26 febbraio 2014

Miraj: “Projekti italian përmbys historinë e Amfiteatrit të Durrësit



Nga DHURATA HAMZAI

   
26 Shkurt 2014 - 07:07

TIRANE- “Të përmbysen letrat: një projekt i ri për rifunksionimin e teatrit”. Kështu shkruhet në diçiturën e njërit prej projekteve të Universitetit të Parmës për Amfiteatrin e Durrësit. Ekspozita u çel dje pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ku ekspozoheshin edhe kërkimet italiane mbi trashëgiminë arkeologjike dhe monumentale në Shqipëri. Ekspozita me titull “Të njohësh, Të ruash, Të shfaqësh” është fryt i bashkëpunimit të tri universiteteve italiane, Politeknikut të Barit, Universitetit të Parmës dhe atij të Chieti-Pescaras.

Me kërkimet mbi trashëgiminë arkeologjike dhe arkitektonike janë angazhuar prej vitesh profesorët Sara Santoro, Paolo Giandebiaggi dhe Claudio Varagnoli në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Institutin e Arkeologjisë në Shqipëri. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 mars,  por që nga dita e parë e saj, kanë nisur reagimet e specialistëve më në zë të arkeologjisë shqiptare, të cilët, jo vetëm i kanë quajtur të palejueshme disa nga projektet, por mes tyre arkeologia Lida Miraj ka vërejtur edhe mungesë korrektësie në përdorimin e materialit shkencor.

Për arkeologët shqiptarë “përmbysja e letrave” dhe ngritja e shkallareve moderne mbi amfiteatër nuk mund të tolerohet. Shkurt sipas disa specialistëve përmbysje e letrave, do të thotë përmbysje e historisë. Ja si e argumenton arkeologia Miraj projektin e amfiteatrit të Durrësit, i cili ka ngjallur shumë diskutime.

Në këtë ekspozitë janë edhe projektet për Amfiteatrin. Së pari, cilat janë vlerat autentike të tij?
-Amfiteatri i Durrësit është monumenti më i madh arkeologjik i zbuluar në Shqipëri. I takon si kohë fillimit të shekullit II pas Krishtit. Nuk është e qartë nëse është periudha e perandorit Hadrian apo është periudha perandorit Trajan. Unë mendoj që është fillimi i Hadrianit, sepse në kohën e Trajanit ka një mbishkrim në Durrës ku lexohet që u inaugurua biblioteka dhe për krijimin e Bibliotekës u bë një lojë me 12 çifte gladiatorësh. Kjo nuk presupozon patjetër që ekzistonte amfiteatri, mund të ekzistonte, mundet jo.

Atëherë pse u ndërtua amfiteatri me kapacitet me 20 mijë spektatorë. Amfiteatrot u ndërtuan kudo ku u shtri perandoria romake. Ndërkohë Durrësi, ishte qyteti kryesor që bënte lidhjen midis lindjes dhe Perëndimit. Me sa duket ai u mbyll me tërmetin e vitit 345-346 në gjysmën e dytë të shekullit IV. Më pas adoptohet një kapelë bizantine, e cila në shekullin e 6-të dekorohet me mozaikë dhe jeta e amfiteatrit vazhdon në forma të tjera me ndërtime, me adoptime mbi këto struktura.

 Vijmë tek projekti i paraqitur. Vërehet një funksion modern i këtij amfiteatri
-Unë vetë kam punuar me Universitetin e Parmës dhe disa specialistë të tij. Gjithashtu kam punuar 20 vjet në amfiteatër dhe tani gjendem përballë skicave të mia të përdorura nga kolegët italianë që unë i kam botuar tek revista “Iliria” në  ‘86-n. Ajo që më bën përshtypje është se janë të paraqitura këtu dhe citohet që i kanë bërë këta. Mund të jetë e vërtetë që i kanë bërë, por unë duhem cituar nëse i bëra mirë apo i kam bërë keq. Në statusin e kërkimeve shkencore kjo është obligative, nuk është me dëshirë.

 Unë ua thashë në një mbledhje, se këtu duhet bashkëpunim midis specialistëve italianë, por natyrisht edhe specialistëve shqiptarë që kanë kontribuar deri më sot. Universiteti i Parmës ka bërë disa zbulime arkeologjike në pjesën jugore. Unë kam gërmuar në amfiteatër pjesën veriore, pjesën veriperëndimore. Kam gërmuar edhe në pjesën lindore dhe i kam botuar rezultatet e gërmimeve. Kemi bërë rilevimin topografik të amfiteatrit. Rilevimi topografik i amfiteatrit është botuar në revistën “Iliria”, 1986, nr.2. Shoh që këta të Universitetit të Parmës e kanë botuar këtë planimetri pa e cituar që kjo planimetri është botuar më parë.

Kjo është e detyrueshme. Në qoftë se, ti futesh në një monument për të gërmuar, duhet të shohësh përpara kush ka botuar për këtë monument, çfarë historiku ka dhe pastaj të vazhdosh dhe mund të kesh objeksione kundër. Kur i thashë arkitektes që e kam bërë unë, ajo m’u përgjigj “Unë s’e kam parë”. “Je e detyruar ta shikosh”, i thashë. M’u përgjigj se “unë pashë Vangjel Toçin”, por Vangjel Toçi e ka bërë në ‘60-n. Këtë ia kam thënë edhe Sara Santores kryetares së grupit, të cilën e kam njohur në Itali që në ’93-shin.

Specialistë të arkeologjisë dhe historianët sot kanë bërë shumë komente për diçiturën e projektit të amfiteatrit: “të përmbysësh letrat, një projekt i ri për rifunksionimin e teatrit”. Si e interpretoni ju?
 -Amfiteatri është një monument arkeologjik që duhet të riprezantohet si një monument arkeologjik. Këtyre profesorëve të Parmës, nuk beson kush se ua lejon njeri të mendojnë që po përmbysin letrat e Koloseut dhe ta kthejnë Koloseun në teatër apo në amfiteatër tjetër. Përdoret amfiteatri i Veronës, por ka vite që institucionet për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës konsiderohet gabim hyrja në monument. Madje unë u thashë atyre se kishin paraqitur disa panele xhami dhe disa elementë të tjerë dhe u thashë që kjo gjë nuk lejohet.

Konsiderohet gabim ndërhyrja në monumente. Po thanë, “ja po bëjmë edhe një variant tjetër”. Monumenti prezantohet si monument. Në qoftë se ka mundësi rishfrytëzimi për ndonjë ekspozitë fotografike dhe materiale arkeologjike, sepse janë gjetur shumë, mund të shfrytëzohen, por ti nuk mund të ngjitësh disa shkallare mbi monumentin dhe të vëmë stola në skenë për ta shfrytëzuar si amfiteatër.  Çdo të thotë kjo të përmbysen letrat. Historia nuk përmbyset, historia vazhdon. Ndaj gjithë këto propozime që këta specialistë nuk i bëjnë dot në vendin e tyre, nuk do të mund t’i bëjnë dot në Shqipëri.

Si do të bëhet nëse arrihet ekzekutimi i këtyre projekteve?
-Ekzekutimi i projekteve! Ekzekutimi i projekteve varet. Këta kanë marrë disa fonde të bëjnë një projekt, kanë bërë një projekt. Dëshirat janë të mëdha, por nuk ma merr mendja që do të lejohet të realizohen këto ndërhyrje të këtyre monumenteve.  

Pati zëra që thanë se në projekt amfiteatri duket si një qendër tregtare biznesi...
 -Behën projektet kështu se ka shumë që ngatërrojnë destinacionin. Dëgjova një përfaqësuese të turizmit që tha se arkeologjia është material që i shitet turizmit. Arkeologjia nuk është material që shitet. Arkeologjia i prezantohet turizmit. Dhe unë kur ia bëra vërejtjen ajo tha unë jam tregtare që shes dhe blej. Ti je përfaqësuese e shtetit i thashë.

Arkeologjia nuk është material që shitet, na prezantohet ne dhe të huajve, që të shohim çfarë pasurie trashëgojmë, sepse ne trashëgojmë një pasuri kulturore arkeologjike shumë të madhe, me të cilën nuk duhet lejuar askush si t’i dojë qejfi. Nuk do përmbysen letrat, nuk do të përmbyset Historia. Që të mos ndodh kjo, në Shqipëri është urgjente ligji i trashëgimisë dhe rimëkëmbja e Institutit të Monumenteve.

Ky institucion ka qenë totalisht i zhveshur nga profesionistët, sepse trashëgimia kulturore nuk mund të drejtohet as me ekonomistë, dhe as me ata që kanë mbaruar punë sociale dhe as me të diplomuar në gjuhët e huaja. Duhen profesionistët e vërtetë të drejtojnë punët e trashëgimisë kulturore.

Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/miraj-projekti-italian-permbys-historine-e-amfiteatrit-te-durresit-202554.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate