04 febbraio 2014

Elbasan- Xhamia e Nazireshës, faltore e arkitekturës mesjetare

Xhamia e Naizershës në Elbasan Foto: Miranda Sadiku
Xhamia e Naizershës në Elbasan Foto: Miranda SadikuElbasan, 4 Shkurt/ATSH- Miranda Sadiku/- Xhamia e Nazireshës, e pozicionuar në unazën jugore të qytetit të Elbasanit, njihet si e para faltore monumentale e konceptuar në stilin klasik osman. Edhe pse nuk ka një datë të saktë se kur është ndërtuar Xhamia e Nazireshës, referuar stilit arkitekturor, mendohet se ajo i takon gjysmës së parë të shekullit të XVI. Një nënshkrim me bojë, në murin fundor, tregon vitin 1599, që sipas disa studiuesve nënkupton ndërtimin e xhamisë.
Në enciklopedinë e Elbasanit, emri i xhamisë përjetëson gruan e njohur të qytetit, bashkëshorten e një personaliteti të kohës me funksion të rëndësishëm perandorak, i cili e ngriti faltoren për nder të saj.
Sot, xhamia e Nazireshës është një monument kulture që mbrohet nga shteti, si një nga monumentet më përfaqësues të arkitekturës mesjetare shqiptare.
Salla e faljes dhe minaresë ruhen në formën origjinale. Muratura së bashku me minarenë janë realizuar me teknikën e klausonazhit.
Në një periudhë të dytë, kupola dhe një pjesë e minarsë janë restauruar. Dyshemeja e xhamisë është e shtruar me pllaka poligonale prej qeramike, ashtu si të gjithë xhamitë e tjera në vend.
Për herë të pare, në dhjetor të vitit 2006, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në Tiranë miratoi fond prej 3 milion lekësh për restaurimin e xhamisë së Nazireshës. Investimi u përqëndrua në vendosjen e unazave metalike në minarenë e objektit, e cila  rrezikonte shkatërrimin si pasojë e spostimit.
Në korrik të vitit të kaluar, Fondacioni Shtetëror Turk “TIKA” në bashkëpunim me Myftininë e Elbasanit dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës nisën zbatimin e një projekti për restaurimin tërësor të këtij objekti kulti, me vlerë 700 mijë euro. Paralelisht me  xhaminë e Nazireshës, Fondacioni  “TIKA” po restauron dhe pesë xhami të tjera.
Xhamia e Nazireshës është ndër më të hershmet dhe më të rrallat në vend. Ajo është e stilit sulltanor, me minare dhe kupolë.
Në qytetin e Elbasanit numërohen 5 xhami; xhamia Mbret brenda kalasë së qytetit, xhamia e Pashës në vendin e quajtur “Tri Urat”, xhamia e Nazireshës në jug të qytetit, xhamia në lagjen “Skënderbej” dhe xhamia më e re El-Hagri. Më parë, qyteti numëronte 20 xhami, por pjesa më e madhe e tyre u shkaterruan nga regjimi komunist. /k.sh/ http://www.ata.gov.al/elbasan-xhamia-e-nazireshes-faltore-e-arkitektures-mesjetare-40353.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate