08 febbraio 2014

Ministria e Kulturës, shpall konkurs për 6 Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, Vlorë, Korçë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, aty ku dhe është përqëndruar numri më i madh i monumenteve të kulturës

Berat Foto ARKIV ATSH
Berat
TIRANË, 7 Shkurt /ATSH/.- Ministria e Kulturës e ka reduktuar nga 9 në 6 numrin e drejtorive rajonale të kulturës.
Kjo është faza e parë e reformës në trashëgimisë kulturore. Në faqen e MK-së online janë shpallur konkurset për Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, Vlorë, Korçë, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, aty ku dhe është përqëndruar numri më i madh i monumenteve të kulturës.
Shpëtimi i trashëgimisë kulturore nga keqmenaxhimi dhe nga dëmtimet është prioritet i Ministrisë së Kulturës e cila ka hartuar politika për të ndryshuar këtë gjendje, ku nuk mungojnë jo vetëm ndryshimet në buxhet por edhe në struktura. Një nga pikat që ka shumë vëmendje në punën që po bën MK, është riorganizimi i Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare, të cilat janë të parat që merren me trashëgiminë kulturore në terren.
Riorganizimi që do të ndodhë gjatë këtij viti, përkon me faktin se nga 9 Drejtori Rajonale të Kulturës Kombëtare që janë nën varësi të MK, do të jenë vetëm 6 të tilla, ku rritja e buxhetit do të jetë në zërat që do të garantojnë mirëmbajtje dhe mirëmenaxhim të vazhdueshëm të monumenteve.
Nё 2014 ka njё rritje prej 161% tё fondit të projekteve në fushën e trashëgimisë. Nga 11,504,000 nё 2013, nё 2014 shkon nё 30,000,000 Lek. Kjo rritje nё buxhetin e 2014 shkon paralel me krijimin e një drejtorie të re për Trashëgiminë imateriale krahas asaj materiale e cila do të synojë gjallërimin e jetës kulturore përtej Tiranës, të riteve dhe festave popullore, të festivaleve rajonale dhe ndërkufitare.
Qyteti Gjirokaster Foto Telnis Skuqi ATSH
Qyteti Gjirokaster Foto Telnis Skuqi ATSH
Sipas buxhetit të MK-së kjo sjell një kursim të fondit të pagave në vlerën 2.200.000 lekë, pasi vlera e pagave e parashikuar në strukturën ekzistente ishte 262.483.303 dhe bëhet me strukturën e re 260.222.697 lekë.  Ky fond pagash do të përdoret në favor të shtimit të numrit të specialistëve në 6 DRKK, duke e kompletuar secilën DRKK me të gjithë ekspertizën e nevojshme në mirëmbajtje dhe restaurim për të kryer misionin e tyre.
Gjatё 2014 do tё fillojё puna pёr muzealizimin e Muzeut Arkeologjik tё Durrёsit, rikonstruksioni i tё cilit duhej tё ishte mbyllur qё nё fund tё vitit 2012, por do të mbyllet këtë vit me këstin e fundit të investimit prej 10 milion lekësh si dhe për restaurimin e Manastirit tё Shёn Mёrisё nё Apolloni me një fond investimi të huaj prej 109 milionë lekë që do të ndahet në dy faza.
Kandidatët që do të marrin pjesë në konkurs duhet të paraqesin një platforme për menaxhimin territoriali të Trashëgimisë Kulturore të zonës në juridiksion te saj. Kandidati duhet të paraqesë dokumentet brenda datës 14 shkurt pranë Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Kulturës./b.l/f.n/ http://www.ata.gov.al/ministria-e-kultures-shpall-konkurs-per-6-drejtorite-rajonale-te-kultures-44808.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate