08 febbraio 2014

Ajri shqiptar dhe liria që i jep majori francez Thierry Solignac

Majori francez i Forcave Ajrore Shqiptare Thierry Solignac ne bordin e helikopterit "Cougar" mbi Malin me Gropa ne afersi te Tiranes
Majori francez i Forcave Ajrore Shqiptare Thierry Solignac ne bordin e helikopterit “Cougar” mbi Malin me Gropa ne afersi te Tiranes

PROFIL

TIRANË, 7 Shkurt /ATSH- Edmond Prifti/.- Profesioni i tij është i pilotit, por “adhurimi” i tij është toka shqiptare. Majorin francez Thierry Solignac, i cili punon në Repartin e Helikopterëve në Farkë, e njohin shumë syresh, si nga fotot e udhëtimeve të tij duke u ngjitur maleve shqiptare, ashtu dhe nga manovrat që bën me helikopterin ushtarak shqiptar “Cougar” mbi qiellin shqiptar, së paku, një herë në javë.
Për Solignac, “ta lësh veten të lirë e të ëndërrosh, ta kuptosh jetën me sytë e një fëmije që i zbulon gjërat për herë të parë kështu  mund ta përpish jetën me dëshirë”, thotë majori francez për ATSH-në, i cili ka tre vite që jeton në Shqipëri.
Në këtë intervistë për ATSH-në, majori Thierry Solignac përmend një shprehje të shkrimtarit Antonie de Saint Exupery : “bëni që ëndrra të përpijë jetën tuaj, në mënyrë që jeta të mos e gllabërojë ëndrrën tuaj”. Dhe deri sa profesioni i tij është një ëndërr, ai ka pasur mundësinë ta realizojë dhe ta jetojë intensivisht.
Emri i tij u bë i njohur nga media shqiptare më 4 korrik 2013, kur së bashku me Leitnant Kolonelin Altin Lame gjetën e shpëtuan një prej shtatë alpinistëve kroatë të aksidentuar në malin e Jezercës.Piloti Thierry Solignac ne nje nga misionet e tij ne kontinentin afrikan para ardhjes ne Shqiperi 3 vite me pare
Piloti Thierry Solignac ne nje nga misionet e tij ne kontinentin afrikan para ardhjes ne Shqipëri 3 vite me pare
Ai thotë se “atë ditë edhe kushtet e motit nuk ishin optimale.Pajisjet termike në bord dhe njohja e  terrenit (Mali i Jezercës) nga udhëtimet e tij në këte zonë, intuita që ka çdo pilot, bënë  të gjente vendndodhjen e saktë të alpinistëve kroatë. U mundova ta balancoja helikopterin “Cougar”,  në një anë, për shkak të terrenit (një grykë mali) që nuk të lejonte manovrime në një hapësirë të ngushtë. Pjesëtarët e ekuipazhit ishin të plagosur. Duhet ti çoja sa më shpejt ne Spitalin Ushtarak në Tiranë. Por ishte e pamundur që në atë zonë malore të arrije shpejt”, thotë Solignac. Përpos këtij rasti  çdo herë “nga helikopteri, shoh një pamje të bukur. Shoh relievin e kuptoj variacionet e tij. Dhe kështu përshkruaj më lehtë trajektoret”. Ndërsa ti përshkosh në këmbë, do të thotë të përfitosh nga gjithçka, aromat, ngjyrat , variacionet e temperaturës…pra, një paletë ndjesish që vijnë e përplasen përqark shqisave tona. Janë  gjëra që nuk mund ti ndjesh në fluturim”. Por sipas majorit Solignac, i cili ka filluar të kuptoj mirë shqip, “ti kesh, të dy shanset, është një ndërthurje perfekte”.
Dy helikopterë e parë të prodhimit francez “Cougar”, apo siç njihen ndryshe AS 532, me indeks fluturimi Al-001 dhe Al-002, fluturuan për herë të parë mbi qiellin shqiptar në verën e vitit 2012. Ndërsa në dhjetor 2013 vjen edhe helikopteri i tretë, për shërbimet operacionale të Forcave Ajrore Shqiptare.

“Vendi i shqiponjave”, në syrin e majorit francez

Për Thierry Solignac, i qeshur, ndryshe nga “statusi” i tij i ushtarakut që ai mban, Shqipëria është një vend mjaft i bukur dhe që ofron shumë mundësi turistike, veçanërisht për turizmin alpin.
Po ashtu sipas Solignac bashkëpunimi me kolegët e tij (pilotët) shqiptarë ka qenë në një nivel të lartë. “Do më pëlqente të përfitoja nga ky bashkëpunim për të vijuar më tej misionin”, është shprehur Solignac për ATSH-në, i cili mbërriti në Shqipëri në mesnatën e 5 shtatorit 2011.
Majori Thierry Solignac ne nje nga udhetimet e tij ne Shqiperi
Majori Thierry Solignac ne nje nga udhetimet e tij ne Shqiperi
“Kur m’u bë kërkesa për të instruktuar pilotët shqiptarë për tipin e ri të helikopterit Cougar, pjesë e Forcave Ajrore Shqiptare, nuk e njihja aspak Shqipërinë. Por zgjodha qëllimisht të mos bëja hulumtime në internet për Shqipërinë dhe të mos dëgjoja ç’më thoshin njerëzit , duke i krijuar vetes mundësinë ta zbuloja vendin tuaj pa filtra e paragjykime, por veçse nëpërmjet syve dhe ndjenjave të mia”, thotë ai për ATSH.
Përpos asaj që ai gjendej në vend të huaj ku edhe gjërat e parëndësishme kishin një peshë të rëndë dhe detajet më të vogla, përmasa të mëdha, Thierry Solignac rrëfen se “isha kurioz për gjithçka. Ndërtesat me tulla të kuqe, kullat e xhamit, mbi urën e periudhës otomane, liqenin artificial apo shëtitoren me banorët e saj”.
Por më tepër përshtypje atij i bënë njerëzit  kur i ndalonte dhe kur i pyeste në rrugë, për të ditur vendndodhjen. “Ata  ndalonin dhe më orientonin, madje edhe  më shoqëronin. U ndjeva me të vërtetë mirë”. E kështu pak nga pak, Thierry filloi të vizitonte rrethinat e Tiranës. E para ishte Shpella e Pëllumbasit në fshatin Pëllumbas, thuajse 22 kilometra larg Tiranës, më pas Bovilla, Apollonia, Bylisi, Skrapari, etj.
“Është e vështirë ti përmbledh Shqipërinë dhe shqiptarët në një fjali”, shton Solignac, teksa vijon se “Shqipëria është një vend i bukur dhe shqiptarët janë shumë miqësorë e mikpritës me të huajt. Në se interesohemi për historinë e Shqipërisë, është e qartë se është një popull evropian me një pasuri të pafundme.
Majori francez i Forcave Ajrore Shqiptare me nje banor te fshatit Radomire, prane Korabit - Foto: Edmond Prifti/ATSH
Majori francez i Forcave Ajrore Shqiptare me nje banor te fshatit Radomire, prane Korabit – Foto: Edmond Prifti/ATSH
“Pozita gjeografike e Shqipërisë e ka bërë këtë vend një udhëkryq përgjatë shekujve e të gjithë qytetërimeve. Rëndësia e saj historike gjendet në rrënojat e zbulimeve të panumërta të përmendura ose të fshehura, duke pritur për të na dhënë pasuri të mëdha”.
Sipas Thierry Solignac “kjo është arsyeja pse nuk do rrezikoja që ti përmbledhja shqiptarët me disa fjali, të cilat do ta zbehnin atë që kam ndjerë, e ato që unë kam zbuluar deri tani”.
“Por do doja megjithatë të thosha, se ka diçka që më ka magjepsur gjithmonë. Është si ajo buzëqeshja që ndriçon fytyrën e një bariu, të humbur në mal. Është e papërshkrueshme! Mjafton ti thuash “Përshëndetje”, e menjëherë fytyra e tyre ndriçohet nga një buzëqeshje rrezatuese, të cilen e kam gjetur vetëm këtu”.

Të jesh pilot si Thierry

“Përpara se të jesh pilot, duhet të jesh një nxënës-pilot”, thotë majori francez. “Pra, ne u kërkojmë pilotëve ushtarakë të mësojnë shpejt, të dëgjojnë këshillat që ju japim e të bëjnë atë që u kërkohet prej tyre”.
Në Francë, sipas Solignac, “pilotët përzgjidhen në bazë të aftësive të tyre psikomotorike (koordinimi i gjymtyrëve, të dy krahëve, të dy këmbëve në gjeste të ndryshme si dhe disa pyetje reflektimi dhe memoria, në të njëjtën kohë) por edhe të aftësisë së tyre për të bërë atë që iu është kërkuar”.
Ai thotë për ATSH-në se “do ishte e vështirë të përmblidhja profesionin e pilotit me disa fjalë, sepse ai duhet të dijë të mësojë shpejt, të përshtatet në situata të ndryshme, ti paraprijë situatave, të njoh mirë mjetin e tij në mënyrë që të mund të reagojë shpejt e në përputhje me sigurinë e fluturimit”.
Një profesion tejet kërkues, që jep momente të bukura jo veçse për ata që i shohin por edhe për ata që ëndërrojnë të pilotojnë një ditë, Thierry Solignac-ut i ka dhënë mundësinë të zbulojë shumë gjëra, madje edhe veten e tij, të takojë njerëz nga gjithë kontinentet e kulturat, e për më tepër një profesion që “i ka dhuruar syve të tij peizazhe luksoze, por edhe që i ka larguar shumë kolegë nga jeta shumë herët”.
E për ta përmbyllur ai thotë se, “Një zog që pi ujë në një pellg, një muzg që përqafon Dajtin, një vështrim i shkëmbyer gjatë një kafeje në një kasolle të vogël mes Malit me Gropa…çdo gjë, duhet të përjetohet si një ngjarje unike. E së fundmi, mos hezitoni të jepni më shumë rëndësi…njeriut”./f.n/ http://www.ata.gov.al/ajri-shqiptar-dhe-liria-qe-i-jep-majorit-solignac-44680.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate