01 febbraio 2014

DËLLËNJË - NJË DITË NË FSHATIN E PESHKATARËVE, ATY KU VJOSA, DETI, PYLLI DHE LAGUNA, PËRQAFOHEN NË HARMONI...


Dëllënjë - një ditë në fshatin e peshkatarëve

WRITTEN BY FLORA XHEMANI BABA ON WEDNESDAY, 29 JANUARY 2014. POSTED IN REPORTAZH

 Nëse themi Vlora, për të gjithë ju ajo fillon përtej Urës së Vjosës, o më mirë, fillonte atje, sepse me degëzimet dhe gjarpërimet hyr-e-dil të superstradës së re, qysh se lëmë pas Levanin e marrim djathtas, fillojmë të mendojmë për detin dhe për magjinë që të mbështjell sapo hyn në territorin ku qarkullon ajri i Vlorës. Ka mbetur shumë pak për të thënë, e shumë për të bërë në fakt, me realitetet e reja e popullimin gjithnjë e më të rrëmujshëm të Vlorës, sa nuk dihet ku mbaron bukuria e  ku fillon shëmtimi i peisazhit bregdetar sepse luksi i derdhur pa dhimbsuri nëpër ca ndërtesa, përzier me vulgaritetin e ca të tjerave, e nga ana tjetër, barbaria që ato i kanë punuar detit, të le vazhdimisht në mëdyshje.
Mirëpo, nuk do merremi fare me këtë, madje, nuk do hyjmë hiç në Vlorë. Dhe nuk do marrim as rrugën hyr-e-dil të superstradës së re…

Anës Vjosës…
Dëllënjë - një ditë në fshatin e peshkatarëveNatyra dhe zoti kanë dashur që Vlora të ndahet me Fierin me kufi të qartë, të pastër e të pangatërrueshëm, e çfarë kufiri se, një Nil i vogël do thoje, që kur zemërohet fort, bën dhe dëm të madh….
A keni provuar të ndërmerrni një udhëtim përgjatë Vjosës, për të parë se ç’fsheh ajo nëpër brigjet e saj? Janë plot pesë fshatra që shoqërojnë rrjedhën e lumit por më i bukuri është ai i fundit, që e përcjell Vjosën deri në krahët e Adriatikut. Dikur, para se të vendoseshin aty shtëpitë e para, zona ishte e mbushur me shkurre dëllinjash, e, edhe fshatit kështu i mbeti emri, Dëllinjë. Mirëpo vlonjatët nuk e shqiptojnë dot fjalën “dëllinjë”, ata thonë “dëllënjë”. Dhe përfundimisht, edhe në hartë e kudo, shkruhet Dëllënjë. Dëllënja është e padyzuar, ndryshe nga fshatrat e tjerë që shoqërojnë Vjosën këndej e andej pjesëve fierake e vlonjate.  Nëse ka një Bishan e një Pishë Poro në anën e Vlorës, këtej Vjosës, po ashtu ka edhe një Bishan e Pishë Poro, andej Vjosës, në anën e Fierit. Kurse Dëllënja është një e vetme.
Fshati gjallon buzë një pylli të harlisur pishash, që lulëzojnë prej dekadash tashmë mes shkurreve të marinave, që i shoqërojnë deri në brigjet e Vjosës, vetëm dyqind metra larg shtëpive. Kur futesh në pyll dhe ndjek shtigjet e hapura, nuk pret të shohësh ujë por vazhdon mes gjelbërimit, që të thërret brenda e që shfaq herë pas here zabele të vegjël ku ta ka ënda të ulesh. Pastaj papritur, mes marinave, shtegu hapet dhe shfaqet Vjosa. Hijerëndë, e mrekullueshme.  Varkat e ankoruara buzë moleve të vegjël të improvizuar të tregojnë se aty peshkohet, natyrisht. Ky fshat jeton me peshkimin.
Bregu buzë marinave, është gati rërë kurse brezi që futet në ujë është tokë e mbi të janë ngulur hunj, ku lidhen varkat. Tej bregut, fshatrat që i përkasin Fierit. Hapësira është e gjerë, krijon idenë e pafundësisë ndërsa nga perëndimi, ajo vërtet nuk ka fund sepse humbet në Adriatik.
Rrethuar nga një hapësirë e pamatë uji e shkurresh, pylli e  dunash ranore, që janë edhe pjesë e zonave të mbrojtura, trekëndëshi i fshatrave  Poro-Delisuf-Dëllënjë  mund të të ofrojnë gjatë të gjithë vitit bukuri që rrallë mund t’i hasësh diku tjetër. E çuditshme se si kjo zonë është kaq e panjohur me një potencial të tillë natyror  dhe vetëm dhjetë kilometra larg nga rruga kombëtare. Djemtë e fshatit kanë bërë përpjekjet e para për të ndërtuar njësi të vogla turistike, ndonjë restorant të thjeshtë a bar buzë deti tek-tuk, dikush ka hedhur themelet e ka ndërtuar hotelet e parë, por të gjithë pohojnë se është ende herët  për të pritur masivisht turistë. Plazhi në verë popullohet kryesisht me banorët e tij, që tashmë jetojnë jashtë Shqipërisë e që verës kthehen nëpër fole, të vizitojnë prindërit. Për momentin duhet të kënaqemi me bujqësinë dhe me peshkimin.                                        
Banorët e vjetër të fshatit tregojnë për kohët e arta kur Kallënga mbushej me peshk që vinte nga Lumi Vdekur e që e sillte deti kur vinte bura. Atëherë të gjithë, edhe fëmijët, merrnin nga një kovë dhe shkonin ta mbushnin me peshq. Sot, nuk ka më aq shumë peshk, ai është trembur nga dinamiti dhe rri thellë në det ose nëpër deltën e Vjosës.
Kallënga? Bura? Lumi i Vdekur? E çfarë emrash janë këta?
Kallënga është një lagunë e vogël, e cila lidhet me detin dhe mbushet kur vjen batica (vlonjatët i thonë bura, kishit dëgjuar?). Kurse Lumi i Vdekur është një lumë në formë patkoi që verës thahet krejtësisht, e dimrit mbush zonën me ujë, deri në buzë të pyjeve, duke e bërë të pakalueshme zonën që të çon drejt detit. E vetmja rrugë kalimi, mbetet asfalti i dikurshëm, që të çonte tek zona ushtarake e bunkerëve ku rrinin topat. Pastaj, me makinë 4x4.
Jo vetëm për peshk por edhe për gjah
 Askush nuk e di pse quhet Kallënga por të gjithë të vjetrit thonë që ishte vendi i preferuar i Mehmet Shehut. Ish-anëtari i ish-byrosë së dikurshme politike në vitet e komunizmit, ia thoshte fort gjahut, që në këto anë ishte me shumicë. Dhe kur vinte ai, e gjithë zona izolohej. Përveç peshkut që gjendej në lagunë, kishte edhe zogj të shumëllojshëm, që e popullojnë edhe sot. Bajzë, rosë, çafka, ose çajme, siç i thonë vendasit. Gjithçka. Në fakt turet e gjata të patriarkut komunist shkonin deri thellë në Nartë, sepse kjo zonë, shënon pikërisht fillimin e pyllit të Sodës, i cili vazhdon përgjatë Lagunës së Nartës, e deri në hyrje të Vlorës, atje ku i thonë Plazhi i Vjetër.
Tani në zonë gjuajnë djemtë.
Laguna magjike me emrin Kallëngë
Kur shkuam të shihnim Kallëngën, kishte qëlluar një ditë që edhe ta kishe porositur me letër tek nëna natyrë, nuk do të kishte ardhur kaq e bukur. Pas shiut, zakonisht qielli hapet e kthjellohet, duke lëshuar shtëllunga resh që kishin krijuar formacione të barabarta ushtarësh e që pasqyroheshin mbi lagunë, ku nuk frynte asnjë grimë erë. Çafkat, ose çajmet, që janë edhe banoret më të zakonshme të lagunës, morën fluturim e u zhdukën tej nga drejtimi i Zvërnecit. Vetëm disa syresh mbetën. Ishte një peisazh i papërsëritshëm.
Tej lagunës, deti. Më përtej akoma, ishulli i Sazanit. Na bëri përshtypje, nuk e kishim parë ndonjëherë në këtë pozicion. Varkat kishin mbaruar peshkimin e po preheshin në breg (peshkatarët  thonë se peshku më i mirë është ai i natës).
Kur po ktheheshim, një gjë tjetër që na ra në sy, ishte bimësia e kësaj zone të tejngopur me kripë. Një shkurre me gjethe të tulta që banorët i thoshin “shëllirë”, për shkak të shijes së njelmët që kishte, një tjetër lloj shurreje e kuqërrme që quhej “fshesë kripe”. Gjithçka kishte lidhje me kripën. Epo ishim afër detit, natyrisht.
Kur u futëm në fshat gjëja e fundit e bukur që e mbyllte udhëtimin ashtu siç duhej, ishte lajmi që megjithëse nuk ishte stina, (që zakonisht i takon muajve prill-maj), peshkatarët natën e kaluar kishin ruajtur një surprizë për ne. Kishin zënë ngjala.
E ku kishte më bukur se ta mbyllje udhëtimin me një drekë ngjalash? Dhe jo me verë, se do t’u ngelej hatri banorëve; me raki fshati. http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/reportazh/item/dellenje-nje-dite-ne-fshatin-e-peshkatareve

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate