08 febbraio 2014

Kisha e Shën Marisë në Zvërnec, e lënë në harresë


Vlore Kisha e Shën Marisë në Zvërnec, rrezikohet njera prej kolonave të ekzonarteksit Foto Harilla Koci ATSH
Vlore Kisha e Shën Marisë në Zvërnec, rrezikohet njera prej kolonave të ekzonarteksit Foto Harilla Koci ATSH
-Vëzhgim-
VLORË, 7 Shkurt/ATSH-Harilla Koçi/.-Kisha e Shën Marisë, në ishullin e Zvërnecit, pranë Vlorës, pjesë e kompleksit të Manastirit me të njëjtin emër, me vlera të rralla  historike e arkitekturore, duket se është lënë në harresë.
Njëra prej kolonave të ekzonarteksit, ose parasallës të Kishës, rrezikon të shembet,  një fenomen ky i kaherët.
Rreziku që i kanoset Kishës së Shën Marisë, është bërë evident dhe nga gazetari i ATSH-së, gjatë një vëzhgimi të bërë para dy vjetëve në këtë monument me rëndësi historike dhe kulturore. Por duket se çdo gjë i është lënë  harresës.
Specialistë të Monumenteve të Kulturës të pyetur nga ATSH,  paralajmërojnë  rrezikun që mund t’i kanoset jo vetëm kolonës mbajtëse, por dhe vetë godinës së Kishës së Shën Marisë, 10 km në perëndim të qytetit të Vlorës.
Ata  shprehen të shqetësuar se nëse nuk do të merren masa për riparimin e saj, rreziku do të jetë i madh. Fasada e ekzonarteksit përbëhet nga shtatë harkore të mbështetura në gjashtë kolona, njëra prej të cilave është dëmtuar dhe rrezikon të shembë ndoshta dhe gjithë këtë pjesë të godinës së kishës. Kisha dhe Manastiri i Zvërnecit, me vlera të rralla dhe të papërsëritshme historike e arkitekturore të një periudhe shumëshekullore, e tipit “kryq i lirë”, me kupolë, mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re.
Faza e vjetër përbëhet nga naosi, ose salla dhe narteksi, ose parasalla. Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindorë dhe perëndimorë janë më të gjatë se ata jugorë dhe veriorë. Naosi përbëhet nga elementë të tillë si absida, një mjedis gjysmërrethor dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të lidhura mes tyre me llaç.
Narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ndërsa pjesa më e re e kësaj kishe përbëhet nga ekzonarteksi, ose portiku dhe këmbanorja. Ai është ndërtuar me të njëjtën teknikë si edhe pjesa tjetër dhe e vjetër e kishës dhe së bashku me kolonat, sipas specialistit Novruz Bajramaj, përfaqësojnë një ndikim të arkitekturës romake në atë bizantine.
Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet këmbanorja, e cila mund të jetë e të njëjtës kohë ndërtimi me ekzonarteksin. Restaurimi i fundit i këtij objekti është bërë në vitin 2003. Për kohën në të cilën është ndërtuar ky objekt kulti, ka mendime të ndryshme. Varianti i parë përcakton si periudhë ndërtimi, shekujt XIII-XIV, ndërsa varianti i dytë e çon edhe më larg hershmërinë e kësaj kishe deri në shekujt X-XI./m.sh/f.n/ http://www.ata.gov.al/vlore-kisha-e-shen-marise-ne-zvernec-e-lene-ne-harrese-44551.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate