20 febbraio 2014

Drejtori: Ja kush i shkaktoi dëmet në Apoloni

 DHURATA HAMZAI
19 Shkurt 2014 - 07:11





TIRANE- Marin Haxhimihali rrëfen prapaskenat e projekteve të premtuara nga qeveria e mëparshme për Parkun e Apolonisë, ato më të bujshmet. U premtua që mozaiku romak i zbuluar në vitin 1958 nga një ekspeditë shqiptaro-ruse të rizbulohej nga një mision arkeologjik shqiptaro-francez dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe të bëhej i vizitueshëm. Për fat të keq kjo nuk paska ndodhur! Gjithashtu, Haxhimihali rrëfen edhe dëmet e ekspeditave të huaja me projektet e parealizuara dhe kontratat e parregullta.

Këto probleme gazeta “Shqiptarja.com” i ka bërë pareshtur publike përmes intervistave të specialistëve, siç janë dëmtimet në Manastirin e Shën Mërisë, në Teatrin e Apolonisë, si dhe dëmtimi i murit antik, që u bë prej gërmimit të gabuar të themeleve në “Portikun Lindor” të Muzeut të Apolonisë. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur rastësisht, por “falë” mungesës së kontrollit të faktorëve shtetërorë vendimmarrës….  

A do të ndalen dëmet...
Tashmë një fond prej 750 000 eurosh është akorduar për Parkun Arkeologjik të Apolonisë përmes Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Shuma që do të lëvrohet për restaurimin e Apolonisë është deklaruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro pak ditë më parë. Drejtori i parkut konfirmon se “kanë filluar projektimet që lidhen me implementimin e këtij fondi në terren”. Po si do të menaxhohet ky fond dhe a do të ndalen dot dëmet e sipërpërmendura. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë zbardh detaje mbi destinacionin e këtij fondi...

Zoti Haxhimihali, ministrja e kulturës ka deklaruar lëvrimin e një fondi prej 750 000 eurosh të BE-së për Apoloninë. Cilat janë destinacionet konkrete të këtij fondi?
 -Ndonëse sezoni turistik ende nuk ka filluar, në Apoloni po bëhen të gjitha përpjekjet që gjërat të ndryshojnë për mirë. Dy janë drejtimet kryesore në të cilat do të përdoret ky fond i konsiderueshëm - më i madhi që është dhënë ndonjëherë qëkurse është krijuar parku arkeologjik: restaurimet dhe konsolidimet e gjithë kompleksit të Manastirit të Shën Mërisë si dhe infrastruktura e re turistike e parkut që do të lidhet drejtpërsëdrejti me autostradën Fier-Vlorë.

Nuk është hera e parë që BE cakton fonde për parkun Arkeologjik të Apolonisë, por me to prej vitesh është abuzuar ose nuk janë përdorur me efikasitet, si do të parandalohen tashmë këto dukuri?
 -Po bëhen të gjitha përpjekjet që fondi të kanalizohet në rrugën e duhur për t'u përdorur me efikasitet maksimal. Nga kjo, përfitimi do të ishte i dyfishtë: jo vetëm që eliminohen të gjitha problemet e verifikuara së fundi, me rrëshqitjet e terrenit dhe dëmtimet e ndryshme, por edhe hapet një portë e re hyrëse që do t'u mundësonte turistëve të kalonin brenda pak minutash direkt nga autostrada e re në zemër të parkut arkeologjik. 

Rezultati i pritshëm për Zyrën e Parkun Arkeologjik Apolonia dhe Ministrinë e Kulturës, që është dhe dikasteri i vartësisë së kësaj strukture, është 10-fishimi i numrit të vizitorëve në një hark kohor prej 4 vjetësh. E gjitha kjo me kusht që të ketë përfunduar më parë ndërtimi i gjithë autostradës Fier - Vlorë. Është një objektiv ambicioz për të cilin stafi i specializuar e me përvojë shumëvjeçare i zyrës së parkut arkeologjik ka një strategji të qartë.

 Dihet që para dy vjetësh një ekspeditë gjermane do ta kthente në sektor të vizitueshëm Apoloninë, por nuk dha rezultatin e premtuar, ku i gjeti fondet, kush i ka disponuar dhe si janë përdorur?
 -Puna e ekspeditës gjermane ka qenë lidhur me teatrin dhe ka qenë drejtuar nga Instituti i Arkeologjisë, pra ka pasur lidhje me arkeologjinë dhe jo me Ministrinë e Kulturës. Me arkeologët gjermanë ka qenë një arkeolog i parkut që i ka drejtuar ekspeditën, por për burimet financiare nuk kam asnjë informacion. Informacionin e ka instituti i arkeologjisë. Ajo ka qenë një marrëveshje afatgjatë mes tyre, ku bëheshin gërmimeve vit për vit. Por ky projekt është mbyllur tani.

Është mbyllur por la pas pasoja, ç’duhet të themi për këtë?
 -Çështja e Teatrit të Apolonisë është gjykuar në dy mënyra, një palë përmendi se shkak ishte shkarja e tokës. Ndërsa ekspertët e gjeologjisë e hodhën poshtë këtë tezë. Megjithatë, pas këtyre problemeve firma ka bërë një përpjekje për të lehtësuar procesin e shkarjes. Pasojat u certifikuan nga ekspertë të gjeologjisë, të cilët lëshuan alarmin për ndryshimet në mënyrën e gërmimit. Por kjo gjë nuk u mor parasysh. Në përfundim u arrit që së paku e gjithë lënda arkeologjike të zhvendosej në një sektor tjetër. Ekspedita gjermane e mbylli projektin, por çështja mbetet e hapur se ç’do të bëhet me këto blloqe gurësh.

Po për dëmtimet e murit rrethues që kanë dëmtuar edhe strukturën e parkut, kujt i mbetet faji dhe si mendoni se do të rregullohet dëmi?
 -Dëmet nisin me një gërmim të vitit 1991, i cili e dobësoi shumë strukturën nga jashtë, dhe pasojat kanë rrjedhur vit pas viti. Ndaj një nga projektet kryesore të Ministrisë së Kulturës është që të përforcojmë strukturën. Kjo është një nga pikat e projektit.

Si është gjendja aktuale e Muzeut të Apolonisë?
 -Gjendja e muzeut është shumë e mirë, kjo për sa i përket pjesës së ekspozitës, por projekti parashikon të rregullojë kushtet klimatike, nivelin e temperaturës dhe sidomos përmirësimin e sigurisë teknike.

Meqë ra fjala për sigurinë teknike, ka kamera vëzhguese aty?
 -Ka 16 kamera, të cilat e mbulojnë hapësirën e muzeut, por do të zgjerohet vëzhgimi për pjesën jashtë muzeut në hapësira të tjera të parkut. Dhe meqë jemi tek siguria teknike kam rastin të jap edhe lajmin e mirë se sapo kemi rregulluar sinjalistikën turistike, gjë që është financuar nga ambasada franceze. Sinjalistika është vendosur në tri gjuhë: shqip-frëngjisht-anglisht.

Po me mozaikun e kishës romake që sipas një projekti duhej të ishte rizbuluar për t’u vizituar nga turistët, ç’po ndodh realisht?
 -Mozaiku tashmë është i siguruar, por për fat të keq nuk është i ekspozueshëm. 

Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/drejtori-ja-kush-i-shkaktoi-d-met-n--apoloni-201504.html#sthash.Y02BawQS.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate