Si e tillë, kjo mbart me vete gjurmët e çdo kohe, duke qënë një tregues i vlefshëm në ndihmë të njohjes së historisë njerëzore në periudha të ndryshme si dhe të vazhdimësisë kulturore të një populli.
Historiku i zhvillimit të poçerisë shqiptare
Në Shqipëri historia e kësaj mjeshtërie zë fill që në neolitin e hershëm. Zbulimet e kësaj kohe, të gjetura në një numër të shumtë vendbanimesh me shpërndarje nga Veriu i Shqipërisë e deri në Jug të saj, janë mjaft të pasura me materiale qeramike, që dëshmojnë për një zhvillim të mirë të saj.
Sipas Institutit të Kulturës Popullore, të dhënat arkeologjike tregojnë se që në shekullin e V-VI p.e.s. është përdorur qarku me dorë. Mjeshtëria e poçerisë paraqitej si një degë e veçantë dhe e zhvilluar e ekonomisë, me të gjitha tiparet e saj. Në periudhën e mesjetës së hershme e më pas, ecurinë e kësaj mjeshtërie e dëshmojnë jo vetëm zbulimet arkeologjike, por edhe një varg burimesh të shkruara.
Lulëzimi që poçeria njohu në periudhën antike nuk u njoh në etapat e mëvonshme sepse vendin e enëve prej balte filluan ta zënë ato prej metali, qelqi dhe në disa raste edhe prej druri.
Megjithatë, mjeshtëria e poçerisë në krahasim me mjeshtëritë e tjera, pati një jetë më të gjatë. Kjo jetëgjatësi shpjegohet me disa veti fizike të veçanta që kanë enët e baltës. Kështu, në to uji ruhet i ftohtë, disa lloj ushqimesh konservohen më mirë dhe pa erë dhe shpesh edhe disa gatime janë më speciale.
Qëndrat e mjeshtërisë së poçerisë në Shqipëri
Në vendin tonë deri në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të ende vazhdonin të ekzistonin disa qendra ku ushtrohej mjeshtëria e punimit të enëve prej balte. Sipas studiuesve, në Shqipërinë Veriore, më të përmendur ishin fshatrat Gojan (Pukë) dhe Gërman (Mat). Në Shqipërinë e Mesme, qendra të tilla vazhdonin të ekzistonin në fshatin Farkë (Tiranë) dhe në qytetin e Kavajës. Ndërsa në pjesën jugore të vendit, më të dëgjuara në punimet e baltës ishin fshatrat Bradvicë, Vërlen e Grapsh në rrethin e Korçës.
Përhapja gjeografike e tyre kishte krijuar mundësi për shpërndarjen e këtyre prodhimeve në të gjitha zonat e banuara, duke u kompensuar me prodhimet e njëra-tjetërs. Poçarët e fshatrave Gojan (Pukë) e Gërman (Mat) njiheshin më shumë për punimin e enëve për përgatitjen e ushqimit, ashtu si edhe ato të fshatit Farkë (Tiranë). Ndërsa poçarët e qytetit të Kavajës dhe ato të fshatrave Bradvicë e Vërlen (Korçë), u bënë të njohur më shumë për punimin e enëve të ujit, bulmetit, ushqimit dhe për mbajtjen e pijeve dhe likove tradicionale.
Në përgjithësi qendrat e punimit të enëve prej balte në Shqipëri patën një prodhimtari të shumtë dhe të larmishme. Ato plotësonin më së miri nevojat e përditshme me enë dhe objekte të tjera, në mënyrë të veçantë për shtresat e varfëra dhe të mesme të popullsisë e sidomos në fshatrat fushorë, ku mungonte lënda e drurit, me të cilën punoheshin një pjesë e mirë e enëve.
Por, përveç enëve të kuzhinës, poçarët shqiptarë janë marrë edhe me punimin e objekteve të tjera si lodra fëmijësh, tuba oxhaqesh, mjete ndriçimi, materiale ndërtimi, etj.
Në hulumtimet e bëra nga studiuesit mbi këtë traditë të lashtë të popullit shqiptar, të tërheq vëmendjen fakti se mjaft tipare të objekteve të punuara në qendrat shqiptare të shekujve XIX-XX, i vërejmë dhe në materialet arkeologjike, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Për vlerat praktike që kanë enët prej balte, kjo mjeshtëri nuk duhet braktisur edhe sot dhe prania e tyre në mjediset familjare dhe sociale është e mirëpritur./f.h/ http://www.ata.gov.al/trashegimipunimet-prej-balte-nje-tradite-nga-lashtesia-52698.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate