17 agosto 2013

Zbulohet pusi 2500-vjeçar në Apoloni

Nga Dhurata Hamzai
Një pus antik, që daton deri në pesë shekuj para Krishtit deri në tetë metra i thellë, sapo është zbuluar në zonën arkeologjike të Apolonisë, Fier.

Drejtori i parkut arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, ka pohuar dje për gazetën “Shqiptarja.com” se “Përfundoi së gërmuari pusi, i cili rezulton të jetë 8 metra i thellë”.

Haxhimihali pohon se ky zbulim është bërë nga ekspedita franceze që po kryen gërmimet në  Teatrin e Apolonisë. Ndërsa arkeologu francez Zhan Lyk, pas këtij zbulimi ka pohuar se ky është një ndër zbulimet më të veçanta të kësaj ekspedite arkeologjike, ku sipas tij “Zbulimi rezulton të jetë tepër i veçantë, sepse është në gjendje të na japë një tipologji të saktë për studimin dhe zbulimin e këtij qyteti antik.

Arkeologu francez thotë ndër të tjera se “pusi i përket periudhës klasike”, periudhë të cilën drejtori i parkut Haxhimihali thotë se u përket shekujve të pestë dhe të katërt para Krishtit. Materiali që u gjet, sipas arkeologëve bëhet fjalë të jetë i mesit të shekullit të 5-të deri ne shekullin e 4-t.

Më tej, arkeologu francez Zhan Lyk, pohon se edhe pse këto sende janë në gjendje të copëtuar dhe të fragmentizuara janë dokumente të mjaftueshme për të rrëfyer pasuritë e mëdha arkeologjike që gjenden në teatrin antik të Apolonisë. Nga ana tjetër drejtori i parkut shprehet se kanë dalë në dritë shumë objekte qeramike.

“Ka shumë gjetje, zbulime, por janë fragmente. Por këto fragmente flasin shumë. Arkeologët po punojnë të zbardhin se cilat janë pjesët nga janë shkëputur. Tashmë ata po i lajnë dhe disa prej tyre do të bashkohen. Dua të theksoj se interesante në këto zbulime janë edhe disa fragmente të vogla skulpturash.
 
 Objektet në proces studimi
 
Së shpejti arkeologët do të na japin të dhënat për emërtimin e figurave. Drejtori i parkut të Apolonisë duke iu referuar zbulimit të këtij pusi, u shpreh dje se “pasi të jenë mbaruar gërmimet ne mendojmë ta bëjmë të vizitueshëm pusin e zbuluar duke krijuar një perimetër të mbrojtur që të mos ketë rreziqe. Por vecc këtij pusi rëndësi të madhe kanë edhe objektet e zbuluara.

Objektet janë vërtet të thyera ose fragmente, por disa prej tyre edhe pse janë të fragmentuara mund të datohen. Pusi në fjalë është zbuluar në pjesën ku ndahej zona publike nga ajo private e qytetit të lashtë të shekullit të pestë para Krishtit. Arkeologët pohojnë se ky zbulim u vjen në ndihmë studimeve për të kuptuar mënyrën e furnizimit me ujë të qytetit si edhe atë të kullimit të ujërave.

Në bazën e pusit 8 metra të thellë janë gjetur disa materiale qeramike të përdorimit të përditshëm, që hedhin dritë mbi kulturën e para 2500 vjetëve në Apoloni. Ato janë një grumbull i madh vazosh të thyera por edhe të plota që janë depozituar kohë pas kohe në këtë pus që tregojnë për pasuritë e mëdha që gjenden ne qytetin antik të Apolonisë. Inventari i pasur i gjetur brenda pusit, nëse do të kërkohej me gërmime nëntokësore do të merrte një punë 3-4-vjeçare thonë drejtuesit e ekspeditës.

Rreth një muaj më parë në Apoloni u zbulua edhe një mur 2300-vjeçar, qw shërbente për kullimin e ujërave nëntokësorë.  
 
 Në pusin e gërmuar u gjetën dhjetëra objekte arkeologjike. Sipas arkeologëve i përkasin mesit të shekullit të 5-të deri në shekullin e 4-të para Krishtit.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/zbulohet-pusi-2500-vjecar-ne-apoloni-171997.html#sthash.n2c3yl3c.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate