20 febbraio 2014

Si u rigjet “Bukuroshja e Durrësit”

Nga GEZIM KABASHI
19 Shkurt 2014 - 07:17





TIRANE- Mozaiku i mrekullueshëm që tashmë njihet me emrin “Bukuroshja e Durrësit” është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore 55 vjet më parë. “Bukuroshja e Durrësit” është mozaiku më i shquar dhe më i lashtë i gjetur në Shqipëri dhe aktualisht ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë pikërisht në vitin 1959 një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit.

Bashkëpunëtori i Vjetër shkencor Vangjel Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillim të shekullit të 20-të, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Për herë të parë ky mozaik, që i përket shekullit të 4-3 para erës sonë, u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Oficeri austriak Camillo Prashnicher, i cili qe dhe një arkeolog i shquar u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej.

Prashnicher është i pari që e botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurative. Më pas mozaiku u mbulua dhe humbi për 33 vjet. Për fat të mirë, falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker. Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.

Rizbulimi i mozaikut ngjalli interesin e shumë shkencëtarëve të huaj, të cilët me gjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë. Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë. Në qendër të mozaikut është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizazhi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh. Mozaiku është mbiquajtur  "Bukuroshja e Durrësit", një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtërve ilirë që e krijuan atë.

Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik. Teknika e përdorur për krijimin e mozaikut është me gurë zalli natyrorë me ngjyra të ndryshme të ngjitura me njëra tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe. Në vitin 1982 mozaiku u zhvendos nga Durrësi dhe u instalua në sallën kryesore të Antikitetit në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ende nuk ka një mendim të përcaktuar shkencor se kujt I përket figura qendrore e mozaikut. Sidoqoftë mozaiku vazhdon të njihet thjesht si “Bukuroshja e Durrësit”, duke I dhënë qytetit të lashtë një privilegj më shumë përballë turistëve vendas dhe të huaj.

Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/si-u-rigjet-bukuroshja-e-durresit-201574.html#sthash.Vvr6el9F.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate