11 febbraio 2014

Si u zhduk mozaiku 2400-vjeçar i Çerjes-Vlore

Nga HARILLA KOÇI

11 Shkurt 2014 - 07:31
TIRANE- Kjo fotografi paraqet pjesë nga një prej objekteve të rralla të zbuluara 50 vjet më parë në Çerje, një prej qyteteve antike në rrethin e Vlorës. Prej këtij objekti, gjini e pikturës monumentale të lashtësisë, tashmë ka mbetur vetëm kjo foto, sepse mozaiku u shkatërrua për të hapur tokë buke(?!)
Studiuesi Gëzim Llojdia tregon se ky objekt i rrallë u zbulua në vitin 1964 gjatë gërmimeve për çeljen e tokave të reja, pranë shtratit të një lumi, në afërsi të fshatit Mesaplik, 45 km në lindje të Vlorës, në vendin e quajtur “Kisha e Kaçorit” nga dhe mori emrin.

“Në një gur të këtij mozaiku janë të gdhendura dy figura, dielli, që në të vërtetë mund të duken si dy planetë”, thotë Llojdia. Sipas tij, figura e parë identike me të dytën, paraqet një rreth të plotë, pas të cilit vjen një tjetër brenda të parit, më pas i treti dhe në fund rrethi më i vogël sa grushti. Kjo figurë e gdhendur është dëshmia e vetme për ekzistencën e dikurshme të mozaikut.

Mozaiku i Kaçorrit ishte pjesë e gjurmëve arkeologjike të qytezës antike të Çerjes, një nga më të vjetrat e zbuluara në Qarkun e Vlorës dhe më gjerë. Pranë tij mendohet të ketë qenë një banjo publike, ndërkohë që janë zbuluar edhe gurë të punuar me mjeshtëri dhe kolona e statuja femrash në mermer. Kjo të bën të mendosh se mozaiku është pjesë e një ndërtese publike që i përket shekullit 3-4 para Krishtit. Për të plotësuar tablonë e vlerave të kësaj qendre të antikitetit ku jetonin kaonët, Llojdia evokon historikun e saj që lidhet me një nga periudhat më të rëndësishme, atë të shtrirjes së fesë së krishterë.

Pushtimet nga lindja dhe perëndimi shkaktuan një rënie të re ekonomike-shoqërore kulturore, prandaj kaonët si të gjitha provincat romake të lindjes dhe perëndimit pranuan të përqafonin fenë e krishterë, duke menduar se aty do të gjenin shpresën e shpëtimit, çka u shoqërua me lindjen e faltoreve të para të ritit të krishterë që më vonë u kthyen në peshkopata, që vareshin nga Bazilika e Mesaplikut. Kjo histori e pasur përforcohet edhe nga elementë të tjerë të zbuluar vite më vonë në këtë zonë, ku veçohet Mozaiku i Dytë i Mesaplikut që u gjet në vitin 1979 në qendër të fshatit me të njëjtin emër, pranë një kishe të vjetër që dëshmon praninë e artit paleokristian.

Gjatë gërmimeve në një territor më te gjerë në këtë zonë, në vende që lidhen me praninë e kishave të dikurshme, janë gjetur relike, forma tjegullash, enë balte, pllaka mermeri, qypa etj. Dy mozaikët e zbuluar në këtë kompleks arkeologjik, një nga qendrat më të njohura të antikitetit, janë objekte të rralla, të vlerësuara si monumente kulture. Por, ato patën edhe dy fate të ndryshme. Mozaiku i Mesaplikut, ose i Kaçorrit, u shkatërrua për t’ia lënë vendin një sipërfaqe prej 80 metra katrore tokë bujqësore(!!!), i dyti është në ruajtje në Drejtorinë e Monumenteve të Kulturës.



Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/si-u-zhduk-mozaiku-2400-vjecar-i-cerjes-200257.html#sthash.dUkmLfn8.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate